zoom

Aktualitet

450 vrasje në ”dosje”/ Kapet në Ekuador ”Gato Farfán” dhe bashkëpunëtori i tij shqiptar!

Trafikanti më i madh i drogës në Ekuador është vënë në pranga. Kapoja i njohur me nofkat “Gato Farfán” ose “Jerry”, njihej si trafikanti më i madh referuar drogës që dërgohej në Europë dhe SHBA.

Bashkë me të në pranga ra edhe një shqiptar. Bëhet fjalë për 37-vjeçarin Artur Rrapaj nga Fieri, i cili ishte pjesë e kartelit të vetëquajtur Nueva Generación Ecuador. Ky shtetas ka precedentë penale edhe në Shqipëri. Arrestimi i tyre u arrit pas 18 muajsh hetime, në një operacion të përbashkët mes policisë kolumbiane dhe ekuadoriane.

Si rezultat i bastisjeve në kuadër të operacionit ku u arrestua i shumëkërkuari, në Guayas është arrestuar një shtetas me kombësi shqiptare dhe janë sekuestruar 319 mijë dollarë, telefona satelitorë dhe pajisje GPS, ndërsa në Imbabura është bastisur një kala me dyer të blinduara ku u gjetën katër kasaforta me 90 mijë dollarë.

Ndërkohë ministri i Brendshëm siguroi se “Gato Farfán” koordinoi dërgimin e drogës në Shtetet e Bashkuara përmes modaliteteve të ndryshme përmes porteve kryesore të Ekuadorit dhe Meksikës, në bashkëpunim me kartelet Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación.

Gjithashtu, ai pohoi se i arrestuari është përgjegjës për disa nga masakrat e ndodhura në burgje në Ekuador vitet e fundit dhe që kanë lënë të vrarë më shumë se 450 të burgosur që nga viti 2020.

/zoom.al