zoom

Aktualitet

49 kg kokainë! Gjykata e Posaçme lë sërish në qeli të atin e Arbër Çekajt

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka refuzuar për të dytën herë lirimin e Selim Çekajt, babait të Arbri Çekajt.

GJKKO e mori këtë vendim, edhe pse ndaj tij SPAK kishte kërkuar masën e arrestit në shtëpi.

Kujtojmë se 72-vjeçari u arrestua në prill të këtij viti, pasi në kontejnerin me banane e porositur prej tij nga Ekuadori, u gjetën 49 kg kokainë. Mbi të rëndon akuza e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Selim Çekaj ka deklaruar para trupës gjykuese se nuk kishte dijeni për ngarkesën e drogës. Të njëjtën gjë ka deklaruar dhe i biri, Arbri, që ndodhet në burg duke vuajtur dënimin, pasi dhe atij, iu sekuestruan 613 kg kokainë që vinte nga Ekuadori.

Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 maj të vitit 2018. Ai i ka mohuar sistematikisht akuzat duke thënë se e gjitha është e stisur dhe e inskenuar nga persona të fuqishëm, që duan që atë ta shohin në qeli.

Madje më datë 8 gusht, ai tentoi të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë 313, por kjo tentativë dështoi, pasi u pikas nga gardianët.