zoom

Aktualitet

Kush janë Talebanët, si erdhën ata në pushtet dhe cilët janë udhëheqësit e tyre?

Njëzetë vite më parë një koalicion forcash ushtarake të drejtuar nga SHBA-të rrëzuan Talebanët nga pushteti në Afganistan. Por pas një ofensive ushtarake të muajve të fundit grupi islamik po rimerr pushtetin.

Kjo ndodh teksa SHBA po përgatitej të tërhiqte trupat ushtarake pas 20 vitesh luftë. Sipas një marrëveshjeje të dakordësuar tërheqja e plotë do të përmbushej më 11 shtator.

SHBA hyri në bisedime me Talebanët që në vitin 2018 për të diktuar një fazë tranzicioni dhe paqeje pas largimit të tyre. Bisedimet u shtynë përpara në vitin 2020 kur palët arritën një marrëveshje në Doha të Katarit.

Në marrëveshje SHBA zotohej të tërhiqte trupat. Talebanët zotoheshin të mos i sulmonin, të mos lejonin ri-aktivizimin e grupit al-Qaeda, apo militantëve të tjerë ekstremistë si dhe të vijonin bisedimet me palët e tjera politike për drejtimin e vendit në paqe.

Vitin që vijoi talebanët vijuan të sulmonin forcat afgane të sigurisë dhe civilë në rrethina të vendit. Situata përshkallëzoi muajt e fundit teksa të dielën ata morën edhe Kabulin.

Ardhja në pushtet

Fjala taleban vjen nga “talib” që në gjuhën afgane do të thotë “nxënës”. Zanafilla e këtij grupi fundamentalist i ka bazat te lëvizjet fetare të nxitura nga Arabia Saudite në Pakistanin verior. Kjo ndodhi në fillim të viteve 90-të pas zmbrapsjes së forcave sovjetike nga lufta në Afganistan.

Ndikimi saudit në zonë shihej me interes gjeostrategjik duke pasur parasysh faktin se afganët janë të besimit syni dhe në kufi me Iranin që drejtohet nga shiitët .

Grupi fitoi pushtet duke u premtuar popullsive afgane që jetonin në veri të Pakistanit rikthimin e sigurisë, dhe vendosjen e një sheriati, – sistemi ligjor islamik, – me t’iu dhënë mundësia për të drejtuar vendin.

Nga juglindja e Afganistanit talebanët shtrinë shumë shpejt ndikimin në gjithë vendin.

Në shtator të vitit 1995 ata kapën disa krahina në kufi me Iranin dhe brenda vitit kryeqytetin, Kabul.

Ata rrëzuan regjimin e Presidentit Burhanuddin Rabbani, një nga themeluesit e ushtrisë së muxhahedinëve që çliruan Afganistanin nga pushtimi sovjetik.

Brenda tre vitesh talebanët shtrinë kontrollin në pothuajse gjithë krahinat e vendit asokohe me rreth 20 milionë banorë, – aktualisht rreth 39 milionë.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Pakistani ishin tre shtetet e vetme që e njohën pushtetin e tyre – më vonë Pakistani e tërhoqi njohjen kur talebanët kërcënuan me trazira në zonat me afganë në veri të territorit të tyre.

Shumica i mirëpritën talebanët pasi ata në fillim patën sukses në luftën ndaj korrupsionit, ndëshkimit të shkelësve të ligjit dhe garantimit të sigurisë në rrugët tregtare.

Por ky sukses vinte si rrjedhojë e sistemit me rregulla dhe ndëshkime të ashpra të sheriatit si për shembull ekzekutimi publik i vrasësve dhe “të pamoralshmëve” apo dhe prerja e duarve hajdutëve.

Talebanët më vonë ndaluan televizionin, muzikën dhe kinemanë, si dhe shkollimin e vajzave mbi 12 vjeçe. Sipas rregullave të tyre djemtë duhet të mbajnë medoemos mjekër ndërsa vajzat të mbulohen tërësisht dhe të mos dalin të pashoqëruara.

Lidhja me Al-Qaedan

Pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ku humbën jetën mijëra njerëz, bota e zhvendosi vëmendjen te talebanët në Afganistan.

Talebanët u akuzuan se i patën mundësuar strehë dhe mbështetje aktivitetit të grupit terrorist al-Qaeda dhe liderit të tyre Osama Bin Laden.

Në tetor 2001 SHBA ngriti një koalicion ushtarak që dy muaj më vonë nisi ndërhyrjen në Afganistan dhe rrëzoi nga pushteti talebanët, që asokohe drejtoheshin nga Mullah Omar.

Omar së bashku me Bin Laden u larguan nga vendi së bashku me udhëheqës të tjerë shpirtërorë, të cilët u vendosën në Pakistan edhe pse Islamabadi zyrtar i mohoi vazhdimisht pretendimet.

Për rreth 10 vite me radhë talebanët organizuan sulme të forcave amerikane në zona të ndryshme të Afganistanit.

Në maj 2011, SHBA njoftoi se kishte ekzekutuar në një operacion ushtarak Bin Ladenin në Abbottabad rreth 150 kilometra në veri të Islamabadit.

Omar vdiq në gusht 2015 në një spital të Pakistanit, ndërsa një vit më vonë, pasardhësi i tij Mullah Mansur u vra nga amerikanët me një operacion me dron. Prej asaj kohe grupi drejtohet nga Mawlawi Akhundzada.

Pesë vite më vonë grupi duket më i fortë se më parë teksa ka marrë kontroll në shumicën e krahinave të Afganistanit në pak muaj. Sipas të dhënave të NATO-s ata kanë rreth 85 mijë trupa.

Cilët janë udhëheqësit e tyre?

Udhëheqësit dhe lidhjet e brendshme të talebanëve kanë vepruar gjithnjë në fshehtësi, madje edhe gjatë sundimit të tyre në Afganistan nga viti 1996 deri në 2001.

Teksa ky grup radikal islamik gjendet në prag të rimarrjes së pushtetit në vend, kjo është një listë e asaj që dihet deri më sot, rreth udhëheqësve të tyre.

Lideri suprem – Haibatullah Akhundzada

Haibatullah Akhundzada u emërua lider i talebanëve gjatë një kalimi të shpejt të pushtetit, kur droni i drejtuar nga forcat amerikane qëlloi për vdekje paraardhësin e tij, Mullah Mansour Akhtar, në vitin 2016.

Para se të ngjitej në këto grada, Akhundzada mbante një profil të ulët si një figurë fetare. Ai besohet gjerësisht të jetë zgjedhur më tepër si figurë shpirtërore se sa një komandant ushtarak.

Pas emërimit të tij në krye të grupit, Akhundzada pranoi një ‘zotim besnikërie’ nga komandanti i Al Qaeda-s, Ayman al-Zawahiri, i cili e quajti atë dijetar të fesë dhe “Emirin e besimtarëve”.

Kjo e ndihmojë atë të vuloste kredencialet e tij duke rikonfirmuar edhe një herë lidhjet me aleatët afatgjatë të talebanëve.

Profili i këtij lideri mbetet i kufizuar duke qenë se ai ka bërë dalje publike vetëm gjatë festave islamike të përvitshme.

Themeluesi – Mullah Baradar

Abdul Ghani Baradar u rrit dhe u formua në Kandahar – vendi i lindjes i lëvizjes talebane.

Si shumica e afganëve, jeta e Baradar-it ndryshoi tërësisht si pasojë e pushtimit Sovjetik gjatë viteve 70-të, të cilat e transformuan atë në një kryengritës.

Ai besohet të ketë luftuar krah-për-krah me klerikun me një sy, Mullah Omar.

Të dy do të themelonin lëvizjen talebane në fillim të viteve 90-të, gjatë kaosit dhe korrupsionit që kish sjellë lufta civile, që nisi menjëherë pas tërheqjes së trupave sovjetike.

Në vitin 2010, Baradar u arrestua në Pakistan ku u mbajt deri në vitin 2018, ku pas ndërhyrjeve të SHBA ai u lirua dhe u transferua në Katar.

Këtu ai u emërua në krye të zyrës politike talebane dhe mbikëqyri firmosjen e një marrëveshjeje për tërheqjen e trupave, me amerikanët.

Kryetari i Rrjetit Haqqani – Sirajuddin Haqqani

Djali i komandantit me emër nga lufta anti-Sovjetike, Jalaluddin Haqqani.

Sirajuddin është zëvendës udhëheqësi i lëvizjes talebane ndërkohë që drejton edhe rrjetin e pushtetshëm Haqqani.

Rrjeti Haqqani është një grup i dedikuar amerikanëve, i cili prej kohësh shihet si një nga grupet më të rrezikshme që lufton forcat afgane dhe ato të NATO-s në Afganistan, gjatë dy dekadave të fundit.

Grupi është gjithashtu famëkeq për përdorjen e kamikazëve si dhe mendohet të ketë orkestruar disa prej sulmeve më të rëndësishme në Kabul gjatë viteve të fundit.

Ky rrjet gjithashtu akuzohet për vrasjen e zyrtarëve të lartë afgan si dhe mbajtjen peng të qytetarëve perëndimorë në shkëmbim të parave – përfshi ushtarin amerikan Bowe Bergdahl.

Pasardhësi – Mullah Yaqoob

Ai është djali i themeluesit të lëvizjes talebane, Mullah Omar.

Mullah Yaqoob drejton komisionin e fuqishëm ushtarak të grupit, i cili mbikëqyr një rrejt të gjerë komandantësh në terren të cilët janë të përgjegjshëm për ekzekutimin e operacioneve dhe sulmeve strategjike në luftë.

Prejardhja dhe lidhjet e tij familjare me anë të babait të tij – i cili shijonte statusin e një figure kult si udhëheqësi i talebanëve – i shërbejnë atij duke e kthyer në një simbol pushteti si dhe një figurë unifikuese.