Aplikacion
Këtë herë me monopatinat. Dhe do jenë 500 të tilla që do vendosen në zona të kryeqytetit për shërbim transporti në akset e Tiranës.
Veliaj u shfaq sot teksa drejtonte një të tillë dhe udhëzonte qytetarët që t’i përdornin sa më shpesh, sepse nuk e ndotin mjedisin, dukshëm si një marketing falas në favor të shoqërisë që do i lëshojë ato kundrejt pagesës apo që do i menaxhojë.
Skena dukej një “deja vu”. Ngjashëm e kemi parë Veliajn të reklamonte edhe bicikletat e një kompanie tjetër private që i ofronte ato me pagesë në Tiranë.
Dhe përpara se të niste fushatën e monopatinave, kryebashkiaku do të duhet t’u shpjegojë qytetarëve se çfarë u bë me biçikletat që mbushën kryeqytetin pak vite më parë, përse ato nuk funksionuan dhe përse do të duhet të besojnë se me monopatinat do të jetë ndryshe.
Bicikletat portokalli të bashkisë përfunduan rrugëve, pa e kryer misionin për të cilin iu dha licensa kompanisë.
Promovimi i monopatinave ka gjithashtu edhe një problematikë tjetë. Ai vjen në një kohë kur në disa vende ato po ndalohen dhe kur në Tiranë policia rrugore i ka futur ato në listën e mjeteve të rrezikshme që shkaktojnë rëndom aksidente.
E në vend që të mendojë për sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, kryebashkiaku që ndodhet në “syrin e ciklonit” politik prej muajit mars, pas skandalit me dosjen “5D”, bëbet pjesë e fushatave të marketingut.
Vetë Veliaj njoftoi se janë 500 skuterë të rinj, që Bashkia e Tiranës dhe aplikacioni “Bin Bin” kanë shpërndarë kryesisht në kryqëzimet kryesore të qytetit, për të gjithë qytetarët që duan të lëvizin me një mjet ekologjik. Në prezantimin e projektit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, këshilloi që “përdorimi i skuterave të bëhet duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor”.
Në daljen e tij publlike ai nuk bëri transparencë se nga vinin këto mjete, kush i menaxhon, çfarë kontrate ka Bashkia etj. U mjaftua vetëm me frazat populiste se ato nuk ndotin ambientin.
“Tirana është bërë një qytet tejet turistik. Kjo do të thotë se qyteti, gjithmonë e më shumë, do t’i ofrojë mjete të tilla edhe për një treg tjetër, ndërkombëtar. Pra, nuk është momenti për t’i vandalizuar, as për abuzim, janë mjete që kushtojnë dhe duhen mirëmbajtur nga secili prej nesh, që ta lëmë në të njëjtën gjendje që e gjetëm. Na duhet një bashkëpunim si për çështje kundër vandalizimit, qoftë për çështje të sigurisë, jo vetëm mes bashkisë edhe “Bin-Bin”, por edhe me Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore, Policinë Bashkiake, për të edukuar si mund të përdoret ky mjet i ri, sepse ashtu si çdo mjet tjetër, mund të shërbejë për të bërë punë, por mund të kthehet edhe në një armë për të prishur punë në momentin që përdoret keq”, u shpreh Veliaj.
Veliaj tha se këto mjete do të përdoren për lëvizjet e vogla brenda qytetit. Çdo ditë, në qytet kryhen 800 mijë segmente me makinë. Nga këto, 400 mijë segmente janë më pak se 1 km. Për risitë teknologjike ai tha se Bashkia ka ndryshuar edhe legjislacionin për t’i favorizuar me licenca të menjëhershme, si taksitë elektrike. /ZOOM.AL/
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet