zoom

Politikë

Milioneret e pushtetit/ Berisha shpërndan spotin negativ për gratë e PS

Ish -kryeministri Sali Berisha ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një spot negativ për ministret dhe disa kandidate për deputete të Partisë Socialiste.

Spoti origjinal është prodhuar nga Partia Socialiste, por në versionin e shpërndarë nga Berisha, ministret dhe kandidatet e PS janë dubluar. Zërat dublantë flasin për skandalet në të cilat ato dyshohet se janë përfshirë.

Zoom.al po i sjell të zbardhura dublimet.

“Jam këtu se më ka marrë malli për partinë shtet”, janë fjalët që i janë vënë në gojë Luljeta Bozos.

“Unë fle në hotele me 700 euro nata. Nuk jam si ju që flini ende nëpër çadra”, thuhet në dublimin për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“E shkatërruam teatrin, se kultuar nuk jep bukë, kullat po”, dëgjohet zëri mbi figurën e ministres së Kulturës, Elva Margariti.

“Ju dyndeni në autobusa, unë bëj fushatë me helikopterë. Pse, varfëria juaj do më pengojë?!”, është dublimi i ish-ministres së Mbrojtjes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

“Byftek kam ngrënë ngado, por si ai që hëngra me paratë tuaja te Nusreti nuk ka”, është zëri për ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

“Unë jam zonja 5 milionë euro. No dogana, no party”, thuhet mbi figurën e ministres së Shtetit, Elisa Spiropali.

“Unë nuk jam ministre e Arsimit, unë jam ministrja e Taulant Ballës”, thotë zëri i dubluar i Evis Kushit.

“Kur ju kishit hallin e covidit, unë e kisha mendjen te tenderat sekretë…”, është gjetja për ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Spoti mbyllet me fjalët: “Milioneret e Rilindjes nuk përfqësojnë gratë shqiptare”.