zoom

Ekonomi

Malaj: Në fundvit vendosim bonusin e pranverës për pensionistët. Bizneset të rrisin pagat!

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tregoi se në ditët e fundit të vitit do të rishikohet buxheti, për të vendosur masën e bonusit të pranverës për pensionistët, mbështetur në ecurinë e ekonomisë.

Në një dalje për mediat, ministri Malaj sqaroi se deri në vitin 2029 nuk do të ketë asnjë ndryshim tek përjashtimet tatimore të biznesit të vogël.”

Përjashtimet tatimore do shikohen në dy plane. Do shihen nëse dhanë benefitet plani i dytë nëse janë në një linjë me direktivat e BE-së. Për biznesin e vogël nuk do ketë ndryshim deri në 2029”.

Malaj u shpreh edhe për fenomenin e uljes së pagave në sektorin privat, siç u raportua një ditë më parë nga INSTAT. Sipas ministrit, niveli i pagës në biznese lidhet me politikat e tyre të brendshme ku qeveria nuk ndërhyn dot, por theksoi se “privati do të jetë i detyruar të rrisë pagat nëse do të dojë të jetë konkurrues në tregun e punës”.

Ndër të tjera, ministri i Financave tha se fushata kundër informaliteti ka pasur efekt pozitiv dhe vetë bizneset e kanë pritur mirë atë.

“Sa i përket çështjes me informalitetin, drejtoria e Tatimeve ka dërguar një njoftim për deklarim real të pagave, ka patur dhje një njoftim të dytë për ato biznese që nuk e kanë reflektuar. Më pas ka pasur një listë subjektesh me risk që janë komunikuar privatisht që do jenë subjekt rivlerësimi. Në përgjithësi bizneset kanë reflektuar pozitivisht. Pas fazës së tretë do kemi rezultate konkrete”, u shpreh Malaj.

Duke u rikthyer tek skandali i mikrokredive shpreh se po punohet për një kuadër ligjor që të mos ndodh ajo që ndodhi më parë.

“Për mikrokreditë ka dy grupe që po punojnë për të përmirësuar kuadrin ligjor që të mos ndodh ajo që ndodhi. Do kemi një draft e cila edhe do konsultohet me grupet e interesit”, përfundoi ministri i Financave.

Postime të lidhura