zoom

Bota

80% e të rriturve me antitrupa/ Vaksinimi po çon Britaninë e Madhe drejt imunitetit të tufës

Tetë në dhjetë britanikë të rritur tashmë kanë shenjat e imunitetit ndaj koronavirusit, ose nga vaksina ose ngaqë e kanë kaluar sëmundjen gjatë pandemisë.

Ky është rezultati i një studimi zyrtar, i cili ka analizuar analizat e gjakut. Antitrupat janë proteina antivirale që u ofrojnë njerëzve imunitetin dhe ndalojnë njerëzit që të sëmuren, nëse preken nga virusi, edhe pse ato nuk ofrojnë mbrojtje totale.

Edhe pse nuk është shuar frika se antitrupat e krijuara nga programi i vaksinimit nuk ofrojnë mbrojtje sa duhet ndaj variantit Indian, të quajtur Delta, të dhënat tregojnë se vaksinat ofrojnë mbrojtje te shumica e atyre qe janë vaksinuar deri më tani.

Vetëm tre veta kanë humbur jetën në radhët e atyre që i kanë bërë të dyja dozat e vaksinave, sipas ministrit britanik të Shëndetësisë. Vaksinimi nga dje, në Britani ka filluar për mbi 25-vjeçarët , ndërkohë në mbarë vendin, 40.6 milionë kanë marrë të paktën njërën dozë, ndërkohë që, 28.2 milionë i kanë bërë të dyja dozat, duke u ofruar atyre mbrojtjen e mundshme maksimale.

Nga të dhënat, njëra dozë nuk ofron shumë mbrojtje ndaj variantit dominant, Delta ç’ka bën që planet për heqjen totale të kufizimeve nga pandemia në Britani, me 21 qershor siç është planifikuar, të shtyhen ndoshta për dy javë të tjera.

Varianti indian është më i përhapur në verilindje të Anglisë dhe në afërsi të qytetit të Mançesterit, dhe vetëm në një lagje, në veriperëndim të Londrës, në afërsi të aeroportit më të madh në vend, Heathrow.

Infektimet më të mëdha janë në radhët e atyre që kanë hezituar të bëjnë vaksinat, andaj janë prekur më shumë moshat poshtë 50 vjeç, që shihen ndryshe nga disa muaj më parë, ata që mbajnë më shumë maskat sot nëpër Britani.