zoom

Aktualitet

Zbulohet një laborator për falsifikimin e dokumentave në Tiranë, 3 në pranga

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Falsifikimi” janë arrestuar 3 persona të cilët falsifikonin dokumente të ndryshe kundrejt përfitimit monetar.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”, i personave:

– Gëzim Xhafa 64 vjeç, Artur Bramo 59 vjeç dhe Shpëtim Bega 59 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Prokuroria Tiranë njofton se hetimi është ndjekur me metoda proaktive si përgjime, vëzhgime dhe blerje të simuluar duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëpunëtorë lidhur me kryerjen e blerjeve të simuluara si dhe përgjimin e personave të dyshuar.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt përfitimeve monetare, falsifikonin diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në përdorim nga këta persona, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, skanera, usb, njësi kompjuterike, printera, karta identiteti, diploma, kartela pasurie, certifikata pronësie dhe dokumente të tjera të ndryshme, të falsifikuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale