Aplikacion
Asllani u kurorëzua kampion i Italisë me Interin duke fituar për herë të parë në karrierën e tij titullin e Serisë A. Një sezon fantastik për zikaltërit që dominuan kampionatin dhe me plot meritë fituan titullin e 20-të në histori, teksa një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë arritje ka dhënë edhe mesfushori kuqezi Kristjan Asllani i cili gjatë ceremonisë mori edhe medaljen e kampionit.
Titullin kampion me skuadrën e Sparta Prague e siguruan edhe Qazim Laçi dhe Indrit Tuci. Për Laçin ky ishte sezoni i dytë radhazi që shpallet kampion në Çeki. Sparta Prague fitoi 5-0 në transfertë ndaj Mlada Boleslav në një ndeshje ku mesfushori kuqezi ishte titullar dhe në fund futbollistët e Sparta Prague festuan së bashku suksesin e arritur.
Mirlind Daku sërish protagonist për skuadrën e tij Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi gjeti rrugën e rrjetës në disfatën 3-1 ndaj Spartak Moscow. Daku në minutën e 77-të e kontrolloi bukur topin në zonë duke iu shmangur mbulimit të mbrojtësit kundërshtar dhe me një goditje të fortë mposhti portierin. Ky ishte goli i nëntë në kampionat për Dakun i cili numëron edhe katër asiste.
Rey Manaj zhvilloi një tjetër paraqitje të mirë me ekipin e tij Sivasspor që triumfoi në transfertë 3-1. Sulmuesi kuqezi edhe pse nuk e gjeti rrugën e rrjetës ishte vendimtar me një asist në golin e tretë që u shënua nga shoku i tij i skuadrës Koita. Në fund Manaj u vlerësua edhe si më i miri i ndeshjes me notën 8.3 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Ivan Balliu, Naser Aliji, Ylber Ramdani dhe Sokol Cikalleshi ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Mario Mitaj, Keidi Bare, Ernest Muçi.
Por në këtë fund sezoni, jo të gjithë legjionarët po kalojnë një moment të mirë, mbi të gjithë baza më e rëndësishme e Kombëtares, lojtarët që aktivizohen në Serie A. Sassuolo e Kumbullës dhe Nedim Bajramit, pësoi një humbje të rëndë 0-2 brenda në shtëpinë përballë Cagliari-t, një disfatë që i zbret zyrtarisht në Serie B sezonin e ri.
Nedim Bajrami, një nga lojtarët më të rëndësishëm për skemat e Sylvinho-s, nuk u aktivizua për asnjë minutë, ndërsa e ardhmja e tij mbetet e paqartë për sezonin e ri, me shumë mundësia, emrin e Bajramit do të jetë fiks në tregun e transferimeve në verë, por kjo varët shumë edhe nga paraqitjet e tij në “Euro2024”.
Një pasdite të errët përjetoi Marash Kumbulla. Më në fund qendërmbrojtësi kuqezi filloi të fitonte minuta, por dy daljet e tij të fundit ishin shumë negative. Pas autogolit të shënuar kundër Geona-s një javë më parë, Kumbulla u bë sërish protagonist për keq, këtë edhe ndaj Cagliari-t, ku në shtesë shkarkoi një penallti të pabesueshme. Për një moment, Kumbulla humbi kontrollin e topit duke hkaktuar më pas një penallti, e konvertuar në gol.
Futbollisti shqiptar u kryqëzua nga mediat italiane, i vlerësuar me notën 4,5. Nga minuta e 66-të, këtë fundjave u aktivizua Hysaj për Lazio-n, ndërsa titullar për Empolin zbriti Adrian Ismajli.