zoom

Bota

Lufta Rusi-Ukrainë, kryeministri sllovak: S’ka zgjidhje ushtarake për konfliktin

Kryeministri sllovak, Robert Fico, paralajmëroi ndaj një “përshkallëzimi të rrezikshëm të tensioneve” me Rusinë. Sfondi i kësaj deklarate lidhet me Konferencën e Mbështetësve të Ukrainës në Paris, agjenda e së cilës “të bën të dridhesh deri në palcë nga frika”, u tha gazetarëve në Bratislavë kreu i qeverisë nacionaliste të majtë.

Pas sinjaleve të pasigurisë lidhur me luftën në Ukrainë, që u shfaqën në Konferencën e Sigurisë së Mynihut dy javë më parë, presidenti francez ftoi  në Paris krerë e shteteve dhe të qeverive të BE-së për një konferencën solidariteti me Ukrainën.

Macron mendon se Perëndimi duhet t’i japë Rusisë një sinjal të qartë se dëshiron ta zmbrapsë agresionin rus dhe se në asnjë rrethanë nuk do ta lejojë Ukrainën të dështojë ose të dorëzohet.

Rrezik për zgjerimin e konfliktit

Kryeministri sllovak, Robert Fico, tha se vende të caktuara, të cilat ai nuk donte t’i përmendte me emër, me sa duket janë të gatshme të dërgojnë ushtarët e tyre direkt në Ukrainë. Sipas kryeministrit sllovak një gjë e tillë nuk do ta bindte Rusinë të dorëzohej, por përkundrazi do të rriste sigurisht rrezikun e zgjerimit të konfliktit.

Ndryshe nga vendet më larg zonës së luftës, Sllovakia, e cila kufizohet drejtpërdrejt me Ukrainën, ndoshta mund të kërcënohet drejtpërdrejt, paralajmëroi Fico. Prandaj, dërgimi i ushtarëve të saj në shtetin fqinj as nuk shtrohet fare për diskutim për qeverinë e tij.

Fico: Nuk ka “zgjidhje ushtarake” për konfliktin Rusi-Ukrainë

Fico kujtoi se Sllovakia nuk ka më mbrojtje ajrore, sepse si sistemin raketor të mbrojtjes ajrore S-300 ashtu edhe avionët e saj luftarakë MiG-29 ia ka dhënë Ukrainës. Është e padiskutueshme se sulmi rus ndaj Ukrainës ishte një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar.

Por strategjia e mëparshme ushtarake e Perëndimit nuk ka sjellë çlirimin e territoreve të pushtuara. Nuk ka “zgjidhje ushtarake” për konfliktin. Në vend të kësaj, një grup shtetesh të BE-së duhet të përpiqen të fillojnë bisedimet me Rusinë. Kjo është mënyra e vetme për ta shpëtuar Ukrainën nga më shumë shkatërrime dhe vdekje dhe për të parandaluar përhapjen e luftës, tha Fico.

Macron: Rusia nuk duhet ta fitojë luftën

Gjatë konferencës për ndihma për Ukrainën që po zhvillohet në Paris, presidenti francez Emmanuel Macron, bëri thirrje për më shumë armë dhe burime për Ukrainën. “Përfundimi i përgjithshëm sot është se siguria e të gjithë neve është në rrezik”, tha Macron në Pallatin Élysée përpara 20 krerëve të shteteve dhe të qeverive, ndët të cilët edhe kancelari Olaf Scholz . Qëndrimi i Rusisë po forcohet si në nivelin politik ashtu edhe në frontin e Ukrainës, ku ekziston rreziku i sulmeve të reja ruse./DW

Postime të lidhura