Aplikacion
Ministri i Financave, Petrit Malaj tha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se nga ky vendim preken rreth 6.541 profesionistë të lirë. Për ta do të fshihen edhe detyrimet e grumbulluara gjatë këtyre muajve, që kur Gjykata Kushtetuese u shpreh duke shfuqizuar tatimin për ta.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi tatimin 15% të profesionistëve të lirë me të ardhura deri në 14 mln lekë të reja me argumentin se është jo proporcional dhe cenon sigurinë juridike.
Ligji për tatimin mbi të ardhurat u dërgua në Gjykatë Kushtetuese, nga deputetë të Partisë Demokratike, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar”, Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”, si dhe nga Dhoma e Avokatisë me argumentin se diskriminon profesionistët dhe godet shtresën e mesme.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.29/2023 “PËR TATIMINMBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas pikёs 5, tё nenit 69, “Dispozita kalimtare”, tё ligjit nr.29/2023, “Pёr tatimin mbi tё ardhurat”, tё ndryshuar, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Parapagimet/këstet e paguara apo të gjeneruara në zbatim të nenit 63, të këtij ligji, nga të vetëpunësuarit, si dhe entitetet me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, të cilat furnizojnë shërbime profesionale sipas përcaktimeve të pikёs 1, të nenit 4, dhe tabelës analitike nr.2, të vendimit nr.753, datë 20.12.2023, tё Kёshillit tё Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të shfuqizuar me vendimin nr.52, datё 27.6.2024, tё Gjykatёs Kushtetuese tё Republikёs sё Shqipёrisё, u rimbursohen tatimpaguesve apo u fshihen nga administrata tatimore, brenda datës 30 dhjetor 2024.
Shuma e kësteve të paguara do të pasqyrohet te klasa përkatëse e të ardhurave dhe, nëpëmjet degës së thesarit, administrata tatimore kryen rimbursimin në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
Drejtori i Përgjthshëm i Tatimeve, me akt të brendshëm, miraton rregullat procedurale për zbatimin e kësaj pike.”.
Neni 2
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.