Aplikacion
Gazeta Express: Ju jeni kundër idesë së Ballkanit të Hapur. Pse një qëndrim i tillë dhe duke parë çfarë po ndodh në Bruksel, a mendoni se ideja e Ramës dhe Vuçiqit për të krijuar iniciativën e Ballkanit të Hapur është legjitime, duke parë çfarë Brukseli po bën dhe se se si një shtet si Bullgaria mund të bllokojë gjithë procesin e integrimit. A e shihni si logjike?
Edward P. Jospeh: Shumë qartë. Është ide e mirë të ketë treg të përbashkët rajonal, është ide e mirë të reduktohen barrierat, nuk është ide e mirë që kjo të bëhet jashtë kornizës së Bashkimit Europian, jashtë vlerave dhe rregullave. Nuk është mirë. Dhe arsyeja pse s’është mirë, sepse ekonomitë në rajon s’janë të barabarta. Serbia është ekonomia më e madhe në Ballkanin Perëndimor dhe të gjitha përfitimet në Open Balkan, shumica e tyre do të shkojnë më shumë tek Serbia sesa tek të tjerët. Do të kenë më shumë investime të jashtme, do të kenë mundësi të eksportojnë mallra me vlerë më të madhe dhe kjo fuqi ekonomike përkthehet në fuqi politike. Ky është problemi kur e ke një shtet që ka tendenca të forta autoritare dhe ky është gabim dhe është e rrezikshme. Kjo është pse Ballkani i Hapur është gabim. Kjo do të çojë në një Serbi më të fortë ekonomike dhe do ta ketë më shumë e mundur që të minojë sovranitetin e fqinjëve, në mënyrë të veçantë të Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës. Prandaj, është gabim.
Gazeta Express: Por, me apo pa “Open Balkan”, Kosova importon miliona nga Serbia brenda muajve…
Edward P. Joseph: Shiko. Kjo është në rregull. Ti mund të kesh tregti me Serbinë. Por s’mund të ketë një iniciativë rajonale ku Serbia dhe fqinjët s’janë në kuadër të një kornize që është më e madhe se shtetet në vete. Nuk duhet t’i lihet vetëm rajonit, sepse nëse i lihet vetëm rajonit, Serbia do të dominojë dhe kjo do të rrisë tensionet mes shteteve dhe rrit perspektivën e Serbisë për të minuar sovranitetin e fqinjëve dhe do të ketë më shumë konflikt që redukton gjithë synimin për të pasur një treg të përbashkët në rend të parë. Tregtia në vete s’krijon mirëbesim. Ajo çfarë ka rëndësi është karakteri i pushteteve, nëse është demokratik apo autoritar. Dhe e shohim çdo ditë në Ukrainë dhe Rusisë, sepse Rusia ka qenë një prej partnerëve kryesor të Ukrainës. A shihni mirëbesim mes Rusisë dhe Ukrainës – s’ka besim. Dhe ju e merrni këtë në Ballkan. Serbia dhe Mali i Zi kanë shumë tregti. Mali i Zi është partneri kryesor për eksport dhe import me Serbinë, por ka besim shumë pak. Pra, ka shumë tregti mes Serbisë dhe Mali të Zi dhe ka shumë pak besim. Pra, kjo është çështja. Që besimi dhe tregtia duhet të jenë në kuadër të një kornize më të gjerë dhe kjo është nën kornizën e gjerë të BE-së.
Gazeta Express: Por është një arsye që Rama dhe Vuçiq…
Edward P. Joseph: S’pajtohem me arsyen..
Gazeta Express: Por çfarë mund të thoni për Procesin e Berlinit?
Edward P. Joseph: Po, ata mund ta bëjnë atë. Ata mund të bëjnë Procesin e Berlinit që s’ka të bëjë asgjë me Bullgarinë. Ata mund të bëjnë Procesin e Berlinit dhe SHBA-ja që po e promovon Ballkanin e Hapur mund ta përkrahë Procesin e Berlinit.
Gazeta Express: Por, janë katër marrëveshje që s’po e gjejnë rrugën e implementimit. Kancelarja Merkel kishte bërë thirrje disa herë që shtetet duhet të implementojnë marrëveshjet dhe tani kemi parë kancelarin Scholz që erdhi në Kosovë …
Edward P. Joseph: Cili është dallimi aty? Pse duhet të implementosh marrëveshjet në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe jo në kuadër të Procesit të Berlinit? Duhet të jenë marrëveshjet e njëjta, të tregtisë, lirisë së lëvizjes, punësimit, shërbimeve. Pse ata mund ta bëjnë këtë në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe jo në kuadër të Procesit të Berlinit? Janë të njëjtat. Por, ata e bëjnë këtë në një kornizë, ku raporti mes këtyre shteteve dhe respekti reciprok kërkohet nga një fuqi më e madhe. Dhe kjo është bërë në kuadër të vlerave europiane dhe lëvizjes drejt një tregu më të madh të Bashkimit Europian. Dhe SHBA-ja mund ta mbështesin këtë proces. Nëse e bëjnë këtë për Ballkanin e Hapur, mund ta bëjnë edhe për Procesin e Berlinit.
Gazeta Express: Pse mendoni se SHBA-ja ka një qëndrim mbështetës për Ballkanin e Hapur, sepse kemi parë z.Escobar dhe ambasadori z.Hill që kanë qenë pjesë e takimit në Maqedoninë e Veriut. A e shihni këtë si një përpjekje të SHBA-së që ta ketë nën kontroll se çfarë po ndodh me Open Balkan, apo ata vetëm e mbështesin, sepse ka frikë që mund të ketë influencë ruse përmes Serbisë. A e shihni këtë si një përpjekje të SHBA-së për ta mbajtur nën kontroll, apo vetëm mendojnë që është një mënyrë e mirë për bashkëpunim rajonal?
Edward P. Joseph: Dua të jem shumë i qartë. Nuk mund të spekuloj se pse SHBA-ja e bën këtë. Por, do të përgjigjem tek argumenti që Open Balkan do ta mbajë Rusinë jashtë. Rasti është komplet e kundërta. Open Balkan e rrit potencialin për influencë ruse, sepse sateliti dhe aleati i Rusisë është Serbia. Kështu që nëse Serbia rrit fuqinë ekonomikisht, influenca e Serbisë do të jetë më e madhe dhe influenca e Rusisë do të jetë më e madhe. Kështu që s’ka sens. Arsyeja tjetër është që Rusia hapur po e mbështet Ballkanin e Hapur. Nuk është vetëm Lavrovi, por edhe “Sputnik Serbia” një numër titujsh. Kështu që, nuk them se pse SHBA-ja. Por, nuk është një argument i mirë që Open Balkan e mban jashtë Rusinë.
Gazeta Express: Por si mund të shpjegohet që Edi Rama e mbështet Ballkanin e Hapur?
Edward P. Joseph: Kjo shpjegohet në artikull. Njerëzit dhe shtetet që i frikësohen Ballkanit të Hapur, i frikësohen Serbisë. Kosova ka arsye të mira për t’iu frikësuar Serbisë. Mali i Zi ka arsye të mira. Boshnjakët dhe kroatët kanë arsye për t’iu frikësuar Serbisë. Shqipëria s’ka, sepse Shqipëria s’ka serbë dhe s’ka pretendime territoriale të Serbisë në Shqipëri. Kur Aleksandar Vuçiq synon Serbinë e Madhe apo Botën Serbe, kjo nuk e prek Shqipërinë. Nuk e prek Shqipërinë. E prek Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën. Nuk e prek Maqedoninë e Veriut. Ata kanë çështje me Bullgarinë. Kjo është shumë e thjeshtë. Edi Rama nuk përballet me kërcënime direkte agresioni nga Serbia. Prandaj, ai sheh përfitime politike dhe ekonomike për vete dhe vendin e tij. Kjo është pse.
Një mburojë e lartë raketore izraelite po “shkon” drejt Evropës, ku kërcënimi rus rritet