zoom

Lajme

Sot gjysmëfinalja e madhe e EURO 2024, Francë-Spanjë për historinë. De la Fuente: Japim shpirtin…

Prej gati tre dekadash dy gjigantët e futbollit evropian nuk përplaseshin në faza të rëndësishme kompeticionesh. Por sot do ndezin botën anembanë me gjysmëfinalen që duket se s’do mbarojë kurrë, edhe për shkak të prapavijave historike.

Franca duket më e fortë në letër, edhe si nënkampione bote, por Spanja ka bërë paraqitjen më të mirë deri tani, duke u përballur me tre skuadra që kanë fituar 8 Botërorë së bashku, Itali dhe Gjermani.

Trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente u shfaq optimist në konferencë, para supersfidës së Europianit, ndaj Francës, që luhet sot në mbrëmje, ora 21:00.

Momenti më i mirë i kësaj përfaqësueseje…: 

“Është një mundësi fantastike. Ne kemi bërë shumë për të qenë këtu. Kjo, si kundër Gjermanisë, mund të jetë një finale. Këto janë lojëra detajesh dhe që duhen bërë pak gabime”.

Franca, e mërzitshme: 

“Ajo që vlerësoj dhe analizoj është potenciali. Dhe është i jashtëzakonshëm, fantastik. Ka lojtarë të nivelit shumë të lartë dhe një ekip shumë të mirë. Unë gjithmonë argëtohem me futbollin. Mua nuk më mërzit”.

Loja e bukur:

“Ti përpiqesh të planifikosh lojëra që të ndihmojnë të fitosh. Modeli ynë i afrohet atij të një spektakli të bukur. Ne jemi një ekip shumë tërheqës, por këtu bëhet fjalë për të fituar. Duhet të jesh tërheqës, por edhe praktik”.

Si janë lojtarët fizikisht?:

“Po rikuperohemi mirë. E meta e vetme është koha e shkurtër e rikuperimit që kemi të gjithë ne që jemi këtu. Por futbollistët janë mësuar me metodat e reja. Do të shohim si do të jemi nesër, por motivimi është më i lartë se çdo gjë fizike. Varet gjithashtu se si do të shkojë ndeshja, Franca më duket se është një ekip shumë i fortë fizikisht, por ne dimë t’i luftojmë ata me virtytet ton, që janë të tjera”.

Evolucioni i Spanjës në këtë vit të fundit:

“Ne jemi një ekip i ri, me një trajner të ndryshëm dhe me ide të ndryshme. E kemi të qartë rrugën dhe stilin e ndryshëm që donim të zbatonim. Ne donim t’i jepnim pak kthesë me përfshirjen e lojtarëve me aftësi të ndryshme. Vizioni nuk është as më mirë, as më keq”.

A është Niko Uilliams më i mirë se Mbapé aktualisht?: 

“Ata janë dy futbollistë të mëdhenj. Mbapé është i jashtëzakonshëm, por futbollistët e mi janë më të mirët”.

Spanja, më dribluese. A ka të bëjë me trajnerin apo lojtarët?: 

“Të dyja konceptet. Ne kemi një lëndë të parë që të lejon të luash në një mënyrë të caktuar. Do të përpiqemi të maksimizojmë potencialin e skuadrës sonë. Ne kemi lojtarë shumë të shpejtë me aftësi për të luajtur një kundër një dhe që na afrojnë më shumë te goli”.

Shqetësimi që Mbape do të kthehet i zakonshmi dhe mungesat…: 

“Këta lloj futbollistësh janë të paparashikueshëm. Niveli i tyre në 50%, mund të jetë 100% i kujtdo tjetër. Ata mund të përballojnë të mos jenë në një ndeshje dhe me dy veprime ta vendosin. Mbape është një super gjeni dhe një yll, ashtu si lojtarë të tjerë të Francës. Do të përpiqemi të minimizojmë kushtet e tyre, pavarësisht se kush është në fushë. Unë kam besim të verbër te skuadra ime për një ndeshje shumë të vështirë që mund të jetë një finale”.

Fjalët e Moratas për largimin nga Kombëtarja. A janë të papërshtatshme në këtë moment?: 

“Ju e dini pozicionin tim. Ne plotësisht dhe absolutisht pajtohemi me atë që ai thotë. Trajtimi i tij është totalisht i padrejtë. Ai është shembull në gjithçka. Unë qëndroj pranë tij si futbollist dhe person”.

Rabio ‘sfidon’ Lamin Jamal: 

“Është pjesë e lojës. Ka argumente futbolli dhe të tjera psikologjike. Secili përdor mjetet e tij, gjithmonë brenda një regjimi disiplinor të vendosur nga arbitri. Ai duhet të vazhdojë të jetë vetvetja dhe të ketë guximin se kështu është situata. Ai gradualisht do të fitojë përvojë. Dhe ai e bën atë shumë shpejt. Çdo herë, rivalët e tij do t’i lejojnë më pak mundësi”.

Mundësia e shtesave: 

“Nuk e dimë. Por është e vërtetë që nuk na leverdis një ndeshje me vajtje-ardhje. Ne jemi një ekip i përgatitur për të kontrolluar dhe dominuar lojën, edhe pse kundërsulmojmë shumë mirë. Franca luan shumë mirë pa top dhe përfiton nga hapësirat që lejojnë rivalët e saj. Duhet të jesh shumë i vëmendshëm te humbjet e topit. Mund të jetë çelësi i ndeshjes”.

Të shmangen shtesat:

“Do të duhej të bënim pa kohë shtesë. Ndoshta në fazën e mëparshme. Lojtarët tashmë janë në kufirin e mundësive të tyre fizike dhe do të ishte diçka për të mirën e spektaklit. Ata do të ishin më të freskët”. /ZOOM.AL/