Aplikacion
Ministrisë së Infrastrukturës, si palë në firmosjen e kontratës, iu kërkua nëse ishin bërë investimet e parashikuara prej 99 milionë eurosh; nëse jo, sa ishte përqindja e investimit të kryer?
Por edhe pse bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, Ministria e Infrastrukturës nuk dha asnjë përgigjje.
Asaj iu kërkuan po ashtu edhe afatet e kryerjes së punimeve, duke qenë se anekset e kontratës ku parashikohen afatet, nuk janë bërë publike.
Ministria e Infrastrukturës u pyet po ashtu nga Zoom.al se mbi çfarë analize ishte vendosur se Aeroporti kishte nevojë për 99 milionë euro investime dhe nëse ishte në dijeni që ky investim po i kthehej brenda 3 vitesh, me të ardhurat e deklaraura me rreth 40 milionë euro në vit.
Ministria u pyet edhe nëse do të kërkonte rishikim të kontratës, përsa u përket taksave dhe kohëzgjatjes së saj, për shkak se nëse investimi kthehej për 3 vite, përse do të duhej që kontrata të vazhdonte edhe për 17 vjet të tjera, për një total prej 20 vjetësh?
Por as për këto pyetje, Ministria e Infrastrukturës nuk dha përgjigje.
Zoom.al e ka diskutuar këtë kontratë me ekspertë të ndryshëm, të cilët mendojnë se zgjatja e kontratës koncesionare të Aeroportit të Tiranës në 20 vjet ishte e panevojshme.
Sipas tyre, përllogaritjet tregojnë që në fund të 20 vjetëve, kompania që ka koncesionin, “Kastrati Group”, do të ketë mes 600 dhe 700 milionë eurove fitime, përveç investimit të kryer prej tyre.
Ekspertët kanë analizuar edhe investimet e kryera, duke i krahasuar me përcaktimet në kontratën e votuar nga socialistët në parlament. Sipas tyre, kontrata parashikon një zgjerim të terminalit dhe jo ndarje të terminalit ekzistues në dy kate.
Ministria e Infrastrukturës është institucioni që do të duhej ta skanonte zbatimin e kontratës dhe të kërkonte penalizime nëse do të kishte ndryshime. Por deri tani ajo nuk ka asnjë të dhënë publike nëse e ka kryer një proces të tillë. Ajo vendosi të heshtë përballë pyetjeve të Zoom.al që përbëjnë interes për publikun dhe taksapaguesit.
Por ky dikaster nuk është i vetmi që hesht mbi kontratën e majme të koncesionit të Aeroportit të Tiranës.
Zoom.al iu drejtua me kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Financave. Edhe kjo ministri u pyet nëse kishte dijeni për volumin e investimeve të kryera në aeroport, nëse ishin investuar 99 milionë eurot e parashikuara në kontratë, mbi ç’analizë u vendos që aeroporti kishte nevojë për 99 milionë euro investime dhe jo më pak, a ishte në dijenj që investimi i premtuar prej 99 milionë eurosh, që u bë shkak për shtimin e kontratës me 13 vjet të tjera, duke e çuar në 20 vjet, është shlyer nga të ardhurat e vetëm 3 viteve, a do të kërkojë ministria e Financave ndryshim të kontratës për të ulur vitet e shfrytëzimit nga kompania koncesioanare, duke qenë se të ardhurat nga aeroporti janë mbi 30 milionë euro në vit dhe investimi prej 99 milionë eurosh shlyhet brenda 3 vitesh, a do të kërkojë Ministria e Financave taksa shtesë apo rritje të taksave ekzistuese për këtë koncesion, me qëllim që një pjesë e këtyre fitimeve të shkojnë edhe në arkën e shtetit, duke parë që fitimet e kompanisë koncesionare janë disa herë më shumë sesa kishte parashikuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë para firmosjes së kontratës?
Por as nga kjo ministri Zoom.al nuk mori asnjë përgjigje për pyetjet e dërguara me 3 tetor. Për këtë arsye Zoom.al i është drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit që t’i detyrojë dy ministritë të zbatojnë ligjin dhe të bëjnë transparencën e njërës prej kontratave më të rëndësishme koncesionare që ka miratuar Parlamenti.
Çfarë fshehin dy ministritë?
Ekspertët e kontaktuar nga Zoom.al shpjegojnë se dy dikateret janë në vështirësi, për shkak se, siç tregojnë punimet e kryera nga kompania koncesionare në Rinas, detyrimet e përcaktuara në kontratë janë shkelur.
Po ashtu, të ardhurat e deklaruara nga “Kastrati Group” për vitet 2021 dhe 2022, kanë nxjerrë në pah se kohëzgjatja e kontratës me 20 vjet nuk ishte e arsyeshme, për shkak se do të mjaftonin vetëm 7 vitet që i kishin ngelur nga kompania kineze që të kryente investimet prej 99 milionë eurosh dhe të merrte mbrapsht fitimin e parashikuar.
Gjithashtu, sipas ekspertëve, ka dyshime të arsyeshme që në Aeroportin e Tiranës, jo vetëm janë shkelur detyrimet e përcaktuara përsa i përket infratrukturës, por edhe kostot mund të mos jenë reale.
Zoom.al iu drejtua institucioneve shtetërore për të marrë informacion, me qëllimin për të hedhur dritë mbi të gjitha këto dyshime. Mbajtja sekret e një informacioni që sipas ligjit nuk përbën sekret shtetëror, vetëm sa i shton pikëpyetjet dhe i implikon më shumë institucionet në një kontratë, mbi të cilën hijet e dyshimit sa vijnë e zgjaten. /Zoom.al