zoom

Ekonomi

S’keni më nevojë për faturat e kripura të noterëve. Shitblerja e makinave bëhet edhe në DPSHTRR

Për një shitblerje makine çdo qytetar paguan një tarifë prej 6.500 lekësh tek zyrat noteriale. Por tani kjo faturë mund të shmanget. Shërbimin e shitblerjes së automjeteve tani e ofron edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, apo siç njihet ndryshe “drejtoria e targave dhe patentave”. Çdokush që blen një mjet duhet të shkojë pranë kësaj drejtorie për të ndryshuar çerfitikatën e pronësisë dhe targat. Por tani, në sportelet e saj mund të bëhet edhe marrëveshja e shitblerjes. Dhe pagesa është shumë herë më e ulët, vetëm 2.100 lekë në total. DPSHTRR ka sqaruar se shitësi dhe blerësi duhet të ndjekin këto hapa:

Shitësi:​​​​​

Mjet identifikimi​​​​

Leja e qarkullimit

Certifikatë Pronësie e mjetit

Blerësi:

Mjet identifikimi

  1. Sapo të paraqiten në DRSHTRR, mjeti do t’i nënshtrohet kontrollit fizik për t’u pajisur me Certifikatën e Kontrollit Fizik.
  2. Pas kontrollit fizik të mjetit, vijohet pranë sportelit të juristit të DRSHTRR për hartimin e kontratës së shitjes së mjetit.
  3. Mjeti duhet të jetë aktiv në sistem për kryerjen e procedurës dhe i lirë nga detyrimet në DPSHTRR (taksat, kamatvonesat) dhe INTERPOL.
  4. Pasi hartohet kontrata e shitblerjes te sporteli i juristit të DRSHTRR, Blerësi duhet të bëjë ndërrimin e pronësisë së mjetit duke u pajisur me:

Leje të re Qarkullimi

Certifikatë Pronësie në emër të tij

Vërtetimin RBS – konfirmimi nga Regjistri i Barrëve Siguruese të cilin e siguroni pas hartimit të kontratës së shitblerjes së mjetit. /Zoom.al