Aplikacion
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha bashkatdhetarëve të vet përmes një videoje nga një aeroport i Kievit, i cili ishte skenë e luftimeve të ashpra në fillimit të pushtimit, se dy vjet luftime të vështira nënkuptojnë se “ne jemi edhe 730 ditë larg fitores”.
“Dy vjet më parë, ne e takuam këtu një forcë zbarkuese armike dhe [iu përgjigjëm] me zjarr”, tha Zelensky, para se të shtonte duke iu referuar vizitës së shumë liderëve të huaj në Ukrainë për ta shënuar dyvjetorin se “dy vjet më vonë, ne i takojmë këtu miqtë dhe partnerët tanë”.
Ai theksoi se është e rëndësishme që lufta të përfundojë “sipas kushteve tona”.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës, Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën.
Para mbërritjes në Ukrainë, Trudeau shkroi në X se Kanadaja dhe aleatët “i dërgojnë mesazh të qartë [Rusisë]: Ukraina nuk do të mposhtet në luftën e jashtëligjshme të Putinit”.
Liderët perëndimorë i kanë dërguar mesazhe të shumta mbështetëse Ukrainës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e lartësoi vendosmërinë e ukrainasve dhe tha se “një koalicion i paparë global i përbërë nga 50 vende në mbështetje të Ukrainës, i udhëhequr nga SHBA-ja, mbetet i përkushtuar për t’i dhënë ndihmë jetike Ukrainës dhe për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj”.
Kryeministri i porsazgjedhur i Polonisë, Donlad Tusk, tha: “Dy vjet të heroizmit ukrainas. Dy vjet të barbarizmit rus. Dy vjet turpi për ata që rrinë indiferent”.
Maia Sandu, presidentja e fqinjit të Ukrainës, Moldavisë, ku ka shqetësime të mëdha dhe nga ku ka refuzuar të largohet një kontingjent i trupave ruse, i falënderoi ukrainasit “për luftën e tyre të palodhshme për liri dhe për mbrojtjen e paqes edhe në Moldavi”.
“Në këto dy vjet, bota e lirë ka treguar solidaritet të paparë, dhe derisa lufta vazhdon, mbështetja jonë duket të vazhdojë të jetë e fuqishme”, shkroi ajo në rrjetin social X.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, tha: “Ne duhet ta ripërtërijmë vendosmërinë tonë… në këtë përvjetor të zymtë. Kjo është koha për të treguar se tirania nuk do të fitojë kurrë dhe për të thënë përsëri se ne do t’i qëndrojmë përkrah Ukrainës sot dhe në të ardhmen”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, në një deklaratë për të shënuar përvjetorin, tha se duke e sulmuar Ukrainën, Rusia “po e shkatërron gjithashtu paqen në Evropë”. Ai u bëri thirrje gjermanëve dhe të gjithë evropianëve që “të bëjnë edhe më shumë, në mënyrë që ne të mund të mbrohemi në mënyrë efektive”.
Meloni dhe Trudeau pritet të nënshkruajnë pakte të sigurisë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër në Kiev, në përputhje me marrëveshjet e arritura së fundmi me Francën dhe Gjermaninë, të cilat kapin vlerën e miliarda dollarëve.
Megjithatë, pakoja me ndihmë prej 61 miliardë dollarë nga presidenti amerikan, Joe Biden, është duke u bllokuar nga republikanët në Kongresin amerikan, duke i zbehur shpresat e Kievit për ta zmbrapsur një ushtri ruse shumë më të madhe, më të mirë dhe të furnizuar më mirë.
Kur tanket dhe këmbësoria ruse u futën matanë kufirit para agimit më 24 shkurt 2022, 40 milionë banorët e Ukrainës i tejkaluan pritjet – si dhe planin më të mirë të Kremlinit – duke u mbajtur fort dhe duke e shmangur disfatën që shumë njerëz e prisnin.
Të premten, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian njoftuan për runde të reja të qindra sanksioneve kundër Rusisë dhe zyrtarëve përgjegjës për luftën.
Ukrainasit kanë luftuar ashpër preje se Rusia e filloi pushtimin me qindra mijëra trupave më 24 shkurt 2022, pasi presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të hidhte dyshime mbi kombësinë ukrainase dhe përfundimisht tha se qëllimi i Moskës ishte “denazifikimi” dhe çmilitarizimi i Qeverisë së Ukrainës
Por ishte gjithashtu kulmi i një grabitjeje toke që kishte filluar tetë vjet më parë në vitin 2014, kur Rusia pushtoi fshehurazi dhe më pas aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe filloi t’i mbështesë shumë separatistët e armatosur ukrainas në Ukrainën lindore.
Kombet e Bashkuara kanë votuar me shumicë dërrmuese për të mbështetur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
Bashkimi Evropian arriti të kalojë paketën e tij të ndihmës prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën në fillim të këtij muaji, pavarësisht hezitimit nga Hungaria dhe fjalëve për lodhjen e Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha në një deklaratë të regjistruar për përvjetorin se “situata në fushën e betejës mbetet jashtëzakonisht serioze” dhe “qëllimi i presidentit Putin për ta mbizotëruar Ukrainën nuk ka ndryshuar dhe nuk ka indikacione se ai po përgatitet për paqen. Por, ne nuk duhet ta humbim shpresën”.
Në fillim të kësaj jave, Stoltenberg i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se aleanca është një përparësi që as Rusia dhe as Kina nuk mund ta kenë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 23 shkurt, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se “qëllimi i Rusisë është të shkatërrojë Ukrainën dhe ata janë mjaft të hapur për këtë”, duke shtuar se “arsyeja e vetme për këtë luftë ka qenë dhe mbetet që Rusia t’ia mohojë Ukrainës të drejtën për të ekzistuar, si dhe pushtimi i vazhdueshëm kolonial i saj.”
Forcat ruse javën e kaluar pushtuan qytetin kryesisht të shkatërruar lindor të Avdivka, ndërsa trupat e mbetura ukrainase u tërhoqën për shkak të mungesës së municionit dhe armëve, duke ia mundësuar Moskës të fitojë territor të rëndësishëm pas gati një viti.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Kongresit amerikan ta kalojë një pako prej 60 miliardë dollarësh ndihmë për vendin e tij, për t’u mbrojtur kundër forcave pushtuese të Rusisë, duke thënë se kjo është alternativë më e lirë sesa pasojat e një fitoreje ruse.
Në një intervistë për televizionin konservator Fox Neës më 22 shkurt, dy ditë para përvjetorit të dytë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia – Zelensky paralajmëroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të futet edhe më thellë në Evropën Lindore nëse e zapton Ukrainën./REL