zoom

Aktualitet

Piranjat demaskojnë takimin e Ramës në Athinë: S’ka ngelur njeri nga Fieri pa ardhur

Salla e stadiumit “Galatsi” në Athinë, ku kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin me shqiptarët në Greqi, ishte mbushur dje.

Por a ishin të gjithë të pranishmit emigrantë shqiptarë, ashtu siç do të donte qeveria për të treguar suksesin e takimit?

Provat e mbledhura nga emisioni “Piranja” tregojnë se jo.

Nga Kryeministria u raportua se Edi Ramën e shoqëronin 150 persona, pjesë e të cilëve ishin ministra, deputetë, gazetarë dhe këngëtarë.

Por në këtë grup bënin pjesë edhe zyrtarë apo militantë socialistë, që ishin porositur të udhëtonin deri në Athinë për të mbushur karriget bosh.

“Piranja” tregon me rast konkret sesi një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin fierakë që po zbatonin porosinë.

Biseda në stadiumin “Galatsi” mes gazetarit dhe një prej të pranishmëve:

Gazetari: Nga të kemi?

Drejtori i teatrit në Fier: Nga Fieri.

Gazetari: Keni ardhur shumë nga Fieri?

Drejtori i teatrit në Fier: Sa të duash ka.

Gazetari: Paskeni ardhur me rini, e paskeni bllokuar krejt. Me ça merreni?

Drejtori i teatrit në Fier: Unë jam drejtor i teatrit të Fietit. Këta janë çunat tanë të qendrave kulturore.

Gazetari: Me dëshirë apo…

Drejtori i teatrit në Fier: Të dyja bashkë. Si gjithë estrada. E bëre fotografinë, i thua ja isha. Në rregull vëlla, mirupafshim.