zoom

Ekonomi

730 bare e restorante të mbyllura në pandemi! Qeveria nuk ndihmoi

Nga Armand Kullau

Në vitin 2020 u mbyllën rreth 730 bare dhe restorante pasi pandemia kufizoi veprimtarinë e këtyre subjekteve. Këto janë shifrat e publikuara nga INSTAT ku në dallim nga viti paraardhës kemi një rënie me 4,3 % të numrit të këtyre bizneseve. Për periudhën 2015-2020 numri i tyre ka ardhur duke u tkurrur.

Redaksia e “Zoom.al” kontaktoi Kryetarin e shoqatës së bareve dhe restoranteve Enri Jahaj për të evidentuar shkaqet kryesore të cilat sollën falimentin. Sipas Zotit Jahaj, kishte disa arsye duke filluar nga fakti që shteti nuk e ndihmoi këtë sektor para dhe pas pandemisë, rritja e menjëhershme e çmimeve dhe rrogave njëkohësisht e cila i gjeti të papërgatitur pronarët. Gjithashtu pasiguria financiare pas pandemisë bëri që të kishte më pak klientë si dhe pamjaftueshmëria gjithmonë e në rritje për punonjës të kualifikuar kanë rënduar barrën e këtyre sipërmarrjeve.

I pyetur nëse i kishin bërë kërkesë për ndihmë qeverisë, Jahaj tha se i propozuan një plan me disa pika për të nxjerrë bizneset nga kriza.

Këto pika ishin realizimi i një Green Pass për klubet, e cila ishte e detyrueshme edhe për stafet, të hiqej ora policore një orë e më parë, të ulej TVSH-ja në masën 6 % të paktën për një periudhe 3-vjeçare. Kjo do ta ndihmonte shumë sektorin si dhe do të ulte evazionin fiskal ku midis të tjerave ishte dhe kërkesa për uljen e taksave për hapësirat publike në Tiranë e në rrethe.

Megjithëse u mbyllën shumë prej këtyre biznesve, Shqipëria vazhdon të jetë vendi me numrin më të lartë të bareve dhe restoranteve në rajon ku në vendin tonë zënë 10% të bizneseve totale.

Sipas ekspertit të ekonomisë Klodian Muço, përgjatë pandemisë ashtu si në çdo vend të botës sektori Horeca ishte më i prekuri dhe suporti qeveritar ishte gati i papërfillshëm.

Sipas tij, problemi i Shqipërisë së tranzicionit është mungesa e orientimit të investimeve. Pra, investime të larta me rentabilitet (përfitime) të ulët dhe baret luksoze janë një ndër to. Muço tha se mungon vizioni i orientimit të investimeve private në sektor që gjenerojnë vlerë të shtuar për ekonominë dhe reduktojnë importet.

I pyetur se çfarë impakti do të kishte heqja e TVSH-së për baret dhe restorantet, Klodian Muço deklaroi se ajo nuk ka asnjë impakt në ekonomi pasi sipas tij është testuar në vendet si Francë dhe Finlandë dhe vetëm biznesi pasurohet por jo konsumatori final.