zoom

Aktualitet

21 Janari/ Artan Hoxha dorëzon audio-përgjimet në SPAK, zbulon kush e dha urdhërin për të qëlluar

Gazetari Artan Hoxha u paraqit këtë të enjte në SPAK për hetimet për dosjen e bujshme të 21 Janarit.

Artan Hoxha qëndroi për 3 orë në SPAK, ku u thirr si person që ka dijeni për ngjarjen.

Ai dorëzoi te prokurorët e posaçëm audio-përgjimin e marrë nga komunikimi në radio mes Gardës së Republikës së Shqipërisë më 21 janar 2011, duke ndihmuar kështu në zbardhjen e ngjarjes.

Pasi doli nga SPAK, Artan Hoxha tha para gazetarëve se materialet e dorëzuara tregojnë qartë se kush dha urdhërin për të qëlluar mbi protestuesit.

“Materiali shërben për të identifikuar kush është zinxhiri komandues i Gardës dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do të vlerësojë më pas sa i vlefshëm është ai audioregjistrim. Jo vetëm ka qenë me urdhër, por urdhër ka ardhur më lart me gjakftohtësi më të madhe, ashtu sikurse erdhi dhe urdhri për të ndaluar. Nëse zjarri do të zgjaste sikur 30 sekonda më shumë, aty do të ishte bërë masakër shumë më e madhe se sa u bë.

Për mua, nëse nuk zbardhet as këtë radhë, nuk ka për t’u zbardhur më. Provat u prishën që në momentin që ndodhi ngjarja. SPAK tani është më ndryshe, e ka ma të lehtë të thërrasë zyrtarë të lartë. Kam identifikuar dy të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e Gardës, por kjo u përket hetimeve”, tha Artan Hoxha.