zoom

Lajme

Meta: Dënimi i Belerit tregon kapjen e shtetit nga Rama, vendi po rrëshket nga binarët!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbajti sot një konferencë për media, referuar rezolutës së Partisë Popullore Europiane.

Ish-presidenti u ndal edhe tek çështja “Beleri”, ku tha se arrestimi i tij është një arrestim politik dhe tregon kapjen e drejtësisë dhe policisë nga kryeministri Edi Rama.

Meta shtoi se narkoshteti ka dhunuar të drejtat e liritë themelore të njeriut dhe ka asgjësuar sistemin e kontrollit të balancave.

“Rezoluta e miratuar nga Partia Popullore Europiane shpreh shqetësimet e PL. Narkoshteti ka dhunuar të drejtat e liritë themelore të njeriut, ka asgjësuar sistemin e kontrollit të balancave.

PL përshëndet qëndrimin e PPE dhe ndan të njëjtat shqetësime për rrëshqitjen e vendit nga binarët e demokracisë. PL i bashkohet thirrjes për zbatimin e të drejtave parlamentare të opozitës. Ndajmë të njëjtin qëndrim se neglizhimi i të drejtave të njeriut dhe korrupsioni i përhapur do minojnë rrugën drejt anëtarësimit në BE”, tha Meta.

Teksa më tej kaloi edhe tek vendimi i GJKKO për dënimin me 2 vite burg të Belerit.

“PL, ashtu siç theksohet edhe në rezolutë, qëndron ashpër qëndrimet e qeverisë në rastin e Belerit dhe ndërhyrjen në drejtësi, arrestimin politik të tij.

Çështja Beleri, tregues i kapjes së drejtësisë dhe policisë nga Rama. E përkrahim vlerësimin e PPE se kjo cështje evidenton probleme serioze”, tha ai.

Belerit me vendimin e marrë, tashmë i duhet të vuajë edhe të paktën 9 muaj izolim, teksa si i dënuar, nëse merr edhe formë të prerë, humbet mandatin e kryebashkiakut. /ZOOM.AL/