zoom

Aktualitet

Deklarata e fortë e mjekut të Akademisë: Shifrat reale të COVID-19, disafish më të larta

Atë që opozita e ka denoncuar me forcë prej 1 viti, po e pranojnë tani edhe ekspertët pranë qeverisë.  Epidemiologu Ilir Alimehmeti, anëtar i Komisionit të Shëndetësisë në Akademinë e Shkencave, ka deklaruar se numri i të infektuarve është dukshëm më i lartë nga shifra zyrtare prej  28 mijë e 700 rasteve të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë që nga nisja e pandemisë.

“Mjafton të mendoni që kjo shifër korrespondon me rreth 4-5 % të popullatës. Le të themi që patjetër është më shumë. Se sa më shumë, nuk e dimë, sepse nuk është bërë kurrë një studim seroprevalence. Por që numri është më i madh disa fish, është”.

Epidemiologu thotë se pavarësisht atyre që janë imunizuar duke e kaluar sëmundjen apo atyre që po imunizohen nëpërmjet vaksinave, Shqipëria është shumë larg imunizimit të tufës. Ai mendon se vetëm kur fasha e vaksinimeve të zbresë në 18 vjeç, mund të flasim për imunitet tufe.

“Një vaksinë duhet të jetë të paktën 80% efikase dhe t’u bëhet të paktën 75% të popullatës, që të ketë mundësinë të zhdukë një valë të koronavirusit pa pasur nevojë për masa të tjera, pasi ky është synimi. Ne jemi shumë larg të përdorimit të një vaksine të paktën 80% efikase në 75% të popullatës. Kjo do të thotë se të gjithë personat mbi 18 vjeç të jenë të vaksinuar”. 

Alimehmeti rrëzon edhe një tjetër pretendim të institucioneve shtetërore. Ai thotë se fushata e vaksinimit nuk ka ndikim në ndërprerjen e infeksionit.

“Referuar të dhënave të Ministrisë, deri dje, rezultojnë të kenë marrë dozën e parë thuajse 10% e popullatës. Që një qytetar të quhet i imunizuar nevojiten dy dozat e një periudhë dy javore që në trup të krijohen antikorpet që luftojnë virusin në rast se bien në kontakt me të. Kjo vlen parimisht për çdo lloj vaksine. Më pas, niveli i sigurisë dhe efikasitetit të secilës prej tyre bën diferencën në imunizimin e tufës. Ka shtete në botë sot, që kanë vaksinuar më shumë se gjysmën e popullatës dhe po vuajnë pasojat e COVID-19, njëjtë si të mos ishin investuar”, shprehet ai. /Zoom.al