zoom

Bota

Zbuten talibanët: Vajzat e gratë le të shkollohen. SHBA të hapë Ambasadën, i garantojmë siguri

Regjimi i ri i talibanëve nuk do t’i ngjasojë për nga ashpërsia regjimit të fundit të viteve ’90 të tyre, të paktën sipas deklaratave që mbërrijnë nga vetë udhëheqësit e rebelëve që kanë marrë nën kontroll tashmë të gjitha Afganistanin.

Përveç kësaj, përmes zëdhënësit, talibanët shtrijnë dorën e bashkëpunimit në formimin e qeverisë së re, duke premtuar gjithëpërfshirje.

“Po, do të jenë. Kur themi qeveri gjithëpërfshirëse, nënkuptojmë se edhe të tjerë do të kenë mundësi të bëhen pjesë e qeverisë”, iu përgjigj pyetjes së CNN, Sohail Shaheen, zëdhënës i talibanëve.

Zëdhënësi tha se ata nuk kanë në plan që të ndalojnë shkollimin e vajzave, as në fillore dhe as në shkollën e lartë, ashtu siç ndodhi më shumë se 20 vite më parë në regjimin e drejtuar nga Mullah Omari, themeluesi i lëvizjes ekstremiste.

“Politika jonë është e qartë. Vajzat mund të vijojnë arsimimin nga shkolla fillore në të lartë”, tha zëdhënësi.

Zëdhënësi tha se anëtarët e ushtrisë afgane që do të dorëzojnë armët do të amnistohen dhe do t’u jepet mundësia që të jenë fillimisht rezervistë dhe më pas pjesëtarë të forcave të reja të sigurisë së vendit.

Sa i takon suksesit të shpejtë në këtë luftë, talibanët thonë se ai erdhi si pasojë e mbështetjes së gjerë popullore që gëzon lëvizja e tyre, ndërsa zëdhënësi foli edhe për një politikë krejtësisht ndryshe edhe në drejtim të përfaqësive diplomatike, organizatave dhe gazetarëve ndërkombëtare.

“Ambasadat duhet të funksionojnë. Ne jemi të përkushtuar të garantojmë një ambient të sigurt për ta. Jo vetëm për diplomatët dhe ambasadat, por edhe OJQ-të e huaja. Ne u thamë amerikanëve se nuk duhet të evakuojnë ambasadën, pasi ne nuk do të shënjestronim atë. Do të garantonim një ambient të sigurt për funksionimin e saj”, deklaroi Shaheen.