zoom

Aktualitet

27 të shoqëruar në polici! Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, dinamika e ngjarjes

Një vrasje që dyshohet të ketë motive politike dhe që mund të konsiderohet tashmë një krim i rëndë elektoral ndodhi dje në qytetin e Elbasanit.

Mjeku psikiatër, Pjerin Xhuvani, eksponent i Partisë Socialiste u ekzekutua me 3 plumba, dy në kokë e një në krahun e majtë. Në vendngjarje është qëlluar 16 herë nga dy armë të ndryshme dhe kanë mbetur të plagosur edhe 4 persona të tjerë. Dhëndri i Xhuvanit, një efektive e Njësisë “Shqiponja”, që ndodhej në vendngjarje, si dhe dy mbështetës të Partisë Demokratike.

Policia e Elbasanit ka shoqëruar 27 persona, kryesisht banorë të zonës, 8 prej tyre janë mbështetës të PD-së dhe dyshohet se kanë qenë të pranishëm gjatë përplasjes me armë.

Burime nga Policia lokale thanë dje se, nga të dhënat paraprake mësohet se përplasja me armë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve, ku dyshohet se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës është thirrur edhe Policia, ndërsa shkëmbimi i zjarrit ka nisur fill pasi forcat “Shqiponja” mbërritën në vendin e ngjarjes. Pas përplasjes me armë është dorëzuar në Polici ish-efektivi i RENEAs Arbër Paplekja, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Gjatë një komunikimi me gazetarët, kreu i listës së PD-së për Elbasanin, Gazment Bardhi tha se Policia nuk i kapi autorët e përplasjes me armë duke u marrë me gazetarët, ndërsa theksoi se personat e përfshirë në shkëmbimin e zjarrit ishin akuzuar edhe më herët nga demokratët si pjesëtarë të krimit të organizuar në qytet. Bardhi tha se në vendin ku u vra Xhuvani ishte një makinë e mbushur me karta identiteti dhe para që po përdoreshin për të blerë vota. Fill pas ngjarjes në drejtim të Elbasanit janë nisur forca të shumta policie, përfshirë edhe Forcat Speciale RENEA. Gjithashtu aty kanë mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.

KRONOLOGJIA

Përfaqësues të shtabit elektoral të Partisë Demokratike, i kanë telefonuar sallës operative të Policisë, me pretendimin se në lagjen “5 Maji”, kishin parë disa persona që po u mblidhnin kartat qytetarëve në këmbim të parave. Menjëherë pas kësaj telefonate, drejt adresës së dhënë janë nisur zëvendësdrejtori i Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe një ekip i Njësisë “Shqiponja”.

Pak pasi Policia kishte mbërritur aty, me një automjet pa targa ka shkuar në të njëjtin vend edhe Pjetin Xhuvani, i shoqëruar nga dhëndri i tij, Eltjon Bodinaku dhe një person tjetër. Ndërkohë, brenda pak minutash aty janë mbledhur edhe persona të tjerë, mes të cilëve edhe Arbër Paplekaj, ish-efektiv i forcave RENEA, aktualisht ishte shoqërues i Gazment Bardhit, i cili kandidon në Elbasan nën siglën e Partisë Demokratike.

Burimet thonë se edhe Gazment Bardhi ka qenë pranë vendit të ngjarjes, duke bërë fushatë dhe për këtë arsye Paplekaj është gjendur në atë vend dhe ka ndërhyrë në momentin që ka mbërritur Policia. Në tentativë për të hapur automjetin, ku dyshohej se kishte karta identiteti dhe dokumente të tjerë, që u ishin marrë qytetarëve në këmbim të parave, ka nisur edhe përplasja.

Burimet thanë se nga të shtënat ka mbetur i vrarë me 3 plumba 56-vjeçari Pjerin Xhuvani, ndërsa është plagosur dhëndri i tij, Eltjon Bodinaku, 32 vjeç, i cili mësohet se ndodhet në gjendje kritike, dy ish-efektivë Policie, Emiljan Prenga, 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani, 50 vjeç, aktualisht të aktivizuar në strukturat e shtabit elektoral të Partisë Demokratike dhe efektivja e Njësisë “Shqiponja”, që po ndërhynte në shuarjen e konfliktit, Xhensila Sota 27 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën, pasi është qëlluar nga një plumb në këmbë.

POLICIA

Në informacionin paraprak të Policisë së Elbasanit thuhet: “Më datë 21.04.2021, rreth orës 14:00, në lagjen ‘5 Maji’, Elbasan, gjatë një konflikti, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. XH., si dhe janë plagosur shtetasit E. P., P. V. dhe E. B. Gjithashtu, në përpjekje për të parandaluar krimin është plagosur edhe punonjësja e Policisë e forcës së posaçme ‘Shqiponjat’, XH. S.

Menjëherë në ndihmë të patrullës kanë shkuar shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Elbasan, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit. Gjithashtu, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë të hetimit të krimeve kundër personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, të Drejtorisë së Krimeve Kundër Personit e Pasurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan po vijon intensivisht puna për fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes. Ndërkohë, janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen, si dhe është bërë e mundur vënia në pranga e autorit të vrasjes, shtetasi A. P., ishpunonjës Policie. Vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje”.

Arbër Paplekaj u dorëzua te komandanti i RENEA-s pas ngjarjes

Policia tha zyrtarisht se në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Elbasan është vënë në pranga ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj, i cili në fakt është vetëdorëzuar. Pas ngjarjes, Paplekaj ka ndaluar një makinë që po kalonte rastësisht në zonë duke i drejtuar armën drejtuesit të saj. Pasi i ka marrë makinën, Paplekaj është nisur me automjet drejt Tiranës ku është drejtuar për te reparti i Forcave Speciale RENEA dhe ka hyrë në zyrën e Komandantit, të cilit i ka treguar se çfarë kishte ndodhur. Më pas, i shoqëruar nga ai, është dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Arbër Paplekaj, pas dorëzimit në Polici ka pohuar se ka qëlluar për vetëmbrojtje dhe nuk kishte qëllim të ekzekutonte aktivistin e PS-së. Bëhet me dije se Paplekaj ka thënë se personat që po lëviznin me makinën me para dhe karta identiteti kanë qëlluar me armë ndaj tyre, pasi i kanë ndaluar për t’i denoncuar në Polici. Paplekaj nuk ka pranuar të ketë qëlluar me dashje në drejtim të Xhuvanit dhe ka thënë se e gjitha ka filluar pas një denoncimi për shpërndarje parash.

“Ne shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Shkuam për t’i ndaluar, por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh”, ka thënë ai. Paplekaj, ish-efektiv Policie më parë ka punuar në Drejtorinë e Policisë Shkodër si oficer krimesh, nga 2007-2013, më pas ka kaluar duke u bërë pjesë e RENEA-s nga 2013-2019, ndërsa për një periudhë kohe ka punuar edhe në Ambasadën Amerikane, në grupin e sigurisë. Ka qenë në Afganistan për të trajnuar Policinë afgane. Paplekaj është një nga policët më të mirë që ka pasur RENEA. Ai është 36 vjeç, baba i 4 fëmijëve, me origjinë nga Tropoja, ka qenë shef i Njësisë së Posaçme në Policinë e Shtetit. Në vitin 2018 u largua nga RENEA, fitoi konkursin atje, ka pasur përgatitje shumë të mirë, prandaj u përzgjodh nga Ambasada Amerikane. Tre muaj më parë u largua nga stafi i kësaj Ambasade.