zoom

Day ArchiveGjumi i keq, pse ndodh dhe çfarë duhet të bëni

Kur ditës së lodhshme i vjen fundi, dëshira për t’u strukur në krevatin e ngrohtë është e pamposhtur. Por ka raste kur kjo strehë aq e dëshiruar të kthehet në një burim ankthi dhe parehatie.

Mungesa ose vështirësia për të bërë një gjumë të qetë ka një ndikim të fortë në jetën e përditshme.

Për këtë arsye, nëse vini re që problemet me gjumin po bëhen të përsëritura, duhet të shkoni tek mjeku. Lidhur me pagjumësinë duhet që t’i bëni këto pyetje vetes.

Cili është burimi i problemeve me gjumin?

Arsyet se përse gjumi nuk vjen në sy janë të shumta.

Njerëzit mund të fiksohen në mendime për punët e të nesërmes dhe kjo i lë pa gjumë. Stresi është një shkak shumë i fortë i pagjumësisë. Apnea e gjumit është një tjetër arsye që nuk keni gjumë. Bëhet fjalë për vështirësinë në marrjen e frymës ndërkohë që jeni në gjumë. Një tjetër arsye që ju lë pa gjumë është edhe nevoja për të shkuar në banjë, gjë që mund të tregojë ndonjë problem mjekësor.

Cilat janë përpjekjet që po bën për të përmirësuar gjumin?

Përpjekja kryesore është që të krijoni një rutinë. Shmangni kafenë, alkoolin, ushqimet e rënda në mbrëmje. Kur të shtriheni për të fjetur, mbani larg telefonin dhe çdo pajisje stresuese. Kur stresi është një faktor madhor në prishjen e gjumit, atëherë mjeku mund t’ju rekomandojë qetësimin e mendjes përmes teknikave të ndryshme. Aktiviteti fizik është shumë i mirë kundër stresit dhe për gjumin e mirë. Ka njerëz që e kanë të pamundur të bëjnë një sy gjumë për shkak të ankthit apo atakut të panikut.

Për të dyja, mjeku mund t’ju japë një rrugëzgjidhje.

A përdor ilaçe?

Ilaçet për gjumë mund të ofrojnë shpëtim në disa raste, megjithatë ato rrezikojnë të krijojnë varësi. Nëse do të keni shpresa vetëm tek medikamentet, atëherë do ta keni shumë të vështirë të flini pa to.

Varësia ndaj ilaçeve të gjumit mund të tjetërsojë një pagjumësi afatshkurtër në një rast kronik.

Kur është koha për të shkuar tek mjeku?

Kur vëreni që mungesa e gjumit po bëhet e vazhdueshme duke dëmtuar cilësinë e jetës këshillohet të shkoni tek mjeku.

Zgjidhja e këtij problemi shmang edhe probleme të tjera si ataku në zemër, ishemia apo diabeti

Rama “nuk i ha” kërcënimet e Greqisë: Nuk negociojmë asgjë për Belerin

Greqia është shumë e ndjeshme kur bëhet fjalë për Fredi Belerin dhe ka kërcënuar Shqipërinë se do të pengojë integrimin e saj në Bashkimin Evropian, duke vënë veto, nëse nuk mundëson betimin e Belerit si kryetar i Bashkisë Himarë.

Por pavarësisht kërcënimeve, kryeministri Edi Rama përsëriti në një intervistë në “A2CNN” të njëjtin qëndrim për Fredi Belerin, duke shpjeguar edhe një herë se kjo çështje është lënë në duart e autoriteteve.

Pjesë nga intervista:

Gazetari: Rrezikoni hapjen e kapitujve për shkak të çështjes Beleri. A keni ju një mesazh dhe a ja vlen që të humbim dy vite për një çështje jo aq të madhe sa ajo e Belerit?

Rama: Nuk humbasim jo vite, por asnjë minut në të gjitha rastet. Sic nuk kemi humbur edhe kur na kanë refuzuar hapjen e negociatave. Nëse sot kemi një progresraport më të mirin ndër vite, një progres për të gjitha çështjet, kjo vjen nga një gjë e thjeshtë që ka të bëjë me vazhdimin e punës.

Vendosja e vetos është një gjë që ndodh rëndom në Bashkimin Evropian. Ky mesdhjetor nuk na shqetëson. Nuk do humbasim asgjë, se ne do bëjmë punën defakto.

Ne kemi pasur një proces screening që ka krijuar shumë respekt për Shqipërinë.
Gjykata e Lartë ka ngarkuar Gjykatën Speciale që të shqyrtoj këtë çështje. Ne e kemi bërë të qartë që edhe sikur të kthehet përmbys Këshilli Evropian ne nuk negociojmë asgjë.
Nuk e bëjmë dot, harrojeni që ne ta bëjmë këtë. Integrimi real sot për ne nuk është proces politik, por është proces pune.

Shqipëria ka pushtete të ndara. Ne e kemi përsëritur që drejtori i Burgjeve nuk mund të jap leje. Mbasi humbëm një tjetër kohë duke shkuar në Gjykatën e Durrësit dhe ai bëri gabim. Gjykata e Lartë vendosi dhe tha se drejtori i burgjeve nuk ka asnjë fuqi për të dhënë leje për t’u betuar Beleri.
Thelbi është me kë jeni ju! Se unë vet jam me drejtësinë.

Paralajmërimi i ish-prokurorit: “Metamorfoza” nuk ka përfunduar

Ish-prokurori Eugen Beci paralajmëroi se operacioni “Metamorfoza” do të godasë sërish.

Në një intervisët në “Top Story”, ai e bazoi paralajmërimin e tij në faktin se ka ende shumë prova që duan kohë të analizohen dhe që mund të nxjerrin emra të tjerë në skenë.

“Duke iu referuar procesit normal të një çështje normale do ketë metamorfozë 3, 4 dhe 5. Përveç materialeve që vijnë nga aplikacionet, edhe Prokuroria e Posaçme do duhet të sigurojë dhe konfirmojë provat. Mund të ketë informacione që nuk vlejnë për çështje penale. Do një hetim i cili do dojë kohë të madhe dhe të krijojnë një dosje hetimore”, tha ish-prokurori.

Ai komentoi edhe urdhrin e ministrit Balla për policët që të vetëdeklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionin “Sky”, duke e quajtur këtë një propagandë.

“Urdhri që ka dalë nga ministri i Brendshëm duke iu referuar bazës ligjore, është një urdhër i çuditshëm. Në një pikë thuhet që Drejtoria e Përgjithshme AMP bashkëpunon me institucione të tjera për të ruajtur sigurinë. Është një urdhër propagandistik. Nuk mund të penalizohet edhe me një masë si duke e hequr nga puna se ka përdorur një aplikacion që është përdorur dhe nga grupet kriminale”, u shpreh Eugen Beci.

Aksion kundër lojërave të fatit në Tiranë, policia kontrolle në lokale e salla bixhozi

Një operacion “blic” kundër lojërave të fatit po zhvillohet në Tiranë.

Aksioni i efektivëve të Krimit Kibernetik të Policisë së Shtetit nisi mbrëmjen e kësaj të mërkure dhe u shtri në disa zona të kryeqytetit.

Operacioni po zhvillohet me kontrolle të shumta, kryesisht në lokale dhe salla bixhozi, ku dyshohet se ushtrohet në mënyrë të jashtëligjshme aktiviteti.

Deri më tani mësohet se janë 20 persona të shoqëruar, ndërsa aksioni është akoma në zhvillim…

Ndarja me Olsi Bylykun e stisur? Përgjigjet Egli Tako

Një nga ndarjet që mori vëmendje në showbizin shqiptar ishte ajo e Olsi Bylykut me Egli Takon.

Ata ishin gjithmonë bashkë dhe shfaqeshin shumë të lumtur dhe të dashuruar krah njëri-tjetrit në ekran, por pak muaj më parë çifti konfirmoi ndarjen, por pa zbuluar arsyen.

Pikërisht për këtë të fundit, fundi i historisë së tyre të dashurisë vijon të komentohet në rrjet dhe media.

Një nga teoritë që qarkullon në rrjet është se ndarja e tyre erdhi si një skemë, për të rikrijuar në Big Brother historinë e famshme Donald-Bora. Kjo u diskutua edhe gjatë emisionit “Shqipëria live” me një panel sot.

Pas emisionit, Egli reagoi indirekt, duke i quajtur këto thashetheme skenarë të një telenovele indiane.

“Po, po. Yhy. Telenovela indiane.”- shkruan ajo në “Instastory”.

“Asfalti elektoral” mbetet rrugëve pas zgjedhjeve të 14 majit

Në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, punëtorët e një kompanie ndërtimi u shfaqën nxitimthi në rrugën kryesore të fshatit Gjonme, rreth 11 kilometra larg Elbasanit, ku brenda një kohe të shkurtër bënë kanalizimet, vendosën pusetat dhe shtruan çakull mbi trase.

Por me të mbaruar procesi zgjedhor, punëtorët u zhdukën dhe rruga 450 metra e gjatë mbeti e papërfunduar. Gjashtë muaj më vonë, Hasime Nasufi nga fshati Gjonme është e zhgënjyer.

“Mbaroi dasma dhe ikën dasmorët,” thotë ajo duke iu referuar ditës së votimit. Gruaja ankohet gjithashtu se për shkak të punimeve, shtëpia e saj ka mbetur prej muajsh pa portë.

Rruga e fshatit Gjonme është vetëm një nga dhjetra segmentet e Bashkisë së Elbasanit që nisën të riparoheshin përpara zgjedhjeve lokale përmes një marrëveshjeje kuadër me vlerë 151 milionë lekë, që përfshinte rrugët e pesë lagjeve të qytetit dhe gjashtë njësive të tjera administrative.

Kantieret e hapura shërbyen si dekor i takimeve elektorale të kandidatit të Partisë Socialiste, Gledian Llatja, i cili fitoi në zgjedhjet e 14 majit një mandat të dytë. Por kryebashkiaku i Elbasanit nuk ishte i vetmi.

Të dhënat e siguruara nga BIRN në Agjencinë e Prokurimeve Publike, APP tregojnë se mbi 4 miliardë lekë [39.5 milionë euro] u shpenzuan për rehabilitime dhe asfaltime rrugësh nga 50 bashki të vendit dhe u përdorën si kalë beteje në fushatën elektorale të Partisë Socialiste – shpeshherë në shkelje të parashikimeve të Kodit Zgjedhor.

Shtrimi i rrugëve në prag fushatash është një praktikë e vjetër e zgjedhjeve shqiptare, e njohur gjerësisht me termin ‘asfalt elektoral’. Por ky fenomen u shumëfishua në zgjedhjet e fundit vendore, duke sjellë sipas ekspertëve cenim të standardit të zgjedhjeve dhe financave publike të qytetarëve.

“Prokurimet me nxitim para datës së zgjedhjeve nuk garantojnë cilësi, transparencë dhe qëndrueshmëri,” tha Agron Haxhimihali, drejtor i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë.

“Imazhe të tilla nuk vlejnë fare, por u shërbejnë vetëm për politikë,” shtoi ai.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja e cilësoi asfaltimin e rrugëve një punë në vazhdimësi të bashkisë së drejtuar prej tij dhe mohoi që këto investime të ishin përdorur për fushatë elektorale.

“Nuk ka asnjë përfitim politik apo avantazh për punët që bëhen në interes të qytetarëve,” tha Llatja përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp.

“Madje po të bëni një analizë zgjedhore serioze të rezultateve, asnjëra nga investimet e bëra gjatë 4 viteve nuk ka sjellë një ndryshim elektoral në rezultatin zgjedhor tradicional, madje në disa zona si kjo që thoni ju nuk ka patur ndikim pozitiv elektoral në asnjë moment,” shtoi ai.

Tenderat e asfaltit

Të dhënat e siguruara nga Agjencia e Prokurimeve Publike tregojnë se shumica e bashkive të vendit i planifikuan tenderat për sistemime dhe asfaltime të rrugëve në muajt tetor- dhjetor të vitit 2022 dhe i zbatuan ato përgjatë periudhës 4-mujore përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Nga shuma totale prej 4 miliardë lekësh, Bashkia e Tiranës kryeson listën me 852 milionë lekë të tenderuara për asfaltime rrugësh deri në fund të vitit 2022 ose gati 21% të shpenzimeve totale.

Bashkia e dytë për nivelin e shpenzimeve është ajo e Kamzës me 796 milionë lekë, e ndjekur nga Bashkia e Dibrës me 214 milionë lekë. Të tre këto bashki u fituan nga kandidatët e Partisë Socialiste.

Nga një vëzhgim i disa prej rrugëve që iu nënshtruan rehabilitimit në Elbasan, Tiranë dhe Durrës dhe dëshmoi që në disa prej tyre është hedhur një shtresë asfalti pa u shoqëruar me gërryerje apo kanalizime, ndërsa në disa të tjera punimet nuk kanë përfunduar ende. Në një rast në qytetin e Durrësit, BIRN verifikoi se punimet nuk kishin filluar edhe pse kontrata është lidhur muaj më parë.

Tirana u kthye në një kantier ndërtimesh në prag të zgjedhjeve lokale, por jo të gjitha rrugët patën të njëjtin fat. Në rrugën “Ali Baushi” në afërsi të zonës së njohur si “Xhamlliku”, një tabelë paralajmëron mbylljen e segmentit për shkak të punimeve. Por banorët ankohen se tabela qëndron aty prej muajsh, ndërsa me përjashtim të disa punimeve para zgjedhjeve, askush nuk ka vënë dorë për mbylljen e gropave dhe asfaltimin e rrugës.

Në qytetin bregdetar të Durrësit, rruga e Dëshmorëve – një nyje kryesore që shtrihet nga kryqëzimi me rrugën “Mujo Ulqinaku” deri te stacioni i Trenit – nuk është prekur ende, ndonëse kontrata është nënshkruar në maj 2023.

“Nuk kemi parë makineri e gjëra, por kjo rrugë nuk është keq. Ka rrugë më të këqjia Durrësi dhe rrugica që duan investime. Kjo edhe mund të priste ca kohë,” thotë një banor i një rrugice aty pranë që ka dalë të bëjë pazaret.

Në fshatin Gjonme të Elbasanit, Fatmir Coha thotë se është ankuar te administratori për lënien në mes të punimeve, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

“Nuk na treguan projekt fare dhe erdhën me yrysh të madh para votimeve. Mbaruan zgjedhjet askush nuk u duk më,” tha Coha.

Kryebashkiaku Gledian Llatja tha se punimet në këtë rrugë ishin ndërprerë për shkak të problematikave teknike, por shtoi se ajo do të asfaltohej shumë shpejt. Ndërsa Bashkia e Durrësit tha se punimet në rrugën e Dëshmorëve ishin shtyrë për shkak të lejes infrastrukturore, e cila ishte miratuar në muajin nëntor.

Vonesat dhe cilësia e dobët e punimeve të kryera me nxitim përpara zgjedhjeve nuk përbëjnë një lajm të ri për Haxhimihalin, ekspert i pushtetit vendor.

“Këto praktika tenderimi dhe marrëveshjet kuadër kanë sjellë si pasojë që në disa qytete investimet kanë filluar dhe janë lënë përgjysmë, ose nuk kanë filluar fare apo kanë cilësi shumë të dobët,” theksoi ai.

Shtrembërim i sistemit

Përdorimi i burimeve njerëzore dhe fondeve publike për fushatë zgjedhore është një nga problematikat më të mëdha të proceseve zgjedhore në Shqipëri, pavarësisht se me ndryshimet e vitit 2020 të Kodit Zgjedhor pati një përpjekje për të ndarë shtetin nga partia.

Sipas nenit 92 të Kodit Zgjedhor dhe një udhëzimi të nxjerrë nga KQZ, aktivitete të tilla si përurime apo promovime investimesh me pjesmarrjen e funksionarëve politikë janë të ndaluara për një periudhë 4- mujore para datës së zgjedhjeve.

Megjithatë, këto parashikime ligjore krijojnë shpesh paqartësi dhe konsiderohen të pamjaftueshme për t’i dhënë fund shfrytëzimit të burimeve shtetërore në fushatat zgjedhore.

Kristaq Kume, drejtues i Institutit Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve tha se asfalti elektoral është një shembull tipik i përdorimit të burimeve publike në zgjedhjet lokale të vitit 2023, ndonëse titullarët e bashkive mund të gjejnë justifikime.

“Mënyra si e trajton legjislacioni këtë fakt, hap shtigje për përdorimin e burimeve financiare publike në funksion të fushatës së zgjedhjeve dhe është e nevojshme të shikohet dhe të rikonsiderohet kjo mënyrë trajtimi e kësaj çështjeje,” tha Kume.

Ai sugjeron një riformulim të nenit 92 në mënyrë që të zvogëlojë në maksimum hapësirat e përdorimit të financave publike, por pa cënuar që puna dhe shërbimet ndaj qytetarët të vazhdojnë.

“Dispozita duhet të mos lejojë ekuivoke siç kemi parë të ndodhë deri tani,” sugjeroi Kume.

Ndryshe nga Kume, Haxhimihali nuk mendon se ky problem mund të zgjidhet me ndryshime ligjore, por me vullnet politik, integritet dhe reagim të fortë qytetar.

“Përdorimi i investimeve publike gjatë fushatës krijon devijanca të rënda në vullnetin e votuesit dhe më e keqja është se prishin parimet e demokracisë dhe një sistem të drejtë zgjedhor,” tha Haxhimihali.

‘Madje këto investime përdoren qëllimisht për këtë shtrembërim,’ përfundoi ai./ Reporter.al

Lëshohet urdhër arresti për Radoiçiç, akuzohet për sulmin terrorist në Banjskë

Interpoli ka lëshuar fletë-arresti për të sanksionuarin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radoiçiç.

Ai dyshohet se është edhe organizator i sulmit terrorist të Banjskës më 24 shtator, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë kohës që ishte në detyrë.

Pas ngjarjes, Radoiçiç arriti të largohej në Serbi, së bashku me një pjesë të terroristëve.

Dy muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikoi një video nga banesa dhe vila e Milan Radojçiç, duke dëshmuar se udhëheqësi grupit terrorist në Banjskë ishte Milan Radojçiç. Këtë e pranoi edhe ai vetë më vonë, duke dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Ndërkohë sot Policia e Kosovës ka konfiskuar një anije me shpejtësi të madhe që i përket Radoiçiçit.

Familja e Liridonës pret drejtësi: Kriminelët të kalben në burg

Familja e Liridona Ademajt pret nga autoritetet në Kosovë që të ndëshkojnë vrasësit e saj. Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, bëri një reagim në “Facebook” pas ditëve të vështira që kaluan në familje, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që qëndruan pranë në këtë periudhë, por edhe për t’u bërë thirrje organeve të drejtësisë t’u japin kriminelëve atë që meritojnë.

“Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.

Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi.

Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.

Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi”, tha Leonard Ademaj.

Liridona ishte 30-vjeçarja që u vra tragjikisht të mërkurën e 29 nëntorit, në Prishtinë dhe tronditi mbarë opinionin publik, jo vetëm në Kosovë.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e raportoi rastin si “Grabitje me pasoja të vrasjes”.

Natën e vrasjes, bashkëshorti i të ndjerës deklaroi në polici se kishin rënë pre e një grabitje, ku ai së bashku më fëmijët kanë mundur të largohen nga makina, ndërsa bashkëshortja e tij jo.

Por prapaskenat ishin më të errëta.

Policia arrestoi si të dyshuar bashkëshortin, Naim Murseli, vrasësin Granit Plaven si dhe Kushtrim Kallakun, nipin e Naimit si bashkëpuntor.

Plani i Ruandës “trazon” qeverinë britanike, jep dorëheqjen ministri

Plani i qeverisë britanike për të dëbuar emigrantët e paligjshëm në Ruanda ka trazuar kabinetin qeveritar.

Pas largimit të Sekretares për Punët e Brendshme, Suella Braverman, ministri i emigracionit në Britaninë e Madhe, Robert Jenrick ka dhënë dorëheqjen.

Lajmi, sipas mediave britanike, është konfirmuar edhe nga vetë Sekretari i Brendshëm, James Cleverly.

Në një dalje për të konfirmuar planin e Ruandës, ai u pyet nga deputeti Ashely Dalton nëse ministri kishte dhënë dorëheqjen dhe Cleverly u përgjigj: “Kjo është konfirmuar”.

Miqtë e Jenrick thanë për mediat se ai ka dhënë dorëheqjen, por ai vetë nuk e ka konfirmuar diçka të tillë publikisht.

Sekretari britanik i Punëve të Brendshme, James Cleverly, mbërriti të martën në Ruandë për të nënshkruar një marrëveshje të re për dërgimin e azilkërkuesve në vendin afrikan, pasi Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar e shpalli të paligjshme skemën e mëparshme të dëbimit.

Plani i Ruandës qëndron në qendër të strategjisë së qeverisë britanike për të reduktuar emigracionin dhe po shihet nga afër nga vende të tjera që po konsiderojnë politika të ngjashme.

Vrasja mizore e 14-vjeçares – Maqedonia e Veriut i kërkon Turqisë “kokën” e autorit

Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nga autoritetet turke që ta mbajnë në paraburgim të dyshuarin kryesor për vrasjen e vajzës 14-vjeçe në Shkup dhe të një 74-vjeçari në qytetin e Velesit deri sa të përfundojnë procedurat për ekstradimin e tij.

Zyra e Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga njofton se ai e ka nënshkruar kërkesën për ekstradim që do t’i dërgohet Ministrisë turke të Drejtësisë. Shkupi pret që Ankaraja të veprojë me shpejtësi në përgjigje të kërkesës.

Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje të përbashkët për ekstradim. Pasi të miratohet ekstradimi, do të merret një vendim për kohën dhe mënyrën e transferimit të të dyshuarit, Lupço Palevski.

Palevski u kap dje pasdite në qytezën Balikesir, në jug të Stambollit. Ai fillimisht ishte arratisur në Serbi, duke thënë se i duhej të shkonte për arsye shëndetësore. Avokati i tij deklaroi në polici se nuk kishte njohuri për përfshirjen e klientit të tij në vrasje.

Më pas, i dyshuari, sipas njoftimeve të organeve të rendit është larguar prej atje përmes Bullgarisë në drejtim të Turqisë. Aktualisht, pesë persona janë të dyshuar për veprën e vrasjes apo ndihmën në vrasjen e Vanja Gjorçevskës, përfshirë babain e saj, Aleksandar Gjorçevski i cili dyshohet se i kishte dhënë informata të akuzuarit kryesor Palevski lidhur me lëvizjet e vajzës së tij.

Ajo u rrëmbye më 27 nëntor në hyrje të ndërtesës ku banonte në qendër të Shkupit. Autoritetet njoftuan se vajzës i kishin lidhur duart dhe këmbët, e kishin futur në një thes dhe në bagazhin e makinës për ta dërguar pranë fshatit Brazdë në veri të Shkupi. Organet hetuese thonë se pas rreth tre orësh nga rrëmbimi, 14-vjeçarja ishte ekzekutuar me revole.

Vetura ishte pronë e Pençe Zhezhovskit, një berber 74 vjeçar, po ashtu i ekzekutuar më 24 nëntor nga Lupço Palevski. Prokuroria thotë se viktima u vra për një borxh prej 500 eurosh.

Procedurat e autopsisë kanë përfunduar, por të dhëna konkrete nuk janë bërë të ditura për publikun. Babai i vajzës ka mohuar përfshirjen në vrasjen e saj, ndërkaq njëri nga të arrestuarit ka pranuar pjesëmarrjen në këtë vepër të rëndë. Të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas dyshimeve të policisë, motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës mund të jetë përfitimi material, apo zhvatja e parave nga nëna e saj që kishte shitur së fundmi një banesë të trashëguar prej prindërve të saj. Dy prindërit e vajzës ishin të divorcuar.

Ky rast ka tronditur opinionin e gjerë publik në Maqedoninë e Veriut. Dënimet me vdekje nuk ekzsitojnë në vend, ndërsa ekspertët presin nga gjykatat të japin dënime maksimale për autorët e kësaj vepre të rëndë./ Zëri i Amerikës