zoom

Aktualitet

Ekzekutimi i Gentjan Bejtjas në atentat, hetuesit dyshojnë se tradhtoi dhe u tradhtua

Kur vitin e kaluar i vranë kunatin në pritë afër banesës dhe vetë shpëtoi i plagosur lehtë, hetuesit hodhën hipotezën se Gentjan bejtja ishte sulmuar nga armiqtë e “mbretit të kumarit”, Ervis Martinaj, atë kohë i deklaruar i zhdukur.

Ekspertët besonin tek hakmarrja dhe larja e hesapeve, apo spastrimi i grupit të biznesmenit, që kishte bërë shumë armiq. Një nga hipotezat ishte se Martinaj i kishte dhënë Bejtjas edhe makinën e tij të blinduar, që të mbrohej.

Nga ana tjetër Bejtja kishte armiqësi dhe me grupet e Fushë-Krujës dhe Krujës, këta miq të krahut tjetër të Indrit Dokles sipas hetimeve. Kurse pas atentatit të djeshëm, janë ngritur dyshime se Bejtja mund të kishte dekonspiruar lëvizjet e Brilant Martinajt korrikun e vitit 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe mbrëmë të ishte tradhtuar nga dikush tjetër në lëvizjet e tij, pasi qëndroi 8 muaj i fshehur mirë nga hasmi.

Pra pista kryesore mbetet tradhtia ndaj grupit të Martinajt në masakrën me 3 të vrarë dhe në fund tradhtimi nga të tijtë, edhe pse nuk ka ende prova dhe të arrestuar.

Gentjan Bejtjaj, një emër i njohur i botës së krimit në zonën e Fushë Krujës u ekzekutua pasditen e djeshme me breshëri plumbash automatiku, në afërsi të banesës së tij.

Prej atentatit të vitit të shkuar, Bejtjaj nuk kishte qëndruar në banesë, por dyshohet se fshihej në zonën e Lezhës derisa ditën ka vendosur të rikthehet. Ai ka hyrë nga pjesa e pasme e banesës, një tentativë kjo për të shmangur një atentat të mundshëm, por ka qenë pikërisht ky moment kur autorët i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar me breshëri plumbash.

Ka dyshime të forta që Bejtja mund të jetë tradhtuar nga persona të afërt me të, për sa kohë vrasësit e kanë ditur me saktësi se kur do të kthehej në banesë dhe për pasojë kanë vendosur ta eliminojnë.

Duke qenë një person i dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale, por asnjëherë i dënuar për shkak të mungesës së provave. Për këtë arsye, para hetuesve ka shumë pista hetimore, çka vështirëson përpjekjet për zbardhjen e krimit. Përveç rastit të vjedhjes së makinës BMW në vitin 2012 në Durrës, që u përdor në atentatin ndaj komisarit Dritan Lamaj, më 2013 te “Vasil Shanto”.

I konsideruar si një personazh kontrovers, Gentjan Bejtja u përfshi në përplasje të forta me vëllezërit Valter dhe Durim Bami që pas zhdukjes së Enver Stafukës në vitin 2015, i cili kishte zbardhur shumë ngjarje kriminale.

Ndërkohë, Bejtja është dyshuar si i përfshirë edhe në atentatin ndaj Marklen Hakës në vitin 2019, ku mbeti e vdekur halla e tij. Edhe me Hakën, Bejtja ka pasur përplasje të forta.

Gjithashtu, ka pasur dyshime të forta edhe për përfshirjen e tij në vrasjen e biznesmenit të kromit, Iliaz Çalit, me të cilin kishte marrëdhënie miqësore dhe ka qenë ndër të fundit që ka biseduar me të para se të vritet rreth dy vite më parë.

Ndërkaq, Bejtja është skeduar edhe për masakrën e mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj dhe dy shokë të tij. Ndaj, një nga pistat kryesore e vrasjes është motive hakmarrje për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale. /ZOOM.AL/