zoom

Aktualitet

Akuzohet se zhvati fondet e BE bashkë me ish-ministrin Beqaj te SASPAC, lirohet biznesmeni Haxhia

Gjykata e Posaçme zbut masën e sigurisë për biznesmenin Gazmend Haxhia, i akuzuar si bashkëpunëtor në skemën abuzive të zhvatjes së fondeve të BE-së me agjencinë SASPAC, së bashku me ish-ministrin e arrestuar të Shëndetësisë, socialistin Ilir Beqaj.

Sikurse edhe tre të tjerë të çështjes, ai do të qëndrojë në detyrim paraqitjeje, pasi masa paraprake ishte arrest shtëpiak.

Haxhia u kap në Rinas tre ditë më parë, teksa kthehej nga Italia, pasi ishte shpallur në kërkim. Biznesmeni u dyshua si i përfshirë në abuzimet me fondet e SASPAC, së bashku me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe disa persona te tjerë.

Në dosje SPAK dhe GJKKO kanë 3 masa sigurie arrest me burg, mes tyre ish-ministri, financieri i agjencisë Ermal Kurtulaj dhe biznesmeni Alfred Nikollaj. Në total janë 9 persona të akuzuar dhe tre prej tyre janë në arrest shtëpiak.

Haxhia është pronari i ‘Landways International’, i cili ishte pjesë e urdhër-arresteve që u lëshuan edhe për dosjen e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajn, lidhur me abuzimin me fondet e donatorëve të huaj.

Prokuroria e Posaçme e akuzon për ‘korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror’, ‘mosdeklarim dhe fshehja e pasurisë’, ‘mashtrim dhe Shkelje e barazisë në tendera’. Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij po hetohen për korrupsion me fondet e BE-së në agjencinë SASPAC që drejtohej prej ish-ministrit, deri para se të jepte dorëheqjen javë më parë, për shkak të marrjes i pandehur për koncesionet 100 mln euro në Shëndetësi, proces që tashmë ka nisur në GJKKO. /ZOOM.AL/