zoom

Bota

40 të vdekur nga stuhia/ Biden viziton Teksasin: Nuk do t’ju lemë vetëm!

Presidenti Joe Biden vizitoi shtetin amerikan të Teksasit për të parë nga afër dëmet e mëdha të shkaktuara nga stuhia e fuqishme e dëborës e cila la pa energji dhe ujë të pijshëm mijëra shtëpi në mesin e pandemisë së koronavirusit.

Presidenti dhe Zonja e Parë, Jill Biden, mbërritën me avion në Hjuston, qyteti më i madh i Teksasit, ku u pritën nga guvernatori republikan Greg Abbot dhe kryebashkiaku i Hjustonit Sylvester Turner. Biden vizitoi një depo ushqimesh në qytet dhe një qendër operacionale për emergjencat.

Të paktën 40 vete në Teksas vdiqën kur stuhia e dimrit përfshiu shtetet e jugut amerikan në mes të shkurtit. Ky shtet u godit më shumë nga temperaturat e ulëta të pazakonta që shkaktuan ndërprerje energjie dhe bënë që tubat e ujit të ngrinin dhe të shpërthenin, duke përmbytur shtëpitë dhe duke lënë shumë njerëz pa nxehtësi dhe ujë të pijshëm.

Ndërsa Presidenti demokrat takohej me udhëheqësit lokalë dhe vullnetarët për të diskutuar përpjekjet e ndihmës dhe rimëkëmbjes, ai shoqërohej nga guvernatori republikan, i cili fillimisht nuk e njohu fitoren e zotit Biden në nëntor ndaj Donald Trump-it. Biden ka shpallur gjendjen e katastrofës në 108 nga 254 qarqet e këtij shteti dhe sinjalizoi se mund ta rrisë numrin e tyre. Deklarimi autorizon përdorimin e fondeve për strehim të përkohshëm, riparime shtëpish dhe kredi me interes të ulët për humbjet e pronave të pasiguruara.