zoom

Ide & Blog

Si ngrihen dhe bien oligarkët e sotëm

Cilido që i mendon oligarkët si një fenomen ekskluzivisht post-sovjetik, duhet të mos harrojë se përkufizimi origjinal mbi të na vjen nga Aristoteli gati 2400 vjet më parë: “Kudo ku njerëzit sundojnë për shkak të pasurisë së tyre, qofshin ata pak apo shumë, atëherë kjo është një oligarki”

Oligarkët janë një kategori e përjetshme, e cila tani po përhapet në mbarë botën, në Perëndim dhe në Lindje. Shumë prej tyre drejtojnë shtete. E megjithatë, oligarkët janë çuditërisht pak të studiuar thotë David Lingelbach, që bashkë me Valentina Rodríguez Guerra-n ka shkruar një libër të ri me titull “Sundimi i Oligarkëve”, që e ripërpunon përkufizimin klasik të Aristotelit.

Autorët e librit thonë se një oligark “është dikush që siguron dhe riprodhon pasurinë apo pushtetin, më pas transformon njërën në tjetrën”. Atëherë çfarë e bën një person oligark, sidomos sot? Së pari, oligarkët nuk janë thjesht manjatë. Ata janë biznesmenë të pasur, të cilët mund të mos kenë asnjë pushtet politik.

Lingelbach thotë se Elon Musk u shndërrua nga manjat në oligark kur bleu Twitter vitin e kaluar. Kompania e njohur e mediave sociale, tani e riemërtuar X, orienton gjerësisht opinionin publik mbi ngjarjet nga Ukraina në Izrael, shpeshherë duke përhapur lajme të rreme.

“Sot Musk është një nga 5 ose 10 oligarkët më të rëndësishëm në botën tonë”- shton Lingelbach. Dy studiuesit i ndajnë oligarkët në disa kategori. “Oligarkët e biznesit” si Musk e kthejnë pasurinë në pushtet politik, ndërsa “oligarkët politikë” ecin në anën e kundërt.

Një shembull klasik i kësaj të fundit, është Vladimir Putin, “një miliarder me armë bërthamore” siç theksohet në libër. Presidentët oligarkë kanë fuqi vendimmarrëse, influencuesit oligarkë si Rupert Murdoch, Charles Koch dhe George Soros diktojnë axhenda, ndërsa pronarët e platformave si Musk, Mark Zuckerberg dhe Larry Page i Google drejtojnë rrjedhën e informacionit që depërton në trurin tonë.

Mbi të gjitha, argumenton libri oligarkët janë shumë oportunistë. Ata kapin shansin e tyre të madh, i cili shpesh lind pa u vënë re nga njerëzit e zakonshëm gjatë kohërave të trazirave. “Për oligarkët, historia shkruhet në prapaskenë”-shkruajnë autorët.

Oligarkët kanë “miq me përfitime”, gjë që do të thotë se ata përdorin dhe më pas i flakin si “limona të shtrydhur” partnerët e përkohshëm. Kështu u sollën Putin dhe Roman Abramovich me mikun e tyre oligark Boris Berezovsky, që më vonë u gjet i varur në shtëpinë e tij në Ascot, Angli.

Po ashtu, mbretërimi i një oligarku është shpesh i shkurtër, dhe ai është përgjithësisht i rrethuar nga truprojat. Oligarkët që pasurohen në vende të rrezikshme, zhvendosen zakonisht në vende më të sigurta, sidomos në Londër. Shumica e oligarkëve kryesorë të sotëm u shfaqën në skenë gjatë një periudhe trazirash:vitet 1990.

Shitja e aseteve të ish-Bashkimit Sovjetik në atë dekadë, ishte “ndoshta transferimi i vetëm më i madh i aseteve në historinë e njerëzimit” shkroi në librin e saj “Plutokratët” Chrystia Freeland, sot Ministre e Financave në Kanada. Shtatë oligarkë vendosën nën kontroll mbi gjysmën e ekonomisë ruse.

Pikërisht në atë kohë, fjala “oligark” hyri në fjalorin e zakonshëm të rusëve. Këto zhvillime në Rusi, përkuan me ndryshimet që ishin në favor të oligarkëve diku tjetër:globalizimi, shfaqja e internetit dhe zhvillimi i vrullshëm i televizioneve private, të financuara fuqishëm nga Murdoch dhe Silvio Berlusconi, një oligark i rrallë nga Evropa Perëndimore kryesisht social-demokrate.

Zgjedhja e Berlusconit si kryeministër i Italisë në vitin 1994, tregoi një admirim popullor për oligarkët. Kjo ishte parashikuar gati 200 vite më parë nga prej Etërve Themelues të SHBA-së John Adams. Frika e tij më e madhe nuk ishte një mbret tiranik, por një oligarki.

Këtë shekull, pasuritë e invidëve janë rritur më shumë se sa mund të ishte imagjinuar ndonjëherë. Në vitet 1940, oligarku kinez Soong “besohej të ishte personi më i pasur në botë me një vlerë neto prej 600 milionë dollarësh me kursin e sotëm”. Ndërkohë pasuria neto e Musk është sot rreth 207 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, numri i oligarkëve që janë kryetarë shtetesh apo qeverish është rritur nga 3 në vitin 1988, në më shumë se 20 sot. Në një demokraci, oligarkët zgjedhin shpesh kandidatët politikë përmes donacioneve. Ashtu si oligarkët rusë rizgjodhën Boris Yeltsin në vitin 1996, Peter Thiel mbështeti Donald Trump në presidencialet e 2016-ës.

Po ashtu, ata mund të diktojnë opinionin publik duke financuar mediat, grupet e mendimit dhe universitetet (metoda e preferuar e Charles Koch) dhe përmes platformave të tilla si Facebook.

Shkencëtari i famshëm Albert Einstein u shpreh në një rast:“Një oligarki e kapitalit privat nuk mund të kontrollohet në mënyrë efektive as nga një shoqëri politike e organizuar në mënyrë demokratike, sepse në kushtet ekzistuese, kapitalistët privatë kontrollojnë në mënyrë të pashmangshme, drejtpërdrejt ose tërthorazi, burimet kryesore të informacionit”.

Kështu Musk u bëri thirrje ndjekësve të tij të votonin për republikanët në zgjedhjet e mesit të mandatit vitin e kaluar në SHBA. Tani ai duket do të mbështesë Trumpin për një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ky i fundit, ka qenë gjithmonë një përdorues oportunist i aleatëve të përkohshëm.

Edhe kur kandidoi për president për herë të parë, ai luajti rolin e oligarkut në TV. Trump Shpenzoi ndoshta 66 milionë dollarë nga paratë e tij për fushatën presidenciale. Dhe sapo u zgjodh president, familja e tij tentoi një tjetër dredhi tipike për oligarkët:shndërrimin e pushtetit në para.

Familja Trump fitoi jo pak presidenca e Donald. Pasi kaloi disa vite si i dërguar special i presidentit të SHBA për Lindjen e Mesme, dhëndri i Trump Jared Kushner mori një investim prej 2 miliardë dollarësh në fondin e tij të kapitalit privat nga fondi sovran i Arabisë Saudite. Edhe roli i Trump në sulmin e një turme ndaj Kongresit të SHBA më 6 janar 2021, buron nga një traditë e lashtë oligarkike. Historikisht, oligarkët kanë qenë të prirur të ndërtojnë ushtritë e tyre private. Në republikën e vonë romake, shkruan Winters në librin e tij “Oligarkia” të vitit 2011, oligarkët punësonin shpesh ushtarë që ishin dëbuar nga ushtria zyrtare romake. Edhe Putin u bë shumë popullor në mesin e rusëve, pasi i dha fund epokës kaotike të viteve 1990, të karakterizuar nga vrasjet mafioze të kryera nga banditët e punësuar nga oligarkët.

Po si bien oligarkët? Kjo ndodh përmes revolucioneve (zakonisht komuniste) dhe luftërave

të mëdha (jo të vogla). Edhe lufta aktuale në Ukrainë, po trondit pozitat e oligarkëve rusë, teksa ata e gjetën veten papritur midis Putinit dhe Perëndimit. Një rast i tillë është ai i Mikhail Fridman.

I goditur nga sanksionet perëndimore, ai i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të Londrës që ta lejojë të paguajë 30.000 paund shpenzimet mujore të rezidencës së tij në veri të kryeqytetit anglez, plus pagën e shoferit (Fridman e konsideron shumë të rrezikshëm transportin publik).

Duke shpresuar t’i shpëtojë sanksioneve, ai ka kërkuar mbështetje nga figurat e opozitës ruse, përfshirë atë një aktivist kundër luftës që gjendet në burg. Por duket se as kjo manovër nuk funksionoi. Fridman u zhvendos nga Londra në Izrael, por u kthye në Moskë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Oligarkët e rikthyer që janë hebrenj ose ukrainas, mund të mos e shohin si tërësisht të pëlqyeshme Rusinë nacionaliste të kohës së luftës. Oligarkë të tjerë rusë, si njeriu më i pasur i vendit, Andrey Melnichenko, janë shpërngulur në Dubai. Tani oligarkët po zëvendësohen nga një grup “miliarderësh të emëruar” të Putinit:miqtë e tij të ngushtë si Sechin, Arkady dhe Boris Rotenberg dhe Vladimir Potanin.

Lufta po rrënon edhe oligarkët ukrainas, që kanë humbur shumë asete në zonat e luftës. Pasi shteti ukrainas u mobilizua për luftë, ai fitoi monopolin e dhunës, duke shpërbërë ushtritë private që drejtonin oligarkët e vendit. Dhe në vitin 2021, vendi miratoi një ligj de-oligarkizimi duke i detyruar ata të bëjnë publike pasuritë e tyre dhe të ndalojnë financimin e partive politike.