zoom

Day ArchiveBoksieri i çon dron në shtëpi Sarës – Bardhi: Qenka djalë i mirë

Sara mori një surprizë këtë të premte brenda shtëpisë së Big Brother.

Ish-partneri i saj, boksieri Jurgen Uldedaj i dërgoi një dron me foton e tij dhe mbi të shkruante: “Forca kampion”.

Ky mesazh e gëzoi Sarën, e cila u prek dhe u shpreh se tregon që e mbështet.

“E ka sjellë ai, të më jap një shenjë që vazhdo se çdo gjë është okay”.

Ndërsa Bardhi i tha: “Qenka djalë i mirë” dhe më pas puthi Sarën.

Pak ditë më parë ishte vetë Sara që gjatë një bisede me Erjolën zbuloi se kishte lënë një lidhje pezull jashtë.

Kjo temë u diskutua gjatë spektaklit, kur Arbër Hajdari pyet Sarën si qëndron e vërteta e lidhjes me boksierin. Sara mohoi që ata të jenë të lidhur duke u shprehur “Jam shumë e ndarë”.

Si do të jetë moti në fundjavë?

Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të thata me origjinë perëndimore.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në relievet malore në lindje, referuar Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Era do të fryjë e lehtë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut dhe shpejtësi mesatare 1-8m/s, ndërsa temperaturat (në mesditë) do të jenë pak gradë më të larta se ato mesatare të periudhës që ndodhemi duke prekur vlerat 21-22 grad celcius.

Romeo flet për lidhjen me Jonidën: E kam dashur shumë

Romeo komentoi për herë të parë brenda shtëpisë së Big Brother marrëdhënien që ka pasur me Jonida Maliqin.

Gjatë lojës ku secili prej banorëve duhet t’i përgjigjej pyetjes që i drejtohej, Graciano e “ngacmoi” Romeon duke e pyetur nëse famën që gëzon sot e ka falë romancës që ka përjetuar me Jonida Maliqin.

Romeo e mohoi diçka të tillë, duke e renditur Jonidën te një nga personat që ka dashur shumë.

Graciano: Romeo a e ke fituar famën që ke sepse ke qenë i lidhur me Jonida Maliqin?

Romeo: S’e besoj nuk e shoh kështu. Jonida është një njeri që unë e kam dashur shumë edhe nuk e kam vendosur ndonjëherë në këtë kandar.

Burg për McGonigal, dënohet për 225 mijë dollarë dhe fshehjen e kontakteve me zyrtarët e Shqipërisë

Gjykata federale e Uashingtonit dënoi sot me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.

Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, thuhet në dokument.

Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, në lidhje me të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

Pranimi i fajësisë u bë në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Në këmbim të pranimit të fajësisë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera./ Zëri i Amerikës

Biznesi 54 milionë euro i qirave ditore, vetëm nga AirBnb

Zgjerimi i sektorit të qirasë ditore, i nxitur nga fluksi i turistëve të huaj, po rrit ndjeshëm të ardhurat e e pronarëve të këtyre apartamenteve.

Në total, të ardhurat e gjeneruara për vitin 2023 në Shqipëri ishin rreth 53,8 milionë USD, sipas AirDNA, e cila analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore nga platforma Airbnb.

Në raport me një vit më parë, të ardhurat e fituara nga këto struktura u rritën 86%. Krahasuar me vitin 2019, periudhën para pandemisë, të ardhurat nga shtëpitë e pushimit në AirBnb u rritën 2,5 herë më shumë.

Në gusht 2023, që vlerësohet muaji më i mirë për qiradhënësit, kishte rreth 188,8 mijë net-qëndrimi në AirBnb me çmim mesatar 85,3 USD/nata.

Nga të dhënat e AirDNA, vetëm për muajin gusht 2023 nga këto struktura janë fituar rreth 16,1 milionë USD. Krahasuar me vitin 2022, të ardhurat u dyfishuan.

Numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara për dhënie me qira ditore në AirBnb për 2023 arriti në 167 mijë. Në raport me një vit më parë, numri i tyre u rrit me 36%. Ndërsa krahasuar me vitin 2019, numri i shtëpive dhe apartamenteve të listuara në AirBnb u rrit me 1,3 herë.

Shtimi i listimeve është nxitur nga kërkesa e lartë për net-qëndrime. Sipas të dhënave të AirDNA, kërkesa për net-qëndrime në 2023 u rrit me 59% më shumë se 2022.

Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme vlerësojnë se ndër faktorët kryesorë që favorizoi zmadhimin e këtij tregu mbetet rritja e kërkesës nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

“Faktori kryesor për rritjen e ofertës është kërkesa e lartë. Vitet e fundit, vendi ynë ka bërë hapa galopantë në zhvillimin e turizmit dhe kjo po jep rezultatet e shumëpritura.

Duke qenë se hoteleria nuk e përballon dot këtë kërkesë të lartë, turistët po orientohen drejt këtyre njësive akomoduese”, deklaroi më herët, Dritan Leka, nga “Century 21 CPM”.

Në Shqipëri, vitin e kaluar erdhën rreth 3,2 herë më shumë turistë të huaj krahasuar me numrin e popullsisë vendase. Në 2023, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të juaj që hynë në Shqipëri ishte 10.2 milionë turistë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i turistëve të huaj u rrit me 33%. Numri i turistëve kulmoi në muajin gusht 2023, kur numri i vizitorëve të huaj arriti në 2 milionë. Në raport me muajin gusht 2022, numri i tyre u rrit me 18%.

Çmimet më të lira që ofrohen në Shqipëri se apartamentet me qira ditore në shtetet e rajonit dhe Bashkimit Europian, konsiderohen një ndër faktorët kryesorë që ka rritur kërkesën e të huajve për akomodim në këto struktura, sipas Stela Dhamit, nga “Colliers International Albania”.

Por znj. Dhami parashikon se pas ndryshimeve ligjore për formalizim, pronarët e këtyre strukturave do të jenë të detyruar të rrisin çmimet.

“Ato janë më të prekshme nga konsumatorët dhe turistët, të cilët kryesisht kanë ardhur në Shqipëri të orientuar prej çmimeve më të lira në krahasim me tregje të tjera më të zhvilluara të turizmit, si ato që kemi përreth.

Gjithashtu, këto struktura akomodojnë shumë mirë familjet dhe udhëtarët në grup, të cilët kanë dëshirë të jenë në të njëjtin ambient.

Mendoj se këto struktura tani, që do të jenë pjesë e deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi burim, mund të ndiejnë presionin për të rritur çmimet për të mbuluar këtë shpenzim të shtuar, por mendoj të detyruar”, pohoi ajo më herët për “Monitor”.

Tarifa mesatare për net-qëndrimi për 2023 në Shqipëri ishte 68,8 USD sipas të dhënave të AirDNA. Krahasuar me tarifën mesatare ditore në vitin 2022, ajo u rrit 18%.

Mbiofertë edhe në këtë sektor

Çmimet vijojnë të jenë edhe për këtë vit më të lira se vendet europiane. Një ndër faktorët kryesorë të çmimeve të lira, sipas ekspertëve të tregut, është mbioferta, e cila rrezikon të krijojë flluskën në këtë sektor.

Nëse një i huaj kërkon të vizitojë në muajin janar Tiranën, nëpërmjet platformës “Booking” gjen apartamente 450 larg qendrës, me çmime që variojnë nga 3,500 deri në 5,700 lekë/nata.

Ndërsa çmimet e apartamenteve me qira ditore në këtë periudhë 1 km larg qendrës së Romës nisin nga 11,000 deri në 13,000 lekë nata. Në Milano, çmimet e apartamenteve në booking arrijnë deri në 18,000 lekë nata. Ndërsa Athina ofron apartamente me çmime 7,400 deri në 8,500 nata, por me largësi nga 6 deri 8 km larg qendrës.

Për zgjerimin e këtij aktiviteti, sipas drejtuesve të agjencive imobiliare, po investon më tepër shtresa e mesme, profesionistë të ndryshëm, njerëz të cilët e zhvillojnë si punë të dytë apo si një aktivitet që i sjell të ardhura shtesë.

“Personat të cilët paraqiten pranë zyrave tona dhe shprehin dëshirën të blejnë prona për këtë qëllim kanë zakonisht profesione të mira, të ardhura të larta dhe të mesme dhe akses në sistemin bankar.

Dominojnë si kategoria e profesioneve të lira, si: arkitekt, inxhinier informatike, dentistë apo ndërmjetës së pasurive të paluajtshme, pa lënë mënjanë vetë personelin e bankave të nivelit të dytë”, vlerësoi më herët Arbër Brahaj, nga “RealEstate.al”

Forma më e përhapur për investim, sipas tij, është që individët blejnë apartamente për t’i dhënë më pas me qira ditore. “Vihet re që po krijohet një numër “sipërmarrësish”, të cilët po krijojnë portofol me 5 deri në 6 apartamente dhe në disa raste më shumë, për dhënie me qira ditore”.

Sipas ekspertëve të tregut të pasurive të paluajtshme, në këtë treg po përfshihen tre kategori investitorësh, që dominohet nga individët që blejnë apartamente për këtë qëllim, por nuk mbeten pas as kompanitë./ Monitor

Rusia reagon ashpër për vdekjen e Navalnyt: Akuza të papranueshme!

Rusia hodhi poshtë pretendimet se ka gisht në vdekjen e liderit të opozitës Alexey Navalny.

Me anë të një reagimi të ashpër, zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov tha se këto janë akuza të papranueshme.

“Çdo prentendim se Kremlini është përgjegjës për vdekjen e Alexei Navalny është “plotësisht i papranueshëm”, u shpreh ai.

Ai e quajti reagimin e liderëve perëndimorë histerik

Alexei Navalny, njëri prej kritikëve më të mëdhenj e të paepur ndaj Kremlinit dhe politikave të qeverisë aktuale ruse, ndërroi jetë në burg ku po vuante vite të tëra dënimesh që mbivendosnin njëri-tjetrin.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij të internetit, Shërbimi Federal i Qarkut Autonom të Yamalo-Nenets tha se Navalny u ndje keq gjatë një shëtitjeje, humbi vetëdijen dhe shumë shpejt vdiq.

Vrasja e Afrim Bunjakut/ Interpol lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për autorët

Interpol ka lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lajmin e dha ministrit të Brendshëm, Xhelal Zveçla, i cili e konsideroi këtë si një hap të rëndësishëm që çon para drejtësisë personat që ishin përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë.

Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste”, tha Xhelal Zveçla në “Facebook”.

Afrim Bunjaku u vra në krye të detyrës në Banjskë gjatë përballjes me grupin terrorist, i cili drejtohej nga Milan Radoiçiç, i cili ishte nënkryetar i Listës Serbe. Pasi pranoi akuzat, ai dha dorëheqjen.

EMRI/ Kush është shqiptari i arrestuar në Bolivi, “koka” e trafikut ndërkombëtar të drogës

Zbardhen detaje të tjera nga operacioni i autoriteteve boliviane, që shkatërroi një grup të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Shqiptari i arrestuar mes të prangosurve të tjerë është Loren Hyseni, i cili, sipas mediave të huaja, ishte “koka” e trafikut të drogës nga Bolivia në Evropë dhe Azi.

Sipas ministrit të Brendshëm të Bolivisë, shqiptari ishte futur ilegalisht dhe drejtonte aktivitetin kriminal.

Rrjeti i trafikut të drogës pritet të zbulohet duke bashkëpunuar me Europol dhe Interpol.

Banda e drogës u godit gjatë bastisjeve për të kapur autorët për vrasjen e dy personave gjatë ditëve të karnavaleve në San Ignacio de Velasco.

Biden reagon për vdekjen e Navalnyt: Përgjegjës është Putin!

Presisenti i SHBA-së Joe Biden reagoi për vdekjen e liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny.

Nga Shtëpia e Bardhë, Biden bëri përgjegjës presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e Navalnyt, duke e akuzuar se u soll brutalisht me kreun e opozitës.

“Jam i indinjuar, por jo i befasuar nga lajmi. Mos bëni gabim, Putini është përgjegjës për vdekjen e Navalny. Kjo ishte më shumë provë e brutalitetit të Putinit. Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi. Por nuk ka dyshim se vdekja e Navalny ishte pasojë e diçkaje që bëri Putin dhe banditë e tij”, tha ai.

Ai akuzoi Putinin se e kishte helmuar, arrestuar dhe mbajtur në izolim Navalny, duke shtuar se kjo sjellje nuk e ndaloi atë të fliste me zë të lartë për të vërtetat.

Rama zgjidh hallin e vet me TikTok, shqiptarët le të vriten

Kryeministri Rama u tha sot shqiptarëve se ai kishte takuar në Myhin zv.shefin e TikTok për t’u zgjidhur atyre hallet që u ka hapur kjo platformë.

Njoftoi me anë të zyrës së vet të shtypit se diskutoi “me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online”.

Për ata që e dinë se si funksionon TikTok, llafosja e Ramës është një vrimë në ujë. TikTok është një prej platformave më të pakontrolluara. Në të gjithkush mund të publikojë thuajse gjithçka, që nga mesazhet kërcënuese, foto nudo si në rastin e para pak ditëve që shkaktoi fatkeqësinë e një 27 -vjeçarje në Kamzë, gjuhë dhune dhe urrejtjeje, shantazhe e çdo gjë tjetër.

Këtë problem TikTok e ka në mbarë botën dhe në shumë vende institucionet shtetërore, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, u kanë kërkuar punonjësve që ta heqin nga telefonat e tyre, sepse ka dyshime se përdoret nga qeveria kineze për spiunazh.

Kryeministri i Shqipërisë, që të ndjekë shembullin e këtyre vendeve sajon takime partneriteti me TikTok.

Shefi i TikTok ishte pak kohë më parë përballë Kongresit amerikan dhe kongresistët e “kryqëzuan” si fajtor, duke i thënë atij dhe drejtuesve të katër platformave të tjera sociale se i kanë duart me gjak.

Por kryeministri i Shqipërisë duket se i beson më shumë shprehjes “gjarpri nuk është gjarpër, mjafton të mos më kafshojë mua”. Prandaj, siç kanë mësuar gazetarët, Rama e ka pasur hallin te vetja dhe jo të zgjidhë hallet e shqiptarëve, për shkak se në këtë platformë edhe thirrjet e pakënaqsisë kundër tij sa vijnë e shtohen. /Zoom.al