Aplikacion
Presidenti i zgjedhur Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa për produktet nga Kanadaja dhe Meksika, nëse këto dy vende nuk ndalin atë që ai e quajti fluksin e drogës dhe emigrantëve nëpërmjet kufijve të tyre. Ai tha se do të vendoste një taksë 25% për të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe Meksika, si një nga urdhrat e tij të parë ekzekutivë.
Një person i njohur me detajet e quajti një “darkë pozitive të zgjeruar, që zgjati tre orë”. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe foli për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti, tha se temat përfshinin tregtinë, sigurinë kufitare, fentanilin, mbrojtjen, Ukrainën, NATO-n, Kinën dhe naftësjellësat, si dhe takimin e G7-ës në Kanada vitin e ardhshëm.
Megjithëse gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump e quajti Kryeministrin Trudeau “të dobët” dhe “të pandershëm”, lidhjet mes dy vendeve kanë mbetur ndër më të afërtat në botë. Kryeministri kanadez Trudeau bëhet kështu udhëheqësi i parë nga vendet e G7-ës që viziton Presidentin e zgjedhur Donald Trump, pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Së bashku me Presidentin e zgjedhur Trump dhe Kryeministrin Trudeau në darkë merrnin pjesë edhe Howard Lutnick, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Trump për sekretar të tregtisë; guvernatori i Dakotës së Veriut Doug Burgum, i përzgjedhur për të drejtuar Departamentin e Brendshëm; Mike Waltz, i përzgjedhur për detyrën e këshilltarit për sigurinë kombëtare; si dhe bashkëshortet e tyre.
Gjithashtu në darkë ishin David McCormick, senatori i sapozgjedhur nga Pensilvania, dhe bashkëshortja e tij, Dina Powell, ish-zëvendës këshilltare për sigurinë kombëtare në administratën e parë Trump, si dhe ministri kanadez i sigurisë publike Dominic LeBlanc, në portofolin e të cilit përfshihet edhe siguria kufitare, si dhe Katie Telford, shefe e kabinetit të Kryeministrit Trudeau.
Zoti McCormick postoi një foto në rrjetin X të grupit të ulur në një tryezë të rrumbullakët në oborrin e Mar-a-Lagos.
Ekipi i tranzicioni i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj pyetjeve rreth çështjeve që ishin diskutuar, ose nëse biseda zbuti shqetësimet e presidentit të zgjedhur për kufirin./VOA
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet