Aplikacion
Të shtunën, Koreja e Veriut ka pretenduar që Seuli ka dërguar në Phenian dronë të kontrolluar prej larg, me pamflete kundër verikoreanëve, tri herë në javën e fundit.
Autoritetet në Seul kanë thënë se nuk mund të konfirmojnë nëse pretendimet e Koresë së Veriut janë të vërteta.
“Në momentin që një dron i [Republikës së Koresë] zbulohet në qiellin e kryeqytetit tonë sërish, kjo do të çojë në një katastrofë të tmerrshme”, ka thënë Kim Yo Jong, sipas medias shtetërore verikorane.
“Personalisht lutem që të mos ndodhë diçka asisoj”.
Tensionet janë rritur në Gadishullin Korean, pasi Pheniani ka rritur dukshëm numrin e testimeve raketore në dy vjetët e fundit, duke ashpërsuar retorikën kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
Ndërkohë, verikoreanët e kanë rritur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.
Javën e kaluar, zyrtarë verikoreanë kanë thënë se do t’i mbyllin të gjitha rrugët dhe lidhjet hekurudhore me Korenë e Jugut, dhe që do t’i fortifikojnë kufijtë.
Sipas ushtrisë së Seulit, Pheniani ka vendosur mijëra mina tokësore në zonën kufitare, në muajt e fundit.
Në fund të vitit 2023, Kim Jong Un i ka përshkruar marrëdhëniet ndërkoreane si ato në mes të dy vendeve ndërluftuese.
Ai ka kërkuar që Koreja e Jugut të shpallet armiku kryesor edhe në Kushtetutën socialiste të vendit.