zoom

Aktualitet

Mjekët biznes me jetët e të sëmureve te Onkologjiku, sot protesta te Ministria e Shëndetësisë

Skandali i dosjes së Onkologjikut, ku mjekët ishin përfshirë në biznes me jetët e të sëmurëve me kancer, ka shkaktuar indinjatë qytetare dhe jo vetëm.

Një protestë do të mbahet pasditen e sotme para Ministrisë së Shëndetësisë, pas skandalit që ka përfshirë spitalin Onkologjik në QSUT. Protesta do të mbahet në orën 19:00, ndërsa nën hetim janë vendosur 8 persona. Prokuroria e Tiranës po heton skemën, përmes të cilës mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjykata ka miratuar kërkesën e organit të akuzës, duke çuar para përgjegjësisë ligjore 8 persona, mjekë të spitalit Onkologjik në QSUT, kirurgë, ish zv/drejtoresha e përgjithshme e spitalit, Brikena Qirjazi dhe farmacistë. Hetimi i Prokurorisë arriti të zbulojë skemën se si mjekë të spitalit të Onkologjikut shisnin ilaçe të spitalit tek subjektet private.

Gjithashtu, ata dërgonin pacientët për kurim te spitalet private, ndërsa më herët kishin refuzuar t’iu jepnin shërbim në shtet duke nxjerrë alibi të tilla si pritjet dhe radhët e gjata, kur në realitet nuk rezultonin të tilla. Kontrabanda e ilaçeve ishte një tjetër aspekt, sikurse shkaktimi i mungesës së medikamenteve, me qëllim drejtimin e pacientëve te privati.

Në lidhje me ngjarjen në fjalë pati reagime të forta në opinionin publik, por dhe atë politik. Në rrjetet sociale vërshuan reagimet në lidhje me përgjimet që ‘fundosën’ punonjësit e këtij spitali, që bënin pazare hapur, madje dhe planet për pushime luksoze në Tajlandë apo Maldive, ku bashkëpunonin apo ruanin njëri-tjetrin. /ZOOM.AL/