zoom

Lajme

PS dhe PD bëjnë paqe, rimblidhet Komisioni për Shëndetësinë. Dakordësi për listën e dëshmitarëve

Rinisin pas bojkotit të mazhorancës mbledhjet në Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Ndryshe nga herët e tjera, kjo mbledhje zgjati pak dhe nuk u karakterizua nga debate, duke arritur dakordësi për listën e dëshmitarëve.

Kryetarja Albana Vokshi ka bërë me dije se sot janë dërguar të gjitha kërkesat për informacion të propozuara nga të dy palët e ekspertëve, edhe nga opozita edhe nga mazhoranca. Ndërsa ka diskutuar në lidhje me planin javor të punës së komisionit, zonja Vokshi tha se të hënën planifikohet mbledhje e kryesisë së vogël, ndërsa parashtroi ehe kalendarin e vizitave, ku parashikohet vizitë në spitalin e Durrësit dhe Spitalin e Traumës.

“Kjo është një pikë e parë e mirë për punën e komisionit. Kemi diskutuar në lidhje me një plan vizitash. Është dakordësuar që këtë javë dhe tjetrën në vijim, ndërkohë që pritet përgjigjja e kërkesave, u kemi lënë kohë 7 ditë institucioneve, është propozuar plani për vizitat në terren. Është propozuar që të premten të zhvillojmë një vizitë në spitalin e Durrësit dhe më pas do të vendosim për vizitë në 1 ose 2 qendra shëndetësore apo laboratorë. Të martën të bëjmë një vizitë te spitali i Traumës dhe do të diskutojmë nëse do të vizitojmë një qendër shëndetësore”, tha ajo.

Palët kishin rënë dakord paraprakisht në mbledhjen e zhvilluar në Kryesinë e vogël. Nënkryetari Plarent Ndreca njoftoi se palët janë dakordësuar mes të tjerash edhe në lidhje me listën e dëshmitarëve.

Pjesë e diskutimit:

Plarent Ndreca: Na ka ndihmuar mbledhja e kryesisë për të bërë më eficente punën. Jemi dakordësuar edhe për 80 përqind të listës së dëshmitarëve. Mendoj që nuk kemi humbur shumë kohë sepse kemi edhe dy muaj par, 21 korrik do kemi një raport nga komisioni. Ne duhet të marrim edhe informacione në institucione dhe më pas të vijohet me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Albana Vokshi: Dua të mbyll këtë mbledhje. Të hënën që vjen do mblidhet Kryesia e vogël e Komisionit dhe do iu japim informacion më të detajuar për përfundimet në terren. /ZOOM.AL/