Aplikacion
Dhe çmimi vihet në dukje se do variojë, duke filluar nga 15 euro. Pavarësisht kësaj, pritet që “Kastrati” të përfitojë pjesën e “luanit” nga kjo kontratë, deri në 10 euro të vlerës së biletës, si koncesionar i aeroportit dhe pjesa tjetër prej 5 euro të biletës i kalon kompanisë “Ryanair”. Pra nëse momentalisht llogariten 50 mijë vende të ofruara për Shqipërinë, vlerësohet në një fitim të garantuar në 500 mijë euro për Kastratin dhe 250 mijë janë për Ryanair. Por ky është vetëm fillimi. Ashtu sikurse edhe në kontratat e tjera që lidhen me territorin e aeroportit dhe deri tek linja e përfolur e taksive, kompania shqiptare nuk qëndron larg përfitimeve të konsiderueshme në çdo zë biznesi. Përveç biznesit të hidrokarbureve dhe ndërtimit, po operon edhe në fushën e aviacionit, komunikacionit dhe teknologjisë. Detajet e kontratës mes koncesionarit të Rinasit, Kastrati dhe kompanisë së fluturimeve, nuk janë bërë të ditura, në lidhje me operimin e aksioneve dhe tregun e çmimeve.
Por sipas kontratës koncesionare Kastrati do të mbajë të paktën rreth 70 për qind të vlerës së biletës për udhëtarët nëse bileta do të kushtojë 15 euro. Kontrata 20-vjeçare parashikon 10 euro tarifë për cdo pasagjer mbi 12 vjeç. Vetë kompania ka njoftuar se ka rritje në 37% të pasagjerëve nga viti i kaluar dhe 110% në krahasim me vitin 2019. Dhe nëse do të përkthehen në përqindje fitimi, shifrat do të shkonin në miliona euro. Kështu, fitimet që do të vijnë nga 17 vitet e tjera të menaxhimit të aeroportit do të shkojnë të gjitha në xhepat e “Kastrati Group”. E nëse flukset e pasagjerëve do të jenë në këto shifra (llogaritet mbi 7 milionë pasagjerë në vit), në 17 vjet Kastrati pritet të fitojë rreth 700 milionë euro.
Çfarë tha përfaqësuesi i “Ryanair”
CEO i kompanisë, Micahel O’leary, ndërsa zbriti në aeroportin e Tiranës bashkë me ekipin e tij tha i bindur se kompania që drejton do t’i tregojë shqiptarëve se çfarë do të thotë realisht, çmime të ulëta për udhëtimet e tyre.
“Ne do të nisim 17 destinacione të reja për në/nga Tirana, ku tashmë më shumë se 70% e vendeve te ofruara janë shitur për muajin e parë të operimeve. Oferta e lartë për sezonin dimëror të Ryanair në Tiranë me 17 destinacione, dhe mbi 200 frekuenca javore tregojnë kërkesën e jashtëzakonshme që ekziston për udhëtime me çmime vërtet të ulëta për ardhjen e turisteve në Shqipëri, si dhe për qytetarët shqiptarë gjithashtu. Nga e marta e ardhshme do të përfundojë epoka e çmimeve të larta”, tha Michael O’leary.
Çfarë tha përfaqësuesi i “Kastrati Group”
Përfaqësuesi i “Kastrati Group” u shpreh se industria e aviacionit në Shqipëri është në krye të çdo liste klasifikimi, ndërsa numri i turistëve ka shënuar shifra rekord. “Duhet të përmend disa shifra, për të vendosur gjërat në perspektivë. Aeroporti ka arritur 5.8 milionë pasagjerë, dhe do të arrijmë 6 milionë deri në fund të muajit, që do të thotë 7 milionë në fund të vitit. Kjo ka të bëjë me 37% rritje nga viti 2022, dhe është e jashtëzakonshme. 110% më shumë se 2019, që e vendos aeroportin e Tiranës dhe industrinë e aviacionit në Shqipëri në krye të çdo liste klasifikimi, një rikuperim nga viti 2019, post-COVID. Kemi punuar të gjithë së bashku dhe jemi gati të shkojmë në nivelin e ardhshëm. Objektivi i kompanisë është që këto zhvillime të bëhen në kohën e duhur dhe rritja të jetë e pashmangshme në të ardhmen. Ky është një investim i Kastrati Group, qeverisë shqiptare, Ryanair dhe mirëpret çdo kompani tjetër që dëshiron që të investojë në rritjen e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës”. Pra kompania njeh edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në bizneset e saj. Në vitin e parë të operimit kjo kompani pret që të ketë mbi 1.6 milionë pasagjerë, ndërsa ofron mbi 1 mijë vende pune në Shqipëri.
Investimet nuk janë kryer, por Kastrati fut në xhep miliona euro nga Aeroporti i Tiranës
Dy vite më vonë, thuajse asnjë nga investimet në aeroport pothuajse nuk është realizuar nga Kastrati Group siç ishte prashikuar në kontratë, përveç se asaj të tejkalimit të fitimeve të pritshme për të. Deri në gusht 2023, Shqipërinë e vizituan mbi 7 mln turistë, shifër që do të rritet përsëri deri në fund të vitit. Shumica prej tyre zgjedhin rrugën ajrore si formë udhëtimit dhe në Shqipëri i vetmi aeroport funksional është ai i Rinasit. Sipas marrëveshjes së miratuar në Parlament nga mazhoranca socialiste në fillim të vitit 2021, koncesionari, pra “Kastrati Group” merr 10 euro taksë aeroportuale për çdo biletë apo pasagjer mbi 12 vjeç, që hyn apo del nga ky aeroport. Të ardhurat e aeroportit të Tiranës u rritën me 48.5 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 8.3 miliardë lekë (80 milionë euro), teksa rritja e turizmit dhe fluksi i lartë i pasagjerëve e ka shndërruar biznesin e aeroportit në një nga me fitimpruresit.
Shtyrja e koncesionit me 20 vjet
Qeveria vendosi ta shtyjë me ligj të posaçëm të miratuar në Parlament kontratën koncesionare të aeroportit të Tiranës me 13 vjet, kur koncesioni iu ble kinezëve nga “Kastrati Group”. Në kohën kur u ble, kinezët kishin edhe 7 vjet kontratë. Kjo do të thotë se Kastrati Group e ka marrë për 20 vjet menaxhimin e aeroportit. Në këmbim të zgjatjes së kontratës në 20 vjet, koncesionari do të plotësonte dy kërkesa: 1) lejimin e operimit të një aeroporti tjetër ndërkombëtar; 2) investimin e 100 milionë eurove për aerportin e Tiranës. Në këtë mënyrë, me marrëveshjen mes qeverisë dhe “Kastrati Group”, u hap aeroporti i Kukësit. Por edhe ky aeroport menaxhohet nga “Kastrati Group”. Megjithatë, aeroporti i Kukësit ka funksionuar vetëm pak muaj, me fluturime të papërfillshme. Shumicën e kohës ai ka qëndruar i mbyllur. Në këtë mënyrë aeroporti i Tiranës ka vijuar të mbajë monopolin në pjesën më të madhe të kohës. Edhe kur ka operuar, ai i ka shërbyer sërish grupit Kastrati, në një situatë monopolistike që, sipas ekspertëve, shkel kushtin e vendosur në kontratën për shtyrjen e afatit të koncesionit të Aeroportit të Tiranës. Përsa u përket investimeve të 100 milionë eurove, ato jo vetëm nuk janë kryer, por rezultojnë të papërfillshme kundrejt fitimeve që po merr koncesionari nga Aeroporti. Vetëm në vitin e parë të operimit koncesionari mori 30 milionë euro fitime nga taksa e pasagjerëve. Në vitin 2022 ai deklaroi 40 milionë euro fitime. Këtë vit, me rritjen e numrit të pasagjerëve fitimet përllogariten në 50 milionë euro. Vetëm në këto 3 vite operim, Kastrati Group ka mundur të marrë mbrapsht investimin e premtuar të 100 milionë eurove. Këto shifra hedhin poshtë përllogaritjet e bëra nga “ekspertët e qeverisë” se kompanisë koncesionare do t’i duheshin 20 vjet për të marrë mbrapsht 100 milionë eurot që do të investonte dhe fitimin e pritshëm nga investimi. Kështu, fitimet që do të vijnë nga 17 vitet e tjera të menaxhimit të aeroportit do të shkojnë të gjitha në xhepat e Kastrati Group. Nëse flukset e pasagjerëve do të jenë në këto shifra, në 17 vjet Kastrati pritet të fitojë rreth 700 milionë euro. Pavarësisht se fitimet e 3 viteve kanë nxjerrë në pah problemet e kontratës koncesionare, qeveria nuk ka ndërmarrë deri tani asnjë hap për rinegocimin e saj./ZOOM.AL/