zoom

Aktualitet

5 të arrestuar për dhunën në veri/ Policia: Situata vijon të jetë e tensionuar

Pesë persona janë arrestuar pas përplasjes së dhunshme me ushtarët e KFOR në Zveçan të Kosovës, pasi dyshohet se kanë përdorur dhunë ndaj tyre.

Në një deklaratë të shpërndarë për median, policia bën një pasqyrim të situatës në të gjitha komunat, por sipas saj, tensioni më i madh është në Zveçan.

Deklarata e policisë:

Në Zveçan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.

Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe.

Sirenat/alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviç protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore.

KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike.

Protestuesit në Zveçan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri.

Po ashtu një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera.

Policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë.

Protesta është ende duke vazhduar, situata vazhdon të jetë e tensionuar sidomos në Zveçan, pasi aty dhe në komuna tjera po qarkullojnë persona/grupe kriminale të armatosur, të veshur në rroba të zeza e të maskuar.

Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato.