zoom

Aktualitet

6 akuzat që çuan Olta Xhaçkën në SPAK dhe cila është kompania e tenderit të ushqimeve?

Me 31 mars të vitit 2020, Partia Demokratike denoncoi një tender 1.5 milionë euro për furnizimin me ushqime të Rezervave të Shtetit. Kompania fituese, sipas PD, e kishte filialin në Maqedoninë e Veriut.

Eurovia shpk u shpall fituese brenda 24 orëve nga shpallja e tenderit për “blerje paketa ndihme për familjet në nevojë dhe materiale mbrojtëse në mbështetje të personelit të Forcave të Armatosura të angazhuar në përballimin e emergjencës së shkaktuar nga rënia e pandemisë së virusit COVID – 19”, tha asokohe PD, duke shtuar se vetëm “6 ditë para shpalljes së tenderit pa garë kompania e shtoi si objekt tregtimin e ushqimeve”.

Tenderi ishte zhvilluar me 25 mars 2020. Partia Demokratike hodhi dyshime se kompania që fitoi tenderin 1.5 milionë euro nuk kishte eksperiencën e nevojshme në fushën e tregtimit të ushqimeve.

Si kriterin e vetëm të garës Ministria e Mbrojtjes kishte vendosur që kompania fituese të kishte kontrata për ekzekutimin e furnizimeve të ngjashme të kryera gjatë tri viteve të fundit, në një vlerë jo më të ulët se 40 % e vlerës së tenderit të shpallur në Shqipëri.

PD e pyeti qeverinë se si u gjet kjo kompani dhe e plotësonte ajo kriterin e eksperiencës. SPAK po heton pikërisht këtë fakt. A u zhvillua tenderi sipas ligjeve? A i plotësonte Eurovia shpk kriteret? Përse ministrja Olta Xhaçka e firmosi procedurën?

PD e dorëzoi më 5 prill në SPAK kallëzimin për Olta Xhaçkën.

Kallëzimi përfshin 6 akuza për:

  1. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike,
  2. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë,
  3. Shpërdorimit të detyrës,
  4. Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike,
  5. Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike,
  6. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror.

“Kompania “Eurovia” që mori tenderin është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore”, denoncoi asokohe PD.

Sipas saj, pronari Emir Shefiti ka edhe një kompanie bastesh në Tetovë, të quajtur “Sports and More”, e cila merret me lojra kompjuterike dhe programime teknologjike.

PD thotë se vetëm pasi Eurovia shtoi edhe ushqimet në objektin e tregtimit, Ministria e Mbrojtjes i dërgoi Ftesën për Ofertë, në një procedurë pa garë dhe me negocim pa shpallje publike. “Kjo është një aferë e pastër korruptive”, pretendon PD. /Zoom.al