Aplikacion
Dy ditë më parë, aeroporti priti pasagjerin e 7 miliontë, që në fakt parashikohej të ndodhte pas 5 vitesh, duke konfirmuar se rrjedhimisht edhe fitimet kanë kaluar pritshmëritë.
Mbështetur në këto shifra, Zoom.al ka analizuar disa herë nevojën e rishikimit të kontratës dhe domdosdoshmërinë e rinegociimit të saj. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe vetë kreu i Aviacionit Civil.
Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj tha në një intervistë se masterplani i vjetër i aeroportit nuk është më funksional dhe duhet të krijohet një i ri.
“Trafiku i këtij viti ishte parashikuar për në vitin 2033. Që do të thotë se masterplani nuk ekziston më dhe duhet të punojmë për masterplanin e ri” deklaroi Ethemaj duke shtuar se do të duhet që të gjendet zgjidhje nëse do të ketë nevojë për shtesë terminali apo për terminal të ri.
Kastrati premtoi zgjerimin e kapaciteteve të aeroportit që kur u bë ‘pronar’ i tij në 2021-shin, por nuk ndodhi.
Pavarësisht premtimit për investim që kapte shifrën 100 milionë euro, fluksi i këtij viti e gjeti aeroportin të papërgatitur. Për këtë arsye, ky i fundit njoftoi udhëtarët se duhej të paraqiteshin tre orë para fluturimit, nga dy orë që është standardi normal kudo në botë. Përcaktuar edhe në kontratë, kompania duhet të ndërtonte një terminal të ri, por ajo ndau në dysh terminalin e vjetër, me kosto minimale. As pista e avionëve nuk është prekur.
Gjithsesi, miliona pasagjerët që udhëtuan këtë vit nëpërmjet Rinasit nuk ishin edhe aq surprizë. Që vitin e shkuar qeveria thoshte se Shqipëria është tashmë një destinacion turistik global dhe ardhja e turistëve në 2023-shin do të dyfishohet. Në një perspektivë të tillë ku nuk u mor asnjë masë, ose qeveria nuk ka besuar vetë fjalët e saj ose nuk ka mundur të bëjë Kastratin të zbatojë kontratën./Zoom.al