zoom

Day ArchiveOlta Gixhari është shtatzënë: Jam në fazën më të bukur të një gruaje

Aktorja Olta Gixhari do të bëhet nënë për herë të dytë. Lajmin e konfirmoi vetë Olta gjatë “Dancing with the stars”, ku është pjesë e jurisë.

Bora Zemani ftoi Oltën në skenë, duke e “ngacmuar” për nurin e marrë këtë periudhë dhe më pas Olta pranoi se është në pritje të ëmbël.

“Unë jam në fazën më të bukur që mund të jetë një grua. Jam në pritje të ëmbël. Është folur shumë për këtë. Por ku ka moment më të bukur sesa ta thuash sot këtë gjë dhe ta kem kujtim gjithmonë”, tha Olta Gixhari e emocionuar.

E pyetur nga Bora nëse e kanë mësuar hjininë e bebit, Olra dha këtë përgjigje:

“Unë me thënë të drejtën ende nuk e di. Do të doja të ishte rozë, por rëndësi ka që është me shëndet dhe është mirë.”

Turqia, parajsë për bandat mafioze

“Kombi im i nderuar, ne kemi arrestuar sot në Alanja dhe Stamboll tre gangsterë të rangut të lartë që ishin në kërkim,” deklaroi këtë javë për mediat sociale ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya. “Sado të fuqishme të jenë këto banda, me çfarëdo fletë-arrestimi të kërkohen, ne do t’ua marrim shpirtin,” tha me frymë luftarake, ministri i Brendshëm turk.

Që kur ai ka marrë postin në muajin qershor, nuk kalon asnjë ditë pa arrestuar ndonjë kriminel të rrezikshëm. Mes të arrestuarve ka nga ata që merren me tregtinë e drogës, që japin para me fajde të mëdha, trafikantë qeniesh njerëzore, mashtrues dhe hajdutë, por edhe koka të rëndësishme të bandave ndërkombëtare që kanë hedhur rrënjë vitet e fundit në Turqi.

Kështu ndodhi edhe ditët e fundit. Ministri i Brendshëm Yerlikaya shkruajti në X, ish-twitter, se janë arrestuar Thomas Josef K., bosi i një rrjeti të madh polak droge, Daniel Alexander M., që është në kërkim në Gjermani pasi ka pasur lidhje me një ngarkesë disatonëshe kokaine të kapur dhe P. Jin-king, shefi i një rrjeti kinez mashtrimesh. Vetëm javën e fundit ministri deklaroi arrestimin e kryetarëve të tri bandave belgo-britanike, vietnameze dhe arabe.

Para një muaji u tha se policia turke ka arritur të arrestojë gjithë drejtuesit e bandës “Comanchero”, bandë me aktivitet në gjithë botën. Mes të arrestuarve bëjnë pjesë disa kriminelë nga Australia dhe Zelanda e Re, që kërkohen me urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpoli. Yerlikaya postoi edhe video të xhiruara gjatë arrestimeve.

Pse në Turqi?

Sinjalet që tregojnë se bandat ndërkombëtare janë vendosur në Turqi, janë shpeshtuar prej kohësh. Atentatet dhe goditjet me armë nuk kanë qenë të pakta, por ka pasur edhe shumë raporte gazetarësh investigativë. Por para marrjes së postit nga Yerlikaya kundër këtyre grupeve pothuajse nuk ka pasur fare hetime serioze dhe lëshime fletë-arrestesh. Sepse ministri i mëparshëm i Brendshëm, Süleyman Soylu, kishte vetë lidhje me mafien.

Në kohën kur ministër ka qenë Soylu, u liruan nga burgu drejtues mafiozë të botës turke të krimit. Kështu Turqia u kthye në vend të preferuar për kriminelët ndërkombëtarë, sidomos ata nga Serbia, Shqipëria, Azerbajxhani, Rusia dhe Mali i Zi. Ata kanë sjellë me vete edhe konfliktet e tyre, gjë që e tregon rasti i Jovan Vukotic-it, një bosi droge nga klani Skaljari i Ballkanit. Më 8 shtator 2022, Vukotic u vra në Stamboll. Siç kanë bërë të ditur hetimet, ai mendohet të jetë vrarë nga një grup mafioz vendas, për të marrë shpërblimin prej 1,5 milionë eurosh që ishte vënë për vrasjen e tij. Porosia për vrasje është dhënë nga klani rival, klani Kavac.

Kavac dhe Skaljari, dy klane droge nga qyteti port malazez i Kotorit, kanë rreth dhjetë vjet që bëjnë luftë të vërtetë nëpër Europë. Nga konflikti i përgjakshëm i tyre, janë vrarë 50 vetë në disa vende të ndryshme. Pyetur nga Deutsche Welle në vitin 2022, Zyra Federale gjermane e Kriminalistikës, BKA pati bërë të ditur se prej disa kohësh Turqia është kthyer në vend të preferuar edhe për grupimet kriminele nga Ballkani Perëndimor.

Kontrollet e autoriteteve turke kanë treguar se si këto grupe ushtrojnë aktivitetet e tyre nga Spanja në Turqi. Fotografitë dhe dokumentet e konfiskuara tregojnë për rrëmbime, tortura dhe vrasje.

Ligje liberale dhe pasaportat e arta

Për ekspertët ka arsye të mjaftueshme pse për shumë kriminelë Turqia është kthyer vitet e fundit në atdheun e dytë. Së pari, ligjet kundër pastrimit të parave janë liberale. Së dyti, qeveria jep çdo vit amnesti për kriminelët ekonomikë. Së treti, për shumë vende ekziston mundësia e udhëtimit pa vizë. Dhe së katërti, të pasurit mund të marrin pa humbur kohë nënshtetësinë turke.

Kush investon 500 mijë dollarë në Turqi, ose i bllokon këto para për tre vjet në një llogari bankare, ose kush blen pasuri të patundshme me vlerë prej 400 mijë dollarësh, mund të kërkojë nënshtetësinë turke. Sipas Kristin Surak-ut, nga London School of Economics and Political Science, që ka shkruar një libër të ri për të ashtuquajturat “Pasaporta të arta”, në gjithë botën marrin me anë të kësaj mënyre çdo vit nënshtetësinë e një vendi tjetër rreth 50 mijë vetë. Dhe gati gjysma e këtyre “pasaportave të arta” jepen nga Turqia.

Edhe drejtues bandash ndërkombëtare mund të marrin nënshtetësinë turke, nëse plotësojnë kushte e zakonshme dhe nëse kundër tyre nuk është lëshuar ndonjë urdhër-arrest nga Interpoli, deri në momentin e marrjes së nënshtetësisë.

Furkan Sezer, ish-shef i sektorit të kriminalitetit ekonomik në policinë e Stambollit, ka vite që e vëzhgon këtë skenë. Sipas tij, shumë kriminelë marrin një herë nënshtetësinë, vendosen në vend dhe më pas sjellin edhe pasurinë me vete. Falë amnestisë së përvitshme, kjo gjë është thjeshtuar shumë. Kjo gjë i krijon mundësinë njerëzve ose personave juridikë, që të deklarojnë tek autoritetet financiare, pasurinë e paregjistruar që sjellin nga jashtë ose brenda vendit, dhe ta bëjnë këtë pjesërisht edhe duke mos paguar taksa.

Në këtë mënyrë shumë para, origjina e të cilave nuk dihet, futet në qarkullim në rrjetin legal financiar. Ozan Bingöl, ekspert për taksat, e kritikon këtë praktikë. “Zakonisht kriminelët paguajnë për të larë paratë 15 deri 20 përqind të vlerës,” thotë ai. Kurse qeveria turke, u ofron atyre legaligim pa taksa. Kjo hap dyert dhe dritaret për kriminelët, mendon ai. Bingöl ankohet se autoritetet nuk kanë kompetencë për të luftuar pastrimin e parasë. “Nëse sot vjen papritur dikush me një milionë dollarë, autoritetet nuk lejohen të pyesin nga vjen kjo para,” thotë ai. Një nga gjërat e para që bëri qeveria e tanishme e AKP, kur mori pushtetin në vitin 2002 ka qenë vënia në jetë e këtij ligji, thotë Bingöl.

Edhe për investime në kripto-monedha digjitale ka mungesë të madhe ligjesh, gjë që sipas Bingöl-it josh bandat ndërkombëtare të vendosen në Turqi. Sipas mendimit të tij, këto investime duhet të rregullohen sa më shpejt.

Turqia pjesë e listës gri

Që Ankaraja duhet të luftojë më ashpër pastrimin e parave, e ka konstatuar edhe Instituti Ndërkombëtar për Luftën kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, FAFT (Financial Action Task Force). Dy vjet më parë FAFT e futi Turqinë në të ashtuquajturën Listë gri. Që prej asaj kohe Turqia ndodhet nën vëzhgim të kujdesshëm. Kur të vijë afati tjetër i kontrollit, qershorin e ardhshëm, Ankaraja shpreson të dalë nga lista gri, sepse ekonomia e saj ashtu kështu është e lodhur shumë.

Nëpërmjet politikës jo konvencionale të përqindjeve të interesit, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e ka futur vendin në krizë të thellë. Lira turke ka vite që humbet në vlerë dhe inflacioni është duke u rritur përditë. Së fundmi niveli inflacionit ka qenë 61 përqind. Përzierja e Erdoganit me politikën e parasë dhe me drejtësinë ka trembur edhe investitorët e huaj.

Por vendi ka nevojë për to. Ministri i ri i Financave, Mehmet Simsek, që mori drejtimin e financave pas zgjedhjeve të majit, është duke u përpjekur të joshë donatorët ndërkombëtarë të vijnë në Turqi. Ai është shpesh i pranishëm në parketet ndërkombëtare dhe përpiqet të nxisë futjen e parasë së freskët në Turqi dhe rritjen e besimit ndaj Turqisë. Por për të siguruar këtë gjë, duhet të kryejnë të gjithë detyrat e shtëpisë. Jo vetëm ministri i Financave, por edhe ministri i Brendshëm, duke luftuar kriminalitetin e organizuar./ DW

Zbulohet data, kur do të nisë Big Brother Vip 3? E moderon Ledion Liço

Deri më tani dihej vetëm që edicioni i tretë i Big Brother Vip do të niste në janar, por vetë produksioni ka zbuluar mbrëmjen e kësaj të premteje edhe datën.

Në një postim në faqen zyrtare në “Instagram”, produksioni i Big Brother Vip njoftoi se edicionin e tretë shikuesit do të kenë mundësinë ta ndjekin nga data 13 janar, ku do nuk do të mungojnë surprizat dhe enigmat, të cilat janë të paralajmëruara në të njëjtin postim.

“Të gjithë banorë përveç njërit, po këta të tjerët kush janë, zbulojeni nga 13 janari”, është postimi i produksionit të Big Brother Vip.

Bashkë me datën, produksioni u ka dhënë fund zërave për emrin e moderatorit. Arbana Osmani do t’i mungojë ekranit këtët vit si moderatore e Big Brother Vip sepse vendin e saj do ta zërë Ledion Liço. Ai shfaqet në videon promovuese të Big Brother Vip 3.

View this post on Instagram

A post shared by Top Channel (@topchannelalbania)

Pjesë e Big Brother Vip 3 do të jetë edhe Luiz Ejlli, në rolin e opinionistit për lojën e banorëve brenda shtëpisë. Se kush do të jetë në krah të tij në kolltukun e opinionistes, kjo nuk është ende e konfirmuar.

Dy ditët e fundit të vitit 2023, si do të jetë moti në fundjavë?

Fundjava e fundit për vitin 2023 do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të qendrueshme. Moti parashikohet të jetë më alternime vranësirash si dhe intervale kthjellimesh.

Në orët e mëngjesit përgjatë zonave luginore do të ketë prezencë të mjegullës së dendur, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Era do të jetë nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare deri në 6m/sek, duke bërë që valëzimi në detet Adriatik dhe Jonë të jetë i ulët i forcës 1 ballë.

Viti 2023 në Kosovë – Diplomacia që nuk shmangu tensionet

Me 24 shtator, Kosova u gdhi me lajmin se një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe. Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.

Policia tha se gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të fshatit Banjskë, ku ishin strehuar sulmuesit.

“Një veturë rëndë e blinduar, vetura xhip 24 copë, motorë 4×4 2 copë, mina kundër këmbësorisë 8 copë, zolla të mbushura 29 copë, predhë minahedhësi 82 milimetërsh 54 copë, predhë minahedhës 62 milimetërsh 88 copë, granatë dore 75 copë, mina antitanke 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë, detonarë elektrikë 23 copë”, tha drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.

Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit. Beogradi mohoi të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.

Por, ambasadori amerikan në Kosova, Jeff Hovenier tha se grupi ishte i organizuar.

“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju i keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha ambasadori Hovenier.

Me 29 shtator Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake. Edhe Kosova akuzoi Serbinë për grumbullim përgjatë kufirit të saj.

Serbia mohoi të ketë shtuar forcat e saj në kufi, por më pas pranoi që pati shkurtime të pranisë ushtarake afër Kosovës.

Sulmi u dënua gjerësisht nga institucionet vendase e ndërkombëtare që kërkuan vënien para drejtësisë të autorëve.

NATO-ja miratoi forca shtesë në terren të cilat arritën në rreth 1 mijë, përforcimi me i madh i KFOR-it qe pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të shqyrtojë shtimin e pranisë afatgjatë në rajon.

Sulmi i 24 shtatorit pasoi një periudhë tensionesh në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Mbi 90 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse u plagosën më 29 maj në një përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtuan zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale në zonë të bojkotuara nga partitë politike serbe.

Dhuna shpërtheu pasi autoritetet e Kosovës shoqëruan me forca policore kryetarët e komunave në zyrat e tyre, me gjithë thirrjet perëndimore për të shmangur një veprim të tillë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin. Shtetet e Bashkuara anuluan pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se “kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze kalimtare në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”.

Por, kryeministri Kurti tha se nuk do t’i largojë kryetarët e komunave dhe nuk do t’ia dorëzojë Republikën siç tha, një bande fashiste.

“Kjo që po bëj është detyra ime. Ka struktura paralele në pjesën veriore të vendit tonë. Nëse tani do të urdhëroja kryetarët e komunave që t’i lënë ato zyra dhe të shkojnë në një zyrë diku tjetër, do të ishte sikur po angazhohem për të krijuar një lloj të një strukture paralele me strukturat paralele, duke kopjuar metodën e udhëheqësve të serbëve të Kosovës. Unë do t’i bashkohesha ilegalitetit të tyre. Unë nuk mund ta bëj këtë”, tha kryeministri Kurti.

Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake dhe urdhëroi trupat të vendosen pranë kufirit me Kosovën duke nxitur shqetësime të reja për sigurinë në rajon.

Tensionet u shtuan pasi tre pjesëtarë të policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe të cila pretenduan se ata kishin hyrë brenda territorit të Serbisë Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të saj.

Të tre policët u liruan pas disa ditësh pas trysnisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian mbi Beogradin.

Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes një plani që parashihte pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Në mes të muajit qershor Bashkimi Evropian shpalli masa kufizuese Kosovës, për shkak të siç u tha, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në veri.

Në muajin korrik qeveria e Kosovës tha se është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Pajtimi u arrit në Bratisllavë në një takim të zëvendës kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

“Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Si përfundim besoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e përqendrimit dhe vendosjen e barazisë midis palëve, që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike”, tha kryeministri Kurti.

Marrëdhëniet e Kosovës me aleatët

Masat ndëshkuese perëndimore nxitën shqetësime në Kosovë posaçërisht lidhur me marrëdhëniet me Washingtonin pas përjashtimit të Kosovës nga stërvitjet Defender Europe 2023.

“Kjo nuk është e mirë për ne, natyrisht, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës. Gjithçka që duhet të bëjmë është ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë e partnerët tanë, që t’i argumentojmë ndoshta më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara”, tha kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca.

Opozita u shpreh shqetësuar me sanksionet amerikane dhe fajësoi kryeministrin Albin Kurti për mungesë bashkërendimi me aleatin kryesor të Kosovës.

“(Albin) Kurti ka vendosur kinse të mbrojë Kosovën nga Amerika, ne jemi vendosur ta mbrojmë Kosovën nga vet dëmi që (Albin) Kurti po u shkakton interesave nacionale të Kosovës. (Albin) Kurti ka vendosur të luftojë kundër aleatëve tanë për qëllime politike, për pak vota a ma shumë, ne jemi vendosur të luftojmë bashkë me aleatët për Republikën e Kosovës, e kjo luftë kërkon maturi diplomatike, bashkërendim me miqtë ndërkombëtar dhe insistim në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Por, një prej interesave jetike për Kosovën ka qenë dhe mbetet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Nuk mund të mbrohet Kosova kur cenohet ky interes”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Kjo është e dëmshme, e papranueshme dhe karshi kësaj situate ne nuk mund të rrimë kështu duarkryq dhe duhet të marrim përgjegjësitë në duar tona në mënyrë që të arrijmë ta sanojmë dëmin të cilin e ka shkaktuar kjo qeveri dhe kryeministri (Albin) Kurti”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi fillimin e procedurave të një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

“Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian deri te sanksionet nga SHBA-të ndaj Kosovës”, tha zoti Haradinaj.

Nën trysninë perëndimore qeveria e Kosovës tërhoqi një pjesë të policëve nga ndërtesat komunale dhe hartoi një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave veriore shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Por deri në fund të vitit as zgjedhjet nuk u mbajtën e as masat nuk u hoqën.

Diplomacia në veprim

Sulmi i 24 shtatorit cilësohet si ngjarja më e rendë që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. E shqetësuar për situatën e sigurisë, diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje që u arrit në muajin shkurt në Bruksel dhe për rrugët e zbatimit të së cilës palët u pajtuan në Ohër në muajin mars.

Me 27 shkurt shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje në bazë të një plani i cili qe bërë i njohur si nisma franko gjermane.

“Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti janë pajtuar sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Një propozim që mban titullin “marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Borrell.

Me 18 mars në Ohër zoti Borrell ndërmjetësoi një takim 12 orësh rreth zbatimit të marrëveshjes e cila tha ai do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

“Dua të theksoj se për të hapur rrugën drejt arritjes së synimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Dhe kjo marrëveshje, ky aneks që është pjesë integrale e marrëveshjes, është një hap i rëndësishëm përpara për ta bërë atë realitet”, tha zoti Borrell.

Marrëveshja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja u mirëprit nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë. Por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, një propozim statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Me 26 tetor udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

Presidenti serb tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Me 27 tetor presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Përmbajtja e projekt statutit të Asociacionit nxiti shume debate posaçërisht për faktin se për një kohë u mbajt nën një vello fshehtësie.

Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes së Ohrit që çojnë në njohjen de facto apo de jure të Kosovës.

Proceset gjyqësore në Hagë

Me 3 prill në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Prokuroria e Posaçme thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 dhe kanë ndodhur në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.

Sipas prokurorisë krimet dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk ishin të përfshirë në luftime. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh shumica janë shqiptarë, por ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit i mohuan pretendimet e prokurorisë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme.

“Bashkësia Ndërkombëtare tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë për akuzat për trafikim organesh. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë që ne jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, tha zoti Thaçi në fillim të procesit gjyqësor.

Deri më tani Gjykata e Posaçme dënoi me 22 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Aktualisht është në proces e sipër gjyqi kundër ish pjesëtarit të kësaj ushtrie Pjetër Shala.

Që të gjithë i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Dhuna ndaj grave

Ndërsa Kosova po shënonte fushatën 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “Të bashkuar kundër dhunës…”, vendi u trondit nga njoftimi për vrasjen e një gruaje 30 vjeçare.

Tre veta u arrestuan në lidhje me vrasjen, në mesin e tyre bashkëshorti i saj i dyshuar për organizimin e vrasjes e cila nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe protesta më kërkesat për ë shumë siguri për gratë dhe dënim maksimal për autorët e dhunës ndaj tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu për t’i thënë stop femicidit, për t’i thënë stop vrasjes së grave dhe shtypjes së tyre. Sot kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe për të gjitha vajzat e gratë e vrara, kërkojmë dënim maksimal për kriminelët përkitazi me ligjin”, tha Nertila Qarri Gërguri nga organizata “Artpolis”..

“Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor në parlament.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës katër gra u vranë në vitin 2023, ndërsa nga janari e deri në tetor, janë raportuar dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Rastet më të shpeshta ishin dhunë ndaj gruas.

Statistikat thonë se që nga përfundimi i luftës 66 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre./ Zëri i Amerikës

Berisha “nxjerr zbuluar” Dumanin: U takua dy herë brenda dy javësh me Ramën

Mesditën e të shtunës (30 dhjetor) trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të mblidhet për të vendosur për masën e arrestit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, pas disa shtyrjesh radhazi.

Por teksa pritet vendimi i gjykatës, lideri i opozitës Berisha hodhi akuza të forta mbrëmjen e kësaj të premteje ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.

Gjatë një interviste në “RTSH”, Berisha deklaroi se Dumani është takuar dy herë brenda dy javësh me kryeministrin Edi Rama, duke mbështetur kështu akuzën e shumëpërdorur prej tij këto ditët e fundit se procesi gjyqësor ndaj tij për aferën “Partizani” është i orkestruar politikisht dhe se SPAK po vepron nën urdhrat e Ramës.

“Si mund të mendoni ndryshe, kur i gjithë establishmenti i diktaturës së bandave u vu në garë se kush të dëshmojë më shumë zellin në hakmarrjen e tij politike në funksion të Edi Ramës. Procesi është orvellian, është kafkian. Procesi tregoi të gjithë shëmtinë e këtij regjimi, që s’ka ligje, s’ka moral. Përsa i përket proamerikanizmit, nuk mund të them se çfarë përfaqëson, por ai ndjek axhendën e Edi Ramës. Kam denoncuar në gusht dy takime të tij të fshehta, jozyrtare me Edi Ramën. Është takuar 2 herë me të në harkun kohor dyjavor. Përkundrazi, më frymëzon më shumë. Nuk fitohet kurrë një betejë pa frymëzim. Frymëzimi është energjia e çdo fitoreje. Ka 120 mijë mënyra për t’ia komunikuar këtë frymëzim elektoratit. Nuk ka mure, nuk ka pengesa që ndalojnë komunikimin e idealeve”, tha Sali Berisha.

DETAJET/ Shqiptarët që masakruan me thikë të moshuarin grek u “tradhtuan” nga ushqimi dhe pija

Zbardhen më shumë detaje nga grabitja me thikë që u regjistrua në Greqi, ku shënjestër e dy të rinjve shqiptarë ishte një i moshuar grek.

Policia, sipas mediave fqinje, ra në gjurmët e autorëve (25-vjeçari Klodian Aliaj dhe një bashkëatdhetar i tij, Xheladin Bejaj, 18 vjeç) falë disa provave të gjetura në vendin e ngjarjes.

Bëhet fjalë për mbetje ushimi dhe një kanoçe me pije energjike, që ishin në vendin e krimit dhe që, pas hetimeve të kryera u zbulua se u përkisnin autorëve.

Para se të futeshin në banesën e 73-vjeçarit grek për ta dhunuar dhe grabitur, dy shqiptarët ndaluan në një market për të blerë ushqim dhe pije energjike, gjurmët e të cilave më pas “i fundosën”.

73-vjeçari i cili ishte viktima e grabitjes brutale me thikë në shtëpinë e tij në Kefaloni, po lufton me jetën në Spitalin e Janinës.

25-vjeçari shqiptar Klodian Aliaj e goditi atë me thikë në bark, kofshë dhe brinjë gjatë grabitjes.

Dy shqiptarët fillimisht thyen xhamin e shtëpisë së të moshuarit në Agia Efimia, ndërkohë që 25-vjeçari hyri në shtëpi dhe 18-vjeçari ruante.

Porti i Porto Romanos “në ajër” – A i ka qeveria lekët për projektin? (Deklarata që ngre dyshime)

Në vitin 2024 qeveria ka premtuar se do të nisë faza e parë e punimeve për portin e ri tregtar që do të ndërtohet në Porto Romano, ku do të zhvendosen të gjitha shërbimet tregtare.

2024 është “te dera”, por duket se qeveria nuk është ende e përgatitur për të nisur punën në terren sepse i mungojnë paratë.

Projekti i Porto Romanos kushton 43 miliardë lekë, por një deklaratë e vetë kreut të Autoritetit Portual të Durrësit, Pirro Vengu ngre dyshime se qeveria nuk ka arritur të sigurojë të gjitha paratë. Duke bërë llogaritë, në një intervistë për “Scan TV”, Pirro Vengu zbuloi se në fakt mungojnë edhe 100 milionë euro, të nevojshme për projektin.

Faza 1: STUDIM FIZIBILITETI PER PORTIN E RI I TREGTAR NE PORTO ROMANO

“Në kontratën e ‘Durrës Yacht Marina’, siç dihet shteti është pjesëmarrës me 33%. Sipas projeksionit të të ardhurave, përveç përfitimeve nga taksat që do të ketë shteti, që mund të shkojnë deri në 1 miliard euro, të ardhura të drejtpërdrejta për pjesëmarrjen e shtetit në projekt përllogariten të jenë 280 milionë euro. Pra, në përllogaritjen e kostos së përgjithshme për ndërtimin e Porto Romanos, që është 390 milionë euro, duke u hequr kjo shumë, mbetet të gjenden edhe 100 milionë euro. Besoj se gjetja e kësaj shume nuk do të jetë problem”, deklaroi Pirro Vengu.

Gënjeshtra me financimin

Veç mungesës së fondeve, në nëntor të këtij viti u zbulua edhe gënjeshtra që qeveria serviri për qytetarët për skemën e financimit të projektit të Porto Romanos.

Porti i ri, në të cilin do të transferohen shërbimet e portit aktual të Durrësit, do të financohet me fonde buxhetore.

Ndërtimi i këtij objekti ishte diskutuar më pareìë si një formë financimi me koncesion ose bashkëpunim shtet-privat PPP, por qeveria ka vendosur ta financojë nga buxheti.

Gënjeshtra doli në dritë pas publikimit të projektbuxhetit 2024, ku qeveria kishte parashikuar 8.62 mld lekë për ndërtimin dhe transferimin e portit të mallrave në Porto Romano, që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Këtë e pranoi edhe vetë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një prej diskutimeve për projektbuxhetin në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese.

“Nuk dua të zgjatem, por kërkojmë që ky projekt të parashikohet si shpenzim kapital me financim të brendshëm, që deri më sot parashikohej me financim të jashtëm”, deklaroi Balluku pak javë më parë.

Porti i Porto Romanos

Zhvendosja e shërbimeve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të bëhet në disa faza për një periudhe rreth 20 vjeçare.

Faza e parë e punimeve pritet të përfundojë në vitin 2025, por i gjithë porti do të përfundojë tërësisht në vitin 2050.

Sipas njoftimeve zyrtare të mëparshme faza e parë e ndërtimit përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Në këtë fazë do të ndërtohet gjithashtu një objekti detar, fushëveprimi i të cilit ende nuk është përcaktuar.

Përveç përpunimit të mallrave rreth 2 milionë kontejnerë në vit, Porti i ri Porto Romanos parashikohet të përpunojë deri në 1 milionë pasagjerë në vit, edhe pse ky shërbim ishte lënë për tu kryer nga Marina e Jahteve në Durrës.

Porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset ne Porto Romano për arsye se në vend të tij do të zhvillohet një projekt i ri me ndërtesa luksoze dhe një marinë jahtesh, një investim me kompani pjesëmarrëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zbulohet se kush e hoqi tre vite më parë urdhër-arrestin ndaj Milan Radojiçiq

Tërheqja e urdhër-arrestit ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili dyshohet si organizator i sulmit terrorist në Banjskë, vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i dyshuar për rastin “Brezovica”, është aktualizuar sërish.

Pas gati tri vjetësh, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka pranuar sot për herë të parë se ai kishte dhënë pëlqim për këtë çështje, derisa arsyet tha se s’mund të ndahen me opinionin.

Këtë deklaratë, Isufaj e dha në konferencën e fundvitit, ku shtoi se urdhërarresti i është rikthyer të njëjtit.

“Sa i përket tërheqjes së urdhër-arrestit për Radojiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme e Prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për opinionin për rastet që ne i trajtojmë.

Duhet ta dinë qytetarët e Kosovës se ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërheq për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthy”, tha kryeprokurori.

Isufaj tha se pa miratimin e tij, s’do të mund të tërhiqej urdhër-arresti.

“Pa miratimin tim, s’kish mujt me ndodhë. S’diskutohet kjo. Unë e kam dhënë pëlqimin, por arsyeja pse e kam dhënë, s’mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, pse ne, çka bëjmë. Unë në fakt nuk preferoj me i komentu rastet që i kemi nën hetim. Megjithatë, po ka urdhër-arrest dhe ai urdhër-arrest është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, prej prokurorit përkatës”, shtoi ai.

Ai u pyet edhe për deklaratën e ish-prokurorit, Sylë Hoxha, i cili në “Pressing” të T7 kishte thënë se ka pasur njerëz që janë interesuar që Radojçiqit t’i largohet urdhër-arresti.

Hoxha nuk kishte përmendur emra apo funksione, duke thënë se kanë qenë njerëz jashtë sistemit.

”Unë kam thënë që kam pasur njerëz që janë interesu, a ka mundësi me ia largu urdhër-arrestin, me u kthy ai në Kosovë. Kanë qenë njerëz jashtë sistemit dhe jashtë politikës. Ju kam thënë që këta janë çështje ligjore dhe nuk ka mundësi me u largu”, ka thënë ai.

Për këtë deklaratë, Isufaj tha se është informuar nga mediat. Sipas tij, ish-prokurori Hoxha nuk e ka ndarë asnjëherë me të këtë informacion.

“Pyeteni atë kush i ka thënë. Nëse atij i ka thënë dikush, ai ka qenë prokuror, pse ai s’ka ndërmarrë. Unë këtë informacion e kam pa prej mediave, kurrë këtë informacion s’ma ka thënë mua. Ai ka qenë prokuror, ka pas mandat. Secili që ka shku e ka mujt me i thanë diçka ka mujt me arrestu. Nuk e di pse nuk e ka ba këtë punë, nëse ka qenë ashtu qysh e ka thënë ai”, deklaroi Isufaj.

Kërkesa për revokimin e urdhërarrestit ndaj Radojiçiqit ishte bërë nga Prokuroria Speciale.

“Aprovohet kërkesa e Prokurorisë Speciale e R. Së Kosovës PPS.NR.24/2018 datës 19.02.2021, për tërheqjen e Urdhër arrestit. REVOKOHET Urdhër arresti PPPS. NR. 138/19 i datës 14.08.2020 për të dyshuarit Milan(Rajko) Radoiçiq, me pseudonim “Mica” i lindur me datë 21.02. 1978 në Gjakovë, tani me vendbanim në rrugën “Vlade Çetkoviq” pa nr.Mitrovicë Veriut, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par.3 lidhur me par.1 të KPRK’së lidhur me veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 179 par. 3 të KPRK’së”, thuhej në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që ishte marrë në shkurt të vitit 2021.

“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhër arrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhër-arrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhej në akt-vendim. /ZOOM.AL/

 

 

Raketat ruse mbi Poloni, reagon Stoltenberg: NATO do jetë vigjilente!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh sot se aleanca po monitoron situatën dhe do të mbetet vigjilente, pasi një objekt i panjohur, që besohet të jetë një raketë ruse e lëshuar nga Ukraina, ka hyrë në hapësirën ajrore polake.

Stoltenberg ka shkruar në rrjetin social X se ka diskutuar për incidentin me Andrzej Duda, presidentin e Polonisë, vend anëtar i NATO-s.

“Kam folur me presidentin Andrzej Duda për incidentin me raketa në Poloni.

NATO shpreh solidaritetin me aleatin e saj të çmuar, po monitoron situatën dhe do të qëndrojë në kontakt derisa të vërtetohen faktet. NATO do të vazhdojë të jetë vigjilente”, tha Stoltenberg. /ZOOM.AL/