Aplikacion
Por a mund ta thuash të vërtetën në këtë vend pa qenë as pro apo kundër amerikaneve, qeverisë dhe opozitës dhe as kundër nevojës për ndryshime në një sistem, cilidoqoftë ai, i drejtësisë, shëndetësisë, arsimit etj?
Në këto 9 vite nga miratimi i reformës kemi parë gjyqtarë e prokurorë të ndershëm të largohen bashkë me të korruptuarit (kanë fituar edhe gjyqet në Strasburg), kemi parë të korruptuar dhe të pasuruar në forma të dyshimta që janë kualifikuar.
Kemi parë ndërkombëtaët e ONM (Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit) të çirren kur vetting-asit vendas kanë mbyllur sytë para fakteve ulëritëse të ndonjë magjistrati që nuk e argumenton dot se si i bëri milionat dhe si i ndërtoi vilat apartamentet luksoze.
Tani pamë Irena Gjokën, një gjyqtare të GJKKO-së të denoncuar nga opozita dhe së fundi nga gazeta greke Ta Nea se ka qenë e arrestuar në Greqi se ka falsifikuar një vizë në vitin 2000.
Por ajo që po shohim pas këtyre denoncimeve është një tjetër skandal më i madh. Irena Gjoka mund të ketë pasur nevojën për të kaluar në Greqi në kohën kur të merrje një vizë ishte thuajse si të kërkoje sot një biletë për në Hënë, ashtu siç kanë bërë shumë shqiptarë duke kaluar malit në këmbë apo me letra false, ndonëse Irenës i duhej falsifikimi për të marrë dokumentet greke dhe jo për të emigruar si pasojë e vështirësive ekonomike apo ndonjë fenomeni tjetër social.
Por të shohësh sot kupolën e drejtësisë të mos lëvizë as gishtin më të vogël përballë këtyre denoncimeve është uleritëse.
Këshilli i Lartë Gjyqësor doli dje me një deklaratë ku kërkonte që gjyqtarja të mos sulmohej. Por KLGJ së paku do të duhej ta kishte pezulluar gjyqtaren derisa të hidhej dritë mbi këto denoncime, nëse ishin të vërteta apo jo.
KLGJ dhe institucionet e tjera të drejtësisë së re do të duhet t’i kishin kërkuar Greqisë materialet e ndalimit dhe procedimit të saj. Gazeta greke Ta Nea thotë se Irena Gjoka ka kaluar edhe në një proces gjyqësor dhe të gjesh dokumentet e këtij procesi nuk është ndonjë vështirësi e madhe.
Organet shqiptare kanë arritur të gjejnë edhe deputetë me patenta të falsifikuara në Greqi në procesin e dekriminalizimit dhe i kanë përdorur këto gjetje për t’i larguar nga parlamenti.
Por për Irena Gjokën, përse nuk ndiqet i njëjti standard? Ta Nea thotë se gjyqtarja Gjoka është e kontrolluar nga Rama, pas i detyrohet mirënjohje që e vendosi në pozicionin e gjyqtares së GJKKO-së pavarësisht falsifikimit që kishte bërë në dokumenta zyrtare.
Nëse kjo është e vërtetë, Irena Gjoka na bëri ta shohim drejtësinë e re ashtu siç është, si mbreti që ne e shohim se është lakuriq, por për shkak se mërziten partnerët ndërkombëtarë, nuk duhet ta themi./Zoom.al