zoom

Day Archive“SHBA-BE kanë sjellë informacion për Metën, vjeshtë e nxehtë” – Çfarë po paralajmëron Vangjeli?

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kthyer përgjigje për institucionet shqiptare, pas letërporosive të dërguara nga SPAK, duke kërkuar informacion për aferën CEZ-DIA.

Në studion e “Top Story”, Vangjeli shtoi se autoritetet shqiptare po presin përgjigje edhe nga një shtet tjetër, ndërsa paralajmëroi se zhvillimet gjatë vjeshtës do të jenë të shumta dhe nuk do të ketë qetësi.

“Ka ardhur një përgjigje nga SHBA, ka ardhur një përgjigje nga një vend i BE dhe pritet edhe një letërporosi nga një vend që nuk është më anëtar i BE. Nuk dihet kur vjen letërporosia. E vetmja gjë që do iu them është se vjeshta e këtij viti do jetë më e nxehtë se vera”, u shpreh Vangjeli ndër të tjera.

Temperaturat zbresin nesër, ja kur do të pushojnë reshjet

Ditën e premte vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet të jetë me vranëisra dhe prej mesdite intervale kthjellimesh, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Reshjet e shiut do të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet mesatar, hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Kjo situatë meteorologjike do të jetë prezente deri në orët e mëngjesit më pas gradualisht reshjet e shiut do të mbeten prezente, por me intensitet të ulët.

Era parashikohet të jetë nga veriperëndimi me shpjetësi deri në 10m/sek, valëzimi në dete pritet tëjetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 9 deri 15°C
në zonat e ulëta 10 deri 21°C
në zonat bregdetare 11 deri 20°C

Curri “plas bombën”: Meta-Kryemadhi arrestohen javën tjetër. “Shpërthen” avokati i ish-presidentit

Analisti Arjan Curri bëri një deklaratë të fortë këtë të enjte, duke paralajmëruar se javën e ardhshme do të arrestohen Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Por avokati mbrojtës i Metës, Genc Gjokutaj “shpërtheu” ndaj Currit, duke e akuzuar se po gënjen dhe duke i kujtuar se këtë deklaratë e ka bërë edhe pak ditë më parë, por ende nuk ka fletë-arresti për të.

Curri, me ironi, tha se këto deklarata të bëra prej tij janë në favor të dyshes Meta-Kryemadhi sepse sa më shumë të njoftojë ai arrestimin e tyre, aq më shumë vonon SPAK-u me qëllim të mos dekonspirohet.

Debati në studion e “Top Story”:

Curri: Unë po shtyj ditët e lirisë për Metën dhe Kryemadhin.

Gjokutaj: Ti qenke një prestigjator juridik.

Curri: Po ku është problemi këtu. Sa më shumë bëj prestigjatorin unë, aq më shumë shtohen ditët e lirisë për Metën e Kryemadhin.

Gjokutaj: Nëse le vendosur t’i hipësh teleferikut, kjo është pjesë tjetër.

Curri: Gabimet e mia pse të shqetësojnë ty? Ty duhet të të shqetësojë fakti se… Unë do të bëj një premtim publik…

Gjokutaj: Ke gënjyer! Mos u fut atje, te mitologjia greke.

Curri: Do futem ku të dua unë, edhe te mitologjia e Skraparit, edhe e Beratit. Pse shqetësohesh kaq shumë? Edhe po të gënjej, e mbaj unë përgjegjësinë.

Gjokutaj: Vazhdo, kush tjetër do të arrestohet?

Curri: Meta, Kryemadhi do të arrestohen javën tjetër. Ti nuk je avokati im, je avokati i Meta-Berishës.

Gjokutaj: Dole atje dhe the do arrestohet para Konventës. Nuk të duroj ty kur gënjen.

Curri: Unë do them çdo informacion të klasifikuar sepse interesi publik është mbi interesin personal. Unë do them vazhdimisht që ata do arrestohen, që ata të mos arrestohen. Mua të më kërkojë llogari vetëm SPAK të më thotë ç’punë ke ti që më dekonspiron operacionin.

Rakipllari: Ti thua që Curri nuk ka thënë të vërtetën, por këtë s’e ka thënë vetëm Curri, por edhe gazetarët e tjerë./ Zoom.al

Rama, foto pa Veliajn para Bashkisë së Tiranës

Kryeministri Edi Rama u rikthye në Bashkinë e Tiranës këtë të enjte për herë të parë pas 13 vitesh, për të qenë prezent në ceremoninë ku kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës.

Titulli Ahmetit iu dorëzua nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin Edi Rama ndau sallën për disa minuta me radhë, por nuk e bëri pjesë të fotografisë familjare pas ceremonisë.

E vetmja foto e postuar nga kryeministri në rrjetet sociale nga aktiviteti është një shkrepje e tij me familjen e Ali Ahmetit.

Por, në sy bie fakti se në këtë foto mungon Erion Veliaj, personi që propozoi nderimin me titull të Ali Ahmetit dhe që më pas i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi” atij.

“Kujtim nga një ditë e shënuar, me familjen e Qytetarit të Nderit të Tiranës, Ali Ahmeti”, shkruan Edi Rama krahas fotos pa Veliajn, që sot e “mikpriti në shtëpi”.

Të jetë ky një sinjal për një krisje në marrëdhënien Rama-Veliaj dhe një lëshim që kryeministri po bën ndaj kryebashkiakut pas marrjes në pyetje të këtij të fundit nga SPAK për aferën e inceneratorëve?/ Zoom.al

SKANDAL/ Ulsi Manja kërcënon Agron Shehajn: T’i pres veshët! Do merret shteti me ty (VIDEO)

Edhe pse si ministër i Drejtësisë propagandon kundër dhunës, vetë Ulsi Manja ndryshe thotë e ndryshe bën.

Gjatë një përplasjeje politike me deputetin Agron Shehaj, Ulsi Manja e kërcënoi këtë të fundit me prerje veshësh.

Nga salla e Parlamentit, Shehaj e akuzoi Manjën se gënjeu me amnistinë penale dhe se liroi zyrtarët e korruptuar.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kërcënoi sot hapur në Kuvend deputetin e pavarur Agron Shehaj, duke i thënë se “Shteti do të duhet të merret seriozisht me ty” dhe se “do të ti pres veshët”.

“Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në emër të qeverisë, deklaroi në këtë përlament në mënyrë tekstuale; që nuk do përfitojnë nga amnistia asnjë i dënuar nga GJKKO-ja dhe asnjë i dënuar për korrupsion. Po e citoj: “Amnisti që s’do ketë, jo e jo, por as ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO. Ministri gënjeu me paturpësine me të madhe”, u shpreh Agron Shehaj.

Bazuar mbi këto gënjeshtra, Shehaj kërkoi nga Manja të jepte dorëheqjen. Por ministri e kërcënoi dhe e paralajmëroi se do të merret shteti me të.

“T’i pres veshët. Shteti do të duhet të merret seriozisht me ty. Do të vijë dita që fytyra jote prej ëngjëlli të dalë ashtu siç është në të vërtetë”, tha Ulsi Manja./ Zoom.al

Evi Reçi në pritje të ëmbël. Zbulohet gjinia e bebit

Evi Reçi dhe Kledi Hysa do të bëhen së shpejti prindër.

Këngëtarja është në muajin e pestë të shtatzënisë dhe po pret një djalë.

Gjatë këtyre muajve, çifti është përpjekur për ta mbajtur “sekret” nga mediat këtë lajm, duke e shijuar vetëm këtë fazë të shtatzënisë.

Kledi dhe Evi u takuan në një event në dhjetor të vitit 2021 dhe aty nisën shkëndijat e para të dashurisë mes tyre.

Momentet e para të lidhjes ata i mbajtën jashtë vëmendjes së medias, por më pas pranuan se janë bashkë dhe prej 4 vitesh tashmë shijojnë romancën bashkë dhe tani po zgjerojnë familjen./ Zoom.al

Skenë filmash në Vlorë/ 40-vjeçarja tenton të mbytet në det, një burrë futet dhe e shpëton

Një 40-vjeçare tentoi t’i jepte fund jetës së saj pasditen e kësaj të enjteje, duke u mbytur në det.

Ajo u fut në ujë duke tentuar vetëvrasjen, por më pas një burrë notoi drejt saj për ta shpëtuar.

Ai arriti ta nxirrte nga deti 40-vjeçaren me shenja jete dhe më pas njoftoi ambulancën, që e dërgoi me urgjencë në spital.

Ajo po trajtohet nga mjekët, por ende nuk dihet gjendja shëndetësore e saj, ndërsa të pazbardhura janë edhe shkaqet që e çuan 40-vjeçaren drejt aktit të rëndë.

Serbia injoron SHBA, fut në qeveri dy zyrtarët e shpallur non grata

Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga opozita.

Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj.

Përbërja e Qeverisë së re u kritikua paraprakisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasi pjesë e saj janë dy zyrtarë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e re do t’i ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

Pas betimit, mbledhja e parë e Qeverisë së re u paralajmërua për të njëjtën ditë, pra mbrëmjen e 2 majit.

Mandatari i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.
Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

Qeveria u formua katër muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat progresistët fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane. Afati i fundit për zgjedhjen e Qeverisë së re ishte 6 maji.

Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – do të jetë zëvendëskryeministër në Qeverinë e re serbe.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.
Ndërkohë, shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Qeveria e re e Serbisë merr detyrën pas zgjedhjeve të dhjetorit, të cilat me shumicë votash i fitoi Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje në zgjedhje.

Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, krahinore dhe lokale, që u mbajtën më 17 dhjetor në Serbi, vunë në dukje edhe misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore.

Autoritetet, në anën tjetër, mohuan se ka pasur parregullsi të mëdha zgjedhore./ Radio Evropa e Lirë

Skema e “mashtrimit” me kreditë çon Guvernatorin Sejko në SPAK

Në vitin 2016, Kristo Puleshi nuk e mori seriozisht kërkesën e zyrës Albanian Debt Collection Agency, ADCA, për të paguar një detyrim prej 58 mijë lekësh.

Në shkresën që zyra ligjore i nisi për llogari të institucionit Micro Credit Albania, MCA, ai njoftohej se rezultonte dorëzanës i një kredie të marrë nga shoku i tij i fëmijërisë me vlerë 30 mijë lekë – kredi e cila ishte gati dyfishuar dhe pretendohej se nuk ishte shlyer asnjëherë.

Në një kallëzim të mëvonshëm në Prokurori, Puleshi tha se i injoroi shkresat, mesazhet dhe telefonatat për gjashtë vjet me radhë, pasi nuk kishte lidhje me kredinë dhe atësia në njoftime nuk përkonte me emrin e babait të tij.

Por në tetor 2022, ai mori një mesazh që nuk mund ta injoronte: apartamenti i tij në rrugën « Myslym Shyri » në Tiranë, ku banonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, ishte vendosur nën sekuestro.

Dokumentet e një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se Puleshi dhe miku i tij i fëmijërisë u përpoqën që të hetonin vetë se çfarë kishte ndodhur dhe pasi nuk gjetën zgjidhje, iu drejtuan me një kallëzim organit të akuzës në kryeqytet.

Përpara hetuesve, ata deklaruan se nuk kanë marrë ndonjëherë kredi dhe se procedurat përmbarimore ishin kryer në shkelje të ligjeve. Një akt ekspertimi i kaligrafisë në kontratën e kredisë doli gjithashtu në përfundimin se firmat e tyre ishin falsifikuar.

Kristo Puleshi raportohet se është vetëm një nga mijëra viktimat e një skeme të dyshuar abuzimi me mikrokreditë që vazhdon prej të paktën 9 vitesh në Shqipëri. Një hetim administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 zbuloi se rreth 17 mijë individë ishin dëmtuar me penalitete të padrejta, sekuestrim pronash si dhe shkelje të procedurave përmbarimore.

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, në skemën e mbledhjes së detyrimeve ishte përfshirë shoqëria Micro Credit Albania si dhe një grup zyrash private të përmbarimit, noterë dhe shoqëri të tjera të lidhura me të.

Ndërkohë, një hetim i kryer nga Prokuroria e Tiranës vlerëson se përgjegjësitë mund të shtrihen deri te Banka e Shqipërisë dhe guvernatori i saj, Gent Sejko.

Përmes një vendimi të 17 prillit, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën dhe i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që të kryente hetime të mëtejshme ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shoqërisë MCA veprat e mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Veprimtaria e MCA shpk rezulton që në mënyrë të vazhdueshme ka penalizuar interesat e ligjshme të individëve kredimarrës, e cila ka qenë në bashkëpunim me përmbaruesit gjyqësorë si dhe lindin dyshime se mund të ketë pasur bashkëpunim edhe me punonjës të Bankës së Shqipërisë,” thuhet në vendim e shpalljes së moskompetencës.

E pyetur nga BIRN për referimin e guvernatorit Sejko në SPAK, Banka e Shqipërisë tha përmes një zëdhënësi se nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar.

“Nëse do të kemi komunikim zyrtar prej çdo organi procedimi penal, Banka e Shqipërisë do të jetë në dispozicion për të dhënë sqarimet dhe informacionet e duhura,” tha BSH.

Shoqëria “Micro Credit Albania” i mohoi akuzat për mashtrimin dhe penalizimin e kredimarrësve, ndërsa këmbënguli se e kishte bazuar aktivitetin e saj në ligjshmërinë e përcaktuar në akte, kontrata dhe vendime gjyqësore.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjegjësi penale kur ekziston vendimi i gjykatës ; subjekti që vendimi i gjykatës e konsideron ‘kreditor të një detyrimi’ nuk mashtron duke u shfaqur si ‘kreditor’, sepse një titull të tillë ia jep vendimi i gjykatës, ndërsa subjekti që vendimi i gjykatës e certifikon si ‘debitor’ nuk mund të marrë pozitën e ‘një viktime të veprës penale’ sado kallëzime të nënshkruajë/ depozitojë në Prokurori,” pretendoi MCA.

Biznesi i kredive të këqija

Micro Credit Albania u themelua në maj të vitit 2014 nga ortakja e vetme, Elda Ibro, një kontabiliste në profesion, dhe u licensua më pas nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit të mikrokredisë. MCA operoi më pas edhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare.

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë nisi në korrik të vitit 2020 një ekzaminim tematik për shoqërinë MCA, ku të katër elementët e vlerësimit dolën në nivelin më të lartë të rrezikshmërisë të klasifikuar në kategorinë 4.

Sipas raportit të Departamentit të Mbikëqyrjes, subjekti MCA operonte në bashkëpunim me shoqërinë e licensuar në fushën e kredisë, Final, zyrën ligjore ADCA dhe shërbimet përmbarimore ZIG, Flash dhe Star.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se në 5 vite të operimit, MCA nuk kishte depozituar asnjëherë pasqyra financiare të audituara, ndërsa dy shoqëri auditimi ndërkombëtare kishin refuzuar të jepnin opinion. Deri në korrik të vitit 2020, MCA kishte blerë 85 milionë euro kredi të pashlyera nga dhjetë institucione të ndryshme banka dhe jo banka, duke paguar vetëm 2-3% të vlerës së tyre dhe më pas kosto e blerjes është rritur në 10 dhe 20% vitet në vijim.

Sipas raportit, MCA kishte paguar rreth 5.2 milionë euro për portofolin e kredive prej 85 milionë euro dhe kishte rikuperuar nga kredimarrësit rreth 10.7 milionë euro, duke siguruar një fitim operativ dy herë më të lartë.

Grupi i inspektorëve gjeti gjithashtu se MCA ndoqi një strategji të mbledhjes së plotë të detyrimeve, pa ofruar zbritje, ndërsa vendosi për paketat e ristrukturimit të kredive të këqija « norma penaliteti shumë të larta 2% në ditë ose 730% në vit».

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe një hetim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë hedhin edhe më tej dritë mbi natyrën e biznesit që ndiqte MCA, përmes shtrëngimit të kushteve për të dhënë kredi. Pasi blinte kreditë e këqija deri në 10% të vlerës së tyre, MCA kërkonte kthimin në masën 100%, duke vendosur edhe penalitete, kamata dhe tarifa përmbarimore. Të gjendur ngushtë, kreditorëve që u ishin bllokuar pronat, detyroheshin të firmosnin kontrata kredie me norma interesi deri në 25%.

Pas gjetjeve të Departamentit të Mbikëqyrjes në vitin 2020, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, duke përcaktuar që masa e penaliteteve të mos kalonte 30% të detyrimit kontraktor. Por edhe pas këtij vendimi dhe rekomandimeve të lëna për shoqërinë MCA, shkeljet vazhduan.

Dyshimet për rolin e guvernatorit

Më 29 dhjetor 2022, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.

Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara.

Hetimi ngre gjithashtu dyshime se masa e pezullimit u parapri nga një korrespondencë mes shoqërisë MCA dhe Bankës së Shqipërisë. Më 14 dhjetor 2022, ortaku i subjektit Micro Credit Albania i është drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me një mesazh elektronik, ku parashtrohen përpjekjet e kryera për realizimin e rekomandimeve, si dhe kërkohet që të merren në konsideratë masa alternative, të tilla që të mos bllokojnë tërësisht aktivitetin e subjektit.

“Masa e marrë nuk është në raport me shkeljet e konstatura nga vetë specialistët e Bankës së Shqipërisë dhe shkeljet e kryera në mënyrë të përsëritur janë të një karakteri tepër të rëndë. Vazhdimësia e aktivitetit të këtij institucioni financiar me problematika dhe shkelje të përsëritura është me pasoja tepër të mëdha financiare në dëm të qytetarëve,“ thuhet në vendimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se edhe pse ishte e njohur prej dy vitesh me problematikat e shkaktuara nga MCA, Banka e Shqipërisë nuk kishte marrë më parë asnjë hap konkret për të frenuar dhe monitoruar blerjen e kredive tek subjektet e tjera.

E pyetur në Prokurori, një punonjëse e Bankës së Shqipërisë e justifikoi tolerimin në pezullimin e fundit të MCA me rrezikun e pasojave. Sipas dokumentit, ajo deklaroi se nuk mund të merrej një masë radikale, pasi rrezikonin që subjekti të ndërpriste deklarimin në regjistrin e kredive, në kohën që “kishte ende 20 mijë kontrata kredie në administrim“.

Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës vlerëson se Banka e Shqipërisë nuk disponon të dhëna të sakta se sa është numri i kredive të blera nga MCA dhe se veprimtaria e kësaj të fundit ishte pothuajse jashtë monitorimit. Ajo ka ngritur gjithashtu dyshime se shoqëria e mikrokredive u favorizua që në fazat e para të licensimit në vitet 2015-2016.

Banka e Shqipërisë miratoi në mars të vitit 2016 një rregullore që mundësonte shitjen e kredive të këqija të bankave, por sipas hetimit, MCA dyshohet se e kryente më përpara këtë aktivitet. Në maj të vitit 2016, ajo u pajis me një licensë të re, çka sipas Prokurorisë ngre dyshime se infrastruktura ligjore u përshtat “në funksion të aktivitetit të kësaj shoqërie“.

Punonjësit e Bankës Qendrore pretenduan para prokurorëve se ndryshimi i rregullores u bazua në “Planin e masave për kreditë me probleme“, i hartuar nga një Grupi ndërinstitucional i koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në qershor të vitit 2015.

Bazuar mbi këto të dhëna, Prokuroria e Tiranës vlerësoi se rezulton e nevojshme “të hetohen zyrtarë të lartë si guvernatori i Bankës së Shqipërisë për veprën penale shpërdorimi i detyrës“, kompetencë kjo e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për shoqërinë MCA me administratore Elda Ibro, Prokuroria vlerëson se nevojiten hetime për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, të dyshuara këto si të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

I pyetur nga BIRN nëse i kishte marrë apo vlerësuar aktet e dërguara nga Prokuroria e Tiranës, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se „nuk ka asnjë përgjigje apo koment për të komunikuar“.

Rrjeti i mikrokredive

Dokumente të siguruara nga BIRN nga Ministria e Drejtësisë, Banka e Shqipërisë dhe Prokuroria e Tiranës tregojnë se skema e dyshuar kishte në qendër pronaren e MCA, Elda Ibro dhe bashkëshortin e saj, Olsi Ibro që drejtonte studion ligjore, ADCA.

Gjithashtu, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucioni jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin.

Pas pezullimit të licencës në dhënien e kredive, MCA ka nisur të punojë në një tjetër drejtim, atë marrjes së pronave të patundshme të debitorëve. Prokuroria konstaton se disa përmbarues kanë dhënë vulën me qira pranë shoqërisë MCA, ndërsa kjo e fundit ka kontraktuar ekspertë vlerësues për të ulur vlerën e pasurive.

Prokuroria ka administruar dy shkresa të nisura guvernatorit Sejko nga ministri i Drejtësisë dhe Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë për ta vënë në dijeni me çfarë po ndodhte, por Banka Qëndrore i ka trajtuar këto probleme si të natyrës juridike -civile dhe pse të njëjtat gjetje ishin konstatuar nga inspektimet e bëra nga vetë Banka e Shqipërisë, thotë prokuroria.

“Konstatime për dyshime të veprimtarisë së paligjshme, Bankës së Shqipërisë i kanë shkuar dhe nga banka të nivelit të dytë, materiale që administrohen në këtë fshikull hetimor,“ thuhet në relacion.

Prokuroria ka konstatuar dhe një numër përmbaruesish privatë që kanë shkelur rregullat dhe kanë bashkëpunuar me subjektin MCA, ndërsa ka konstatuar se veprimtaria e monitorimit të shërbimit përmbarimor nga Ministria e Drejtësisë nuk është disiplinuar. Sipas hetimit, nuk disponohen kopje të urdhrave të ekzekutimit, konfirmime për pagesën e tarifës si dhe nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë për të bashkërenduar punën me organet tatimore.

Shoqëria MCA i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se gjatë 9 viteve të aktivitetit të saj nuk ka marrë në posedim asnjë pasuri apo send të paluajtshëm të debitorëve, por pretendoi se ishte përfshirë pa vullnetin e saj “në një luftë të brendshme brenda llojit“ mes përmbaruesve që e kishin dëmtuar atë.

„..në çdo rast, debitorit nuk i tjetërsohen pasuritë e patundshme sepse asnjë debitor nuk është nxjerrë nga shtëpia e tij, por i ndalohet nëpërmjet vënies së sekuestros konservative që ta shesë dhe t’i shmanget shlyerjes së detyrimit,“ tha MCA.

Pavarësisht falsifikimit të firmës dhe kallëzimit në Prokurori, njëri prej viktimave deklaroi në Prokurori se vazhdoi të përndiqej për vite me radhë për kredinë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Edhe sot që kanë kaluar 17 vjet nga koha e marrjes… nga përmbaruesi vijnë mesazhe në telefonin tim me tekst; Detyrimi juaj i kredisë ende nuk është shlyer,“ dëshmoi ai./ Reporter.al

Inteligjenca artificiale s’do na çojë në BE! Tenderi 2.5 mln € i AKSHI-t për digjitalizimin dështoi

Bashkimit Europian do t’i duhet të presë pak për përmbushjen e kritereve nga ana e Shqipërisë, të paktën atë për përputhjen e kuadrit ligjor shqiptar me Europën.

Kur kryeministri Edi Rama njoftoi në fillim të këtij viti se Shqipëria do të shkojë në BE me AI (Artificial Inteligence), AKSHI nuk vonoi të hapte një tender.

Plot 2.5 mln euro vuri në dispozicion Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për kompaninë që do të kryente përshtatjen e rregulloreve, ligjeve etj të BE-së me ato të Shqipërisë. Nuk zgjati shumë dhe tenderi u mbyll, duke konfirmuar dështimin.

Arsyeja zyrtare është se asnjë operator nuk plotësonte kriteret për t’u kualifikuar, por e vërteta qe se për tenderin nuk pati asnjë ofertë.

Kur AI nisi të zhvillohej, kryeministri Edi Rama ia prezantoi shqiptarëve si miti i diellit të Platonit, por mesa duket shkëlqimi ishte i përkohshëm. Nuk ka ende asnjë risi tjetër në këtë drejtim dhe nuk dihet se kush do ta çojë Shqipërinë në BE./Zoom.al