zoom

Aktualitet

Onkologjiku po vret njerëz, KLSH: Të sëmurët me tumor nuk marrin trajtim për t’u kuruar

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar raportin e Auditimit të Performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale”, për vitet 2021-2022, ku në fokus të kontrolleve kanë qenë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe institucioni i varësisë Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik, Spitalet Rajonale Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat, njësi spitalore në varësi të MSHMS.

Të dhënat e raportit të KLSH tregojnë se megjithëse numri i pacientëve të diagnostikuar dhe trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje, pesha në buxhetin e QSUT për trajtimin e tyre ka ardhur në rënie, nga 11.7% në vitin 2020, 7.4% në vitin 2021 dhe në vitin 2022 ka zënë 7.9% të shpenzimeve faktike totale të QSUT.

Sipas raportit të auditit të KLSH, në Shqipëri ka vetëm një “spital onkologjik” pranë QSUT në Tiranë, ku të gjithë pacientët e dyshuar dhe më pas të diagnostikuar me sëmundje tumorale nga spitalet rajonale, nga jugu në veri, duhet të vijnë në QSUT për përcaktimin e saktë të diagnozës dhe më pas në ecurinë e protokollit të mjekimit.

Të dhënat e audititMungesa e investimeve në staf mjekësor dhe aparatura

Auditi i KLSH ka zbuluar fakte të rënda që tregojnë mungesë vëmendje ndaj trajtimit të tumoreve në vend, ku vërehet mungesa e dhënies së shërbimit për pacientët e prekur nga tumoret, në qendrën e quajtur “Poli i Administrimit të Integruar i Spitalit Onkologjik”.

Sipas KLSH, në periudhën 2021-2022, vërehet se ky institucion ka mungesa me burimeve njerëzore me staf mjeksor (infermierë dhe teknikë mjekësor), që ka sjellë për pasojë ngarkesë të lartë të volumit të punës të mjekëve onkologë. Gjithashtu janë konstatuar mungesa me shtretër spitalorë për realizimin e seancave të kimioterapisë dhe radioterapisë, mos dhënia e shërbimit me kujdes paliativ.

KLSH thotë se “të gjitha këto kanë sjellë rritje të numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumorale për çdo vit, duke treguar qartë se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim nuk ka efektivitet të plotë, duke cënuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

“Shërbimet radioterapi e disa kimioterapi, janë të “centralizuara” në Spitalin Onkologjik në QSUT dhe nuk ofrohen pranë Spitaleve rajonale të vendit. Për rrjedhojë centralizimi i shumicës së shërbimeve shëndetësore, vetëm në Tiranë, rrit kostot ekonomike për pacientët dhe familjarëve të tyre”, thuhet në raportin e KLSH.

Shërbimi i radioterapisë trajton rreth 90% të pacientëve me sëmundje tumorale, nëpërmjet pajisjeve mjekësore, duke kërkuar investime të konsiderueshme për sigurimin e pajisjeve si dhe të mirëmbajtjes së tyre, me qëllim për të mundësuar trajtimin e domosdoshëm të pacientëve dhe maksimizimin e përfitimit nga pajisjet.

Për periudhën në auditim, konstatohet se numri i rasteve të trajtuara pranë shërbimit të radioterapisë, mbështetet në 4 pajisje kryesore, nga të cilat Brakiterapi nuk është funksionale për gjatë gjithë periudhës së auditimit, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksionon që prej datës 02.11.2022.

Diagnozat e karcinoma e endometrit , Karcinoma e ciliuteri, Karcinoma e ovarit, sëmundje tumorale që prekin gratë, kërkojnë trajtim me radioterapi me pajisjen Brakiterapi, afërsisht 200 pacienteve në vit.

Por sipas raportit të KLSH, trajtimi me Brakiterapi (Kyriterapi) nuk ka qenë funksional, për periudhën në auditim, për shkak të mungesës së burimit radioaktiv Iridium.

“Kjo pajisje nuk është bërë ende funksionale, për shërbimin dhe për trajtimin e pacientëve me Ca gjinekologjik me radioterapi. Mungesa e Brankiterapisë, për periudhën e auditimit, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre”, thuhet në raportin e KLSH.

Sipas KLSH, Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza”, nuk ka mundur të sigurojë pajisjen mjekësore të Brankiterapisë, të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike).

Aparati i Ortovoltazhit në Njësinë e Radioterapisë është i instaluar në vitin 2002. Ky apparat ka 20 vite që përdoret për trajtimin e tumoreve sipërfaqësore të lëkurës.

Filtrat e aluminit janë të oksiduara, koka e aparatit nuk qëndron në gjendje fikse gjatë trajtimit për shkak të dëmtimit të frenave që e mbajnë kokën të palëvizshme, e për pasojë lëvizja e pakontrolluar e kokës gjatë procesit të trajtimit, nuk jep rezultatin dhe saktësinë e duhur të trajtimit. Ky aparat është pa mirëmbajtje prej 7-8 vitesh, gjë që ka ndikuar mjaft në performancë dhe në cilësinë e funksionimit të aparaturës. Jetëgjatësia e një aparati në Radioterapi sipas rekomandimeve ndërkombëtare të OKB dhe IAEA-së duhet të jetë 10-15 vite.

“Ajo nuk ka mundur në kohë të realizojë rehabilitimin e ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit si dhe mostrajtimi në kohë i pacientëve që kanë nevojë për to, tregon se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim nuk ka efektivitet të plotë, duke cënuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Gjithashtu, mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve duke ulur besimin për një shërbim spitalor të denjë dhe të pastër duke treguar se shërbimi i Spitalit Onkologjik, nuk ka efektivitet të plotë, për trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim”, thotë KLSH.

Mungesë shërbimi dhe në spitalet rajonale

Raporti i auditit të KLSH tregoi se gjendje e rëndë paraqitet dhe në spitalet rajonale ku njësitë e kimioterapisë pranë spitaleve rajonale kanë qenë pjesërisht efektive në trajtimin e sëmundjeve tumorale si pasojë e mos hartimit të detyrave funksionale për mjekët onkolog, duke funksionuar me kapacitete minimale, nuk adresohen të gjitha skemat e trajtimit nga QSUNT në ketë spitale, nuk kanë kapacitete spitalore të plota me burime njerëzore mjekë onkologë, pajisje dhe materiale mjekësore, shtretër të dedikuar, nuk përgatisin një plan kujdesi për të sëmurët paliativ, mungojnë sistemet informatizuara të raportimit, si dhe përballen me riskun e mungesës së medikamenteve të trajtimit të sëmundjeve tumorale.

“Mos kryerja e monitorimeve të vazhdueshme nga MSHMS dhe QSUNT pranë PAI-Spitali Onkologjik si dhe pranë Spitaleve rajonale të cilat trajtojnë sëmundjet tumorale, mungesa e auditimeve klinike dhe teknike nga MSHMS, pranë institucioneve spitalore ka sjellë risk të shtuar në uljen e cilësisë së shërbimit të pacientëve me sëmundje tumorale”, thotë KLSH.

Sipas saj, mungesa e të dhënave të përditësuara, ndikon negativisht në planifikim të prioriteteve dhe monitorim të kontrollit të kancerit, si dhe nuk jep informacion të rëndësishëm për zhvillimin e politikave dhe masave parandaluese.

“Mos funksionimi i të gjithë këtij zinxhiri spitalor në raportim dhe në koordinim midis tyre tregon një performancë të dobët në statistikat zyrtare ndonëse politikat shëndetësore qeveritare reklamojnë menaxhim dhe monitorim në kohë të trajtimit të sëmurëve tumoralë deri në mortalitet”, thuhet në raportin e KLSH.

Shifrat e tumorit në vend

Në Shqipëri, identifikohen 6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale çdo vit. Sëmundjet tumorale të diagnostikuar më të shpeshta në vendin tonë janë, kanceri i gjirit, i aparatit respirator, i aparatit gastrointestinal, kanceri i lëkurës, etj.

Këto kategori sëmundjesh tumorale përbëjnë së bashku pothuaj 40% të të gjitha rasteve të reja të raportuara çdo vit nga sistemi shëndetësor. Sëmundja tumorale është një diagnozë individuale që ka ndikime të rëndësishme tek pacientët, por gjithashtu ndikon rëndë dhe në jetën e familjeve të tyre.

Shtrimet në spital në sistemin shëndetësor publik nga sëmundjet tumorale kanë ardhur në rritje të vazhdueshme si për meshkujt edhe për femrat. Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më I shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit./ Zoom.al