zoom

Politikë

Policia çon në SPAK deputeten e PD-së që hodhi aromatizues në Kuvend

Policia e Tiranës ka çuar në SPAK deputeten e PD-së, Elda Hoti që hodhi aromatiuez në Kuvendin e Shqipërisë.

Ajo akuzohet për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”.

“Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar”, informojnë blutë.

Ndërkohë janë dërguar në SPAK edhe deputetët Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula dhe Saimir Korreshi.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit:

– E. H., 32 vjeçe, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”;
– F. N., 53 vjeç, B. N., 38 vjeç, G. B., 39 vjeç, D. S., 55 vjeç, L. B., 61 vjeç, dhe S. K., 43 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim.

Materialet i kaluan Prokurorisë.