zoom

Aktualitet

Ndërtonte dhe i shiste bomba C4 me telekomandë grupeve kriminale, arrestohet 45-vjeçari (EMRI)

Një bazë e ndërtimit të bombave me telekomandë u godit sot nga Policia e Lezhës, teksa autori i arrestuar dyshohet se punonte për grupe kriminale, të cilave ua shiste deri në 3 mijë euro copa.

Në pranga ka rënë një 45-vjeçar, i identifikuar si Ilir Gjoka, teksa u sekuestruan eksploziv C4 dhe pajisje të tjera për ndërtim dhe montim.

Policia tha se ka parandaluar të tjera ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë, duke finalizuar operacionin e koduar “New Start”.

“Sekuestrohen 3 mina me telekomandë për shpërthim në distancë, të cilat 45-vjeçari i kishte fshehur në trup, dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa që iu gjet këtij shtetasi, në momentin e arrestimit.

3 ditë më parë, Policia e Mirditës sekuestroi 2 mina të tjera me telekomandë dhe 1 kallashnikov, si dhe vuri në pranga poseduesin e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Aksioni u bë nga shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”.

“Në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar Ilir Gjoka., i cili mund të transportonte minat me telekomandë dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar.

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë, dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale, për kryerjen e krimeve kundër personit”, tha policia.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë i dyshuari banues në Lezhë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 minat (të montuara me celularë) dhe sasia e cannabisit.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, sqaroi policia vendore. /ZOOM.AL/