zoom

Ide & Blog

Statusi juridik dhe interpretimi politik i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Shkup

Nga Arbër Çeliku

Që në vitin 2001, fill pas ndërhyrjeve kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, flitet për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, por edhe pas 24 vjetëve ende asgjë s’ka ndodhur në këtë drejtim. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore mbetet problem si juridik ashtu edhe politik.

Së fundmi u ngrit rishtas çështja, nëse gjuha shqipe është ose jo zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe, për ta kuptuar thelbin e këtij problemi, në vazhdim do të sqarohen hap pas hapi shtyllat bazë juridike, politike dhe pragmatike.

Si i trajton Kushtetuta e RMV-së shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
Që në preambulën e Kushtetutës së RMV kemi një distinksion midis popullit (kombit) maqedonas dhe kombësive tjera që jetojnë këtu si: shqiptarët, turqit, vllahët, romët, bullgarët, etj., që paraqet një diskurs juridik-politik komunist. Nocioni kombësi është një sajesë e regjimit komunist në krye me Titon, i cili në mënyrë perfide ka kamufluar të vërtetën e statusit të shqiptarëve, numerikisht të tretët në ish-Jugosllavi. Popujt (kombet) kanë pasur statusin e shtetformësimit dhe të drejtën e vetëvendosjes në rast të shpërbërjes së Federatës Jugosllave, kurse kombësitë (Kosova dhe Vojvodina) jo, gjë që dhe ndodhi me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë në vitin 1990: 6 kombet formuan shtetet e tyre, kurse Kosova dhe Vojvodina mbetën nën administrimin e Serbisë.

Kësisoj, me këtë kushtetutë të Maqedonisë së Veriut, kemi një popull (komb shtetformues) që janë maqedonasit dhe më shumë kombësi, kurse kombësia më e madhe numerikisht jemi ne shqiptarët, që juridikisht nuk jemi shtetformues, politikisht mbase dhe po, varësisht sipas propagandave të politikave ditore.

Në këtë frymë neni 7 i Kushtetutës së RMV-së (2001) përvijon edhe vijat e përdorimit të gjuhës-komb: maqedonishtes dhe gjuhëve të kombësive: shqipes dhe të tjerave, pa mos i përmendur si të tilla, vetëm duke i quajtur si gjuhë ndryshe nga maqedonishtja, pra gjuhë jo-maqedonase.
Paragrafi 1 i këtij neni thotë: “Në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”, kurse paragrafi 2 tematizon: “Në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat si shumicë jetojnë pjesëtarët e kombësive, në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit cirilik, janë edhe gjuha dhe alfabeti i kombësive në mënyrë të përcaktuar me ligj” (Për më tepër shih: ustav rsm-al-ok.pdf).

Sipas Kushtetutës gjuhët e kombësive (pra dhe shqipja) gjejnë përdorim zyrtar vetëm në komunikimin institucional të qeverisjes vendore, pra në ato komuna ku ata përbëjnë shumicë, edhe atë krahas gjuhës-komb: maqedonishtes dhe alfabetit të saj cirilik (e cila shkruhet e para), në të kundërt çdo dokument i lëshuar psh. vetëm në gjuhën shqipe paraqet vepër penale.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Pas ndryshimeve kushtetuese në nëntor të vitit 2001 në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, deri më tani janë sjellë dy ligje për përdorimin e gjuhëve, njëri në vitin 2008 dhe tjetri në vitin 2018, por që asnjëri ligj nuk përmbushi nevojat e zbatimit të duhur në praktikë të gjuhës shqipe, për arsyen e thjeshtë ngase këto ligje kanë qenë politike, duke lënë shumë zbrazëtira sa i përket anës juridike.

Ligji për përdorimin e gjuhëve (2018) rregullon përdorimin e të gjitha gjuhëve që fliten në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ky ligj nuk paraqet një ligj të posaçëm për përdorimin e gjuhës shqipe (përndryshe ai do të ishte emërtuar si: Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe), siç proklamohet për poena të politikave ditore, prandaj dhe do të ftillohet në vazhdim për ta kuptuar drejt statusin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Njëjtë si në Kushtetutë, që në fillim të këtij ligji kemi një distinksion midis gjuhës-komb (gjuhës maqedonase) dhe gjuhëve të kombësive (gjuhëve ndryshe nga maqedonishtja), pra kemi një gjuhë supreme, të pacenueshme dhe të paprekshme dhe gjuhë të tjera, përdorimi i të cilave rregullohet sipas akteve dhe nënakteve të përcaktuara me ligj. Këtë e dëshmojnë më së miri 2 paragrafët e parë të nenit 1 të Ligjit të përdorimit të gjuhëve (për më tepër shih: Ligji-per-Perdorimin-e-Gjuheve-14-1-2019.pdf):

(1) Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

(2) Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuhë shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

Siç mund të vërejmë nga këto dy paragrafë të nenit 1 të Ligjit, kemi një vijë ndarëse midis gjuhës supreme: maqedonishtes dhe alfabetit të saj cirilik, e cila është gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është e vetmja gjuhë që përdoret në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit dhe gjuhës tjetër nga maqedonishtja si gjuhë e rendit të dytë, të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve, e cila po ashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, por e cila nuk ka shtrirje mbarë territoriale dhe as nuk lejohet të përdoret në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit. Gjuha shqipe, në një paragraf kaq të rëndësishëm të Ligjit është futur në kllapa jashtë çdo norme juridike dhe linguistike dhe le të hamendësosh se është futur si e tillë vjedhurazi dhe sa për sy e faqe, në sajë të një marrëveshjeje politike mes partnerëve të koalicionit të atëhershëm qeveritar dhe që ka krijuar numrat e domosdoshëm për funksionimin e qeverisjes së përbashkët dhe, nga ana tjetër, ajo figuron në trajtën e pashquar (gjuhë shqipe në vend të: gjuha shqipe), për ta minimizuar edhe më tej rolin e saj në komunikimin institucional zyrtar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për të qenë edhe më absurde situata, gjuha shqipe përdoret vetëm 1 herë në këtë Ligj prej gjithsej 25 nenesh me mbi 100 paragrafë, e futur tinëzisht në kllapa dhe në trajtën e pashquar dhe në vazhdim ajo përdoret si gjuhë tjetër nga maqedonishtja ose si gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve.

Gjuha tjetër nga maqedonishtja që e flasin së paku 20% e qytetarëve
Si Kushtetuta e RMV-së ashtu edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve bëjmë një digresion kufizues midis gjuhës-komb: maqedonishtes, e cila paraqet gjuhën supreme dhe gjuhëve të kombësive (gjuhëve ndryshe nga maqedonishtja), të cilat paraqesin gjuhët e rendit të dytë në shtet, ku bën pjesë dhe shqipja.

Kufiri numerik prej, së paku, 20% të qytetarëve, të cilët flasin gjuhë tjetër nga maqedonishtja është një thikë me dy presa. Së paku, 20% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut flasin shqip dhe ex-lege, sipas këtij Ligji avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe edhe në komunikimin institucional përtej nivelit të qeverisjes komunale, por lind pyetja: Çka, nëse në 10 ose 20 vjetët e ardhshme, duke pasur dyndjet masive, kryesisht, të shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit, përfaqësimi numerik bie nën 20%?! Në regjistrimin e popullsisë në vitit 2001 shqiptarët zyrtarisht janë përfaqësuar me 25.4% të popullsisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, kurse në regjistrimin e fundit (2021) me 24.3%, pra kemi tkurrje të numrit të shqiptarëve me 1.1%, pavarësisht trumbetimeve politike se ne jemi mbi 29% në Maqedoninë e Veriut, ku numërohet edhe popullsia jorezidente (pra mërgata shqiptare), e cila tinëzisht është hequr nga Regjistri amë në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 190.000 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut nuk marrin më pjesë në ndërtimin e shoqërisë dhe, me gjasë, nuk do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e ardhshme komunale në vend.

Nga ana tjetër ky Ligj, për dallim nga Ligji i vitit 2008, parasheh edhe formimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhëve në RMV, e cila tashmë është realitet dhe me drejtues shqiptar në vazhdimësi dhe, në kuadër të kësaj Agjencie funksionon edhe Inspektorati që obligohet ex-officio të kujdeset për zbatimin e këtij Ligji, duke ndëshkuar me gjoba deri në 5000 euro institucionet që nuk e respektojnë ligjin, por që, edhe pas gati 7 vjetëve të hyrjes në fuqi të këtij Ligji dhe pas 24 vjetëve tashmë nga sjellja e Kushtetutës reformuese në përputhje me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, gjuha shqipe si “gjuhë zyrtare” në RMV nuk gjen assesi zbatim institucional në institucionet shtetërore, përveç në komunikimin komunal, edhe atë vetëm aty, ku qeverisja komunale ka qasje institucionale si ujësjellësi, kanalizimi, sektori tatimor.

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut jo se jo nuk gjen përdorim zyrtar në sektorin publik, por ajo nuk gjen përdorim zyrtar me shkrim as në sektorin privat
Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve (2018) gjuha, të cilën e flasin, së paku 20% e qytetarëve (gjuhë shqipe) do të duhej të përdorej jo vetëm në komunikimin institucional shtetëror, si në organet e gjyqësisë, policisë, shëndetësisë, arsimit, etj., por për këtë as që bëhet fjalë deri më sot. Në proceset gjyqësore me gjykatës shqiptarë dhe të. Gjuha shqipe nuk gjen përdorim zyrtar me shkrim as në sektorin privat. Kompanitë dhe firmat me pronarë shqiptarë, me seli në komunat shqiptare, tërë dokumentacionin e nevojshëm ligjor e kanë në gjuhën maqedonase, madje edhe me komunën që drejtohet nga shqiptarët. Çdo formular tatimor, çdo kërkesë institucionit relevant dhe çdo fakturë ata e lëshojnë dhe e pranojnë në gjuhën maqedonase.

Dikotomia segreguese: Kushtetutë juridike vs. kushtetutë politike në RMV
Me arritjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me ndërmjetësimin ndërkombëtar (2001), në vend që të sheshoheshin ndasitë etnike në vend dhe të ndodhte një integrim etnik mbarështetëror, ndodhi pikërisht e kundërta: një segregacion i egër etnik (por edhe politik) dhe në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë dy kushtetuta: një juridike dhe një politike (Marrëveshja Kornizë e Ohrit).

Politikat dhe populli maqedonas qëndrojnë pas kushtetutës juridike, si aktin më të lartë ligjvënës në vend, kurse politikat dhe populli shqiptar i referohen kushtetutës politike (Marrëveshjes Kornizë të Ohrit), me pandehjen e garantueses së realizimit të drejtave kombëtare tonat.

Kështu, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përveç reagimit zyrtar të Komisionit të Venedigut në vitin 2019, i cili Komision i bën thirrje Maqedonisë së Veriut për rishqyrtimin e këtij ligji me arsyetimin se ai: “shkon përtej standardeve të vendosura nga Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave” (për më tepër shih: Komisioni i Venecias, thirrje për rishqyrtimin e ligjit të ri për gjuhët në Maqedoninë e Veriut, nga ana e disa subjekteve politike maqedonase, organizata joqeveritare dhe individë me përkatësi etnike maqedonase janë ngritur mbi 16 nisma në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve me boshtin e arsyetimin se ky ligj bie në kundërshtim me kushtetutën dhe, nëse ky ligj do të shfuqizohet, atëherë ndasitë etnike do të thellohen edhe më shumë, madje edhe mund të ndizen gjakrat deri në konflikte të tjera absurde ndëretnike.

Politika maqedonase dhe populli maqedonas duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se shqiptarët nuk janë armiqtë e Maqedonisë së Veriut, përkundrazi ne, në situatat më të vështira historike kemi kontribuuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë në shtetndërtimin e këtij vendi, i cili është dhe vendi ynë. Të drejtat kombëtare të shqiptarëve janë legjitime, prandaj vetë maqedonasit duhet të reflektojnë dhe ta respektojnë e çmojnë të drejtën natyrore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.