zoom

Bota

65 të vdekur nga uragani ‘Ida’ në SHBA, ende probleme në disa shtete

Shirat e dendura, përmbytjet dhe tornadot e shkaktuar nga uragani “Ida” kanë marrë të paktën 65 jetë njerëzish në Shtetet e Bashkuara.

Sipas mediave amerikane, uragani ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe ka çuar në ndërprerjen e energjisë dhe dëmtimin e rezervave të ujit.

Për shkak të impaktit të tij, disa nga zonat më të prekura të Shteteve të Bashkuara nuk i janë rikthyer ende jetës normale.

Pjesa e mbetur e uraganit “Ida” solli reshje në një nivel të paprecedent ditën e mërkurë, duke shkaktuar përmbytje që mbushën stacionet e metrove, mbuluan makinat dhe depërtuan nëpër shtëpitë e banorëve.

Disa zona të Nju Xhersit janë ende duke u rikuperuar nga impakti i uraganit. Më herët, guvernatori Phil Murphy tha se shteti nuk kishte dalë ende nga emergjenca dhe nënvizoi se shqetësimi i tij lidhej me përgjigjen ndaj niveleve të larta të ujit.

Infrastruktura dhe banesa ndërkohë u shkatërruan në zona të ndryshme të Xhersit, me disa banorë që thonë se shtëpitë e tyre janë tërësisht të pabanueshme.

Edhe shteti i Nju Jorkut u godit gjithashtu nga “Ida”, me shirat e dendura që përmbytën në masë qytetin.