Aplikacion
Sipas GJKKO, vuajtja e dënimit për Fredi Belerin nis që nga dita kur është arrestuar, pra më 12 maj 2023. GJKKO thotë se dënimin do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Fredi Beleri po qëndron në paraburgim që prej zgjedhjeve të majit të vitit 2023, që do të thotë se i kanë mbetur rreth 9 muaj dënim për të shlyer në qeli. Kjo për shkak se ditët e paraburgimit llogariten si një ditë e gjysmë në qelinë normale të burgut. paralelisht do pritet edhe vendimi i Apelit, ku do kërkohet pafajësi.
GJKKO vendosi ta dënojë me 2 vjet burg të zgjedhurin e himarjotëve për kryetar bashkie, ndërsa po dje GJKKO dënoi 1.6 vjet burg Pandeli Kokaveshin, por dënimi me burg për të është pezulluar dhe do të qëndrojë 3 vjet në shërbim prove. Dënimi alternativ për Kokaveshin u vendos për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Në fakt, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dy vjet e gjysmë burg për Belerin, nën akuzën e blerjes së 8 votave për shumën prej 40 mijë lekësh. Seanca kaloi mes debateve mes të pandehurit dhe gjyqtarit, para se sa trupa të tërhiqej për vendim, ndërkohë jashtë prisnin mbështetësit e kryebashkiakut të Himarës, të cilët kanë reaguar në kor pas dhënies së vendimit për dënimin e tij.
Vetëm pak çaste pas dhënies së vendimit për dënimin e Fredi Belerit, GJKKO me anë të një njoftimi për mediat ka sjellë edhe vendimin e plotë të marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga tre gjyqtarë.
VENDIMI I PLOTË i GJKKO:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 31.07.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Dhionisios Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, me vendimin Nr. 14, datë 05.03.2024 vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Kokaveshi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të K. Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin Pandeli Kokaveshi në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.
Në zbatim të nenit 261/ 1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit Pandeli Kokaveshi me vendimin Nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Deklarimin fajtor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dhionisios Alfred Beleri, fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumen totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit”.
Seanca për dhënien e vendimit
Në materialin e lexuar në Gjykatën e Posaçme, Fredi Beleri ka paraqitur një mori faktesh që sipas tij rrëzojnë të gjitha akuzat, ose më saktë, tregojnë se gjithë dosja për të është e sajuar. Ai ndalet te një datë, ku sipas tij, është hartuar plani i arrestimit para zgjedhjeve, me idenë se do ta humbte garën dhe më pas të lirohej. Ai i tha gjykatës se plani është hartuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, më 10 maj.
“Por, – thotë Beleriplanin e lirimit tim, e prishi elektorati himarjot që më dha votat, e për pasojë, unë jam në kafazin e gjykatës”! Duke iu referuar materialit të plotë të fjalës së tij mbajtur dje në GJKKO, shihen të radhitura me pika të gjitha shkeljet e sajesat që ai pretendon që janë bërë; që nga gjetja e një dëshmitari të rremë, “i dënuar për mashtrim dhe vjedhje” e deri tek qëllimet e kryeministrit Edi Rama për të zaptuar Himarën. Por në këtë material, duket se Beleri është i bindur në vendimin e dënimit dhe po kaq hapur lexohet këmbëngulja e tij për ta gjetur pafajësinë në të gjitha gjykatat e mundshme, një paralajmërim që çështja e tij mund të drejtohet edhe në Gjykatën Ndërkombëtare. Sjellim pjesë nga materiali i lexuar prej tij, që kanë të bëjnë me fakte dhe me atë që ai e quan hartim plani për arrestimin e tij.
KUNDËRSHTIMI I PËRGJIMIT
Beleri flet me emra dhe hedh akuza mbi personat që, sipas tij, kanë kopsitur të gjithë materialin hetimor: “Kundërshtuam përgjimin se prokuroria i kishte bërë letrat pas arrestimit tim dhe i ka dorëzuar në gjykatë jashtë afatit. Gjykata e Posaçme e Apelit në një gjykim të filluar me ankimin tim, e pranon që kërkesa e prokurorisë është pa orar, por i kërkon Prokurorisë Vlorë, më dërgo një regjistër ku të jetë shënuar ora e dorëzimit të kërkesës në gjykatë. Pra, i tregon prokurorisë, gjej një regjistër e shëno orën e ma dërgo. Dhe prokurorja Matilda Peza e gjeti një protokoll ku një punonjës anonim i gjykatës së Vlorës, ku kryetar është i vëllai, Enkel Peza, hodhi një firmë, pa emër e mbiemër. Me kaq, një regjistër pa vlerë, me një firmë anonime, shërbeu për të ligjëruar veprimet e policisë pa vendim gjykate.
Nuk i bëri përshtypje askujt që del sekretarja në punë në orën 12 të natës, për një kërkesë që sikur është dorëzuar në orën 14/45 të ditës, një veprim ky që do të kryhej prej saj vetëm me urdhër të kryetarit, vëllait të prokurores, Peza. I kemi kërkuar këtij kryetari regjistrin e përgjimeve, emrin e punonjësit që ka firmosur në protokollin e prokurorisë, por refuzon të përgjigjet, normalisht do mbulojë të motrën. Dhe nga ju është konsideruar veprim normal, nuk pranuat kërkesën time që t`i kërkonit ju informacion Gjykatës së Vlorës. /ZOOM.AL/