zoom

Day Archive“Unë ta zgjidh këtë punë”- Zbardhet dosja e vrasjes së Liridonës

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, organizuesi i krimit, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla.
“Sot duhet të kryhet kjo punë”, mësohet t’i ketë thënë ai duke iu referuar vrasjes së gruas së tij.Sipas dosjes së prokurorisë takimi ka ndodhur në orën 9:30 të mëngjesit në qendër të Gjakovës.

Ata ishin takuar edhe një javë para se të ndodhte krimi makabër,ndërsa Murseli i ka treguar Kokallës lidhur me problemet që kishte asokohe me të ndjerën.

Sipas dosjes së prokurorisë Kokalla ishte shprehur i bindur se këtë punë duhet t’ja lëri atij në dorë pasi do ja zgjidhte,ndërsa më pas diskutuan për aksidentin e inskenuar të grabitjes.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kërkoi numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë . Të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 Murseli kishte siguruar armën dhe më pas ia kishte dorëzuar ekzekutorit.

Fill pas kësaj ata zbatuan planin për të cilin kishin biseduar më parë. Si fillim Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre. Papritmas del para makinës autori Granit Plava me maskë në kokë dhe armë në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijët ka dalë nga automjeti dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në automjet mbeti vetëm e ndjera Liridona Murseli, e cila u qellua me një plumbë në pjesën e qafës duke mbetur e vdekur në vend.

I gjithë ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij krimi.

Sot në seancën e mbajtur avokati i Murselit deklaroi se klienti i tij nuk e kishte kryer veprën siç ishte përshkruar në dosjen e akuzës dhe theksoi se ai nuk ka qenë i përfshirë në aktin e vrasjes.

Në përpjekje për të shmangur paraburgimin, avokati Ahmeti kërkoi nga gjykata që të mos e aprovojë kërkesën e prokurorisë ose, në të kundërt, të caktojë një masë më të butë, alternative. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga ana e gjyqtares.

Kurti reagon ashpër për vrasjen e Liridonës: Autorët duhet të marrin dënim maksimal

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj. Në një postim në Facebook ai ka kërkuar dënim maksimal për autorët e këtij krimi makabër.

“Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bjeri mbi supet e grave e vajzave.
Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe të marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, ka shkruar Kurti ne rrjetin social Facebook.

Duke përkujtuar se dhimbja për këtë krim të tmerrshëm është e madhe, Kurti thotë se për të parandaluar ngjarje të tilla makabre duhet të angazhohen të gjithë.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegjja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për të parandaluar këto krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”, ka vijuar më tej shefi i ekzekutivit të Kosovës.

Kurti ka potencuar se qytetarët e Kosovës presin nga zyrtarët publikë që punojnë apo kanë punuar në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë që besojnë se ia dalin.

SHBA paralajmëron rritjen e dezinformimit nga Kina, shqetësim për aplikacionin TikTok

Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë se përpjekjet e Partisë Komuniste Kineze për të përhapur dezinformim do të vazhdojnë të shtohen përpara zgjedhjeve të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Catherine Gypson, shqetësimi kryesor për ligjvënësit është kompania e mediave sociale TikTok.
Ligjvënësit amerikanë paralajmëruan të enjten se fronti më i rëndësishëm në konkurrencën mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të jetë në telefonat celularë.
“TikTok-u është ndoshta operacioni më i madh i ndikimit keqdashës që është bërë ndonjëherë. Të lejohet që një entitet i kontrolluar nga Partia Komuniste Kineze të mbizotërojë platformat e mediave në Amerikë, do të ishte një gabim shumë i madh”, tha Ligjvënësi Mike Callagher, kryetar i Komisionit për Kinën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përhapja e dezinformimit në platformat e ndryshme të mediave sociale, përfshirë TikTok-un, mund të dalë me shpejtësi jashtë kontrollit, thonë ligjvënësit amerikanë.
“Pamjet komplet false të Donald Trump-it janë një tregues se çfarë duhet të presim në të ardhmen. Ndërsa përmirësohet teknologjia, po kështu do të përmirësohen aftësitë teknologjike dhe materialet false do të kalojnë nëpër mediat sociale pa u pikasur”, tha ligjvënësi demokrat Raja Krishnamoorthi.
Mënyra se si funksionon TikTok-u shkakton shqetësimin më të madh për ligjvënësit dhe ekspertët.
“TikTok-u është një aftësi më e sofistikuar, pasi të paktën teorikisht, mundet të përqëndrojë mesazhe të caktuara tek audienca dhe demografi të caktuara nëpër botë. Ka një algoritëm që nuk e shqyrton dot njeri dhe që gjendet në Kinë. Dhe shteti kinez nuk ka lejuar shitjen e këtij algoritmi”, thotë John Garnaut, nga Instituti Australian për Politikat Strategjike.
Por praktikat kineze të biznesit mund të komprometojnë edhe pronarët e mediave sociale.
“Elon Musk-u mund të jetë në veçanti i ekspozuar ndaj trysnisë nga Pekini, pasi ai ka interesa të forta biznesi në Kinë. Dhe Partia Komuniste Kineze është shumë efikase në përdorimin e bizneseve të huaja për t’i detyruar të ndjekin linjën e partisë”, thotë Yaqiu Wang, nga organizata “Freedom House”.
Ekspertët u thanë ligjvënësve se TikTok-u po bëhet gjithnjë e më shumë burimi kryesor i lajmeve për amerikanët, në veçanti për të rinjtë, por se mund të miratohen ligje për të ndalur përhapjen e dezinformimit.
“Duhen rregullore që të kërkojnë transparencë nga të gjitha platformat e mediave sociale, përfshirë për politikat mbi kontrollin e përmbajtjes, zbatimit të ligjeve, cilat materiale i censurojnë apo i përhapin gjerësisht me kërkesë të qeverive”, thotë zonja Wang.
Një gjykatës federal në Montana vendosi të enjten masën e parë të bllokimit të TikTok-ut, duke e quajtur këtë platformë antikushtetuese.

/VOA

Kunati plagos kunatin/ sulm me thikë tek “Kodra e Diellit” në Tiranë

Nje sulm me thikë ka ndodhur në Tiranë.Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Kodra e Diellit”.

Mësohet se kunati ka plagosur me thikëkunatin,ndërsa ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes. Fatëmirësisht i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka reaguar zyrtarisht për plagosjen në Tiranë.

Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se shtetasi S. H., 57 vjeç është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital, pasi ishte dëmtuar në dorë me thikë gjatë një konflikti me kunatin e tij, shtetasin S. T., 57 vjeç.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 03.12.2023, rreth orës 15:35, në SUT është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi S. H., 57 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Priftit”, i cili në banesë, gjatë një konflikti me kunatin e tij, shtetasin S. T., 57 vjeç, është dëmtuar në dorë, me mjet prerës.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të konfliktit.

Sulm me thikë në New York/ Katër të vdekur dhe tre të plagosur

Katër persona kanë humbur jetën, mes tyre dy fëmijë dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në Queens të New York-ut.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa menjëherë pas njoftimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes.

Pasi mbërritën gjetën viktimat në një shtëpi që i ishte vënë zjarri. Autori i dyshuar sulmoi me thikë edhe dy policë para se të qëllohej nga njëri prej tyre.

Agresori u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhë për pasojë humbi jetën./ Zoom.al

Cilat sëmundje parandalon shurupi i mollës?

Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni për të mbajtur larg sëmundjet.

Molla, është një frut që rritet anëembanë botës dhe vlerësohet nga të gjithë, jo vetëm prej shijes por edhe prej përfitimeve shëndetësore.

Shurupi i mollës përmban shumë vitamina të rëndësishme për të mbajtur trupin të fortë e të shëndetshëm. Përmban gjithashtu fitoushqyes që pengojnë shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetsore siç janë azma, sëmundjet kardiovaskulare dhe tensioni i gjakut. Falë përmbajtjes së antioksidantëve, shurupi i mollës pakëson rrezikun e shfaqjes së shumë sëmundjeve kronike.

Molla është burimi më i pasur i përbërësve fenolikë që përthithen drejtpërdrejt nga gjaku. Përqendrimi më i lartë i këtyre ushqyesve gjendet tek lëkura e mollës, por edhe direkt nën të. Molla ka një sasi të përshtatshme të pektinës dhe fibrës. Shurupi i saj përmban një sasi të konsiderueshme të vitaminave A, C dhe B6. Nëse pini një gotë me shurup molle do të përfitoni 10 lloje të ndryshme vitaminash në të njëjtën kohë. Shurupi i mollës përmban edhe minerale shumë të rëndësishme siç janë kalciumi, kaliumi, fosfori, magnezi, mangani dhe hekuri. Shurupi i mollës përmban gjithashtu fitoushqyes të shumëfishtë. Ky shurup përmban pak sodium, por asnjë gjurmë yndyre apo kolesteroli.

Shurupi i mollës parandalon diabetin

Shurupi i mollës ul rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2, falë përbërësve fenolikë që rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe stimulojnë qelizat beta në pankreas për të sekretuar më shumë insulinë. Në këtë mënyrë, shurupi i mollës ndihmon në përthithjen e glukozës nga ana e traktit tretës.

Shurupi i mollës për një lëkurë plot shkëlqim

Shurupi i mollës është i dobishëm për lëkurën dhe flokët. Ai mund të përdoret si një kurë speciale kundër inflamacionit të lëkurës, kruarjeve, çarjeve, puçrave, akneve dhe rrudhave. Shurupi i mollës është i mirë edhe kundër zbokthit në përdorimin e tij në larjen e flokëve.

Shurupi i mollës për rënien në peshë

Shurupi i mollës përmban pak kalori dhe sodium duke ndihmuar kështu në largimin e lëngjeve të tepërta në organizëm. Prania e tepërt e ujit në organizëm të jep përshtypjen e një trupi obez dhe të rëndë. Shurupi i mollës është plot me fibër dhe ju bën të ndiheni të ngopur, duke shmangur kështu nevojën e të ngrënit të tepërt.

Shurupi i mollës i bën mirë zemrës

Shurupi i mollës përmban shumë antioksidantë, polifenolë dhe flavonoidë që ushqejnë dhe mbrojnë zemrën. Kaliumi që gjendet tek molla është i dobishëm për shëndetin e zemrës.

Parandalon astmën

Pacientët që vuajnë nga azma dhe që pijnë shurup molle në mënyrë të rregullt, përjetojnë më pak simptoma të azmës, sepse molla përmban shumë vitaminë C dhe antioksidantë.

Shëndeti i mëlçisë

Shurupi i mollës ndihmon në largimin e toksinave nga trupi dhe ruan nivelin e pehashit në organizëm. Ky shurup luan rolin e një pastruesi efikas të mëlçisë.

Përmirëson imunitetin

Vitamina C tek molla forcon sistemin imunitar dhe parandalon shfaqjen e shumë sëmundjeve që shkaktohen nga viruset dhe bakteret.

Si të përgatisni shurupin e mollës

Përbërësit:

1 mollë
½ lugë çaji me kanellë
½ lugë çaji me ekstrakt vanilje
1 gotë me ujë
Mjaltë

Udhëzimet

Qërojeni mollën dhe ndajeni në copa. Hidhini copat e mollës në një tenxhere dhe shtoni ujin, kanellën dhe vaniljen. Zjejini të gjithë përbërësit dhe më pas uleni zjarrin duke e lënë tenxheren edhe për 5 minuta të tjera në zierje të ngadaltë. Lëreni shurupin të ftohet dhe hiqni copat e mollës. Lëngun hidheni në një kavanoz qelqi. Shtoni mjaltë sipas dëshirës. Ruajeni në temperaturë ambienti ose futeni në frigorifer, nëse planifikoni ta përdorni më vonë.

Edhe nëse e ruani në frigorifer mund ta ngrohni sërish nëse dëshironi ta përdorni si pije të ngrohtë./AgroWeb

Trupi i Liridona Ademajt do të prehet pranë fshatit të familjes, prokuroria miraton kërkesën

Pas kërkesës së familjes së saj,trupi i Liridona Ademajt, 30 vjeçares që u vra nga bashkëshorti i saj do të zhvendoset nga varrezat ku gjendet për t’u prehur në varrezat e fshatit Rracaj, komuna e Gjakovës. Kërkesa u pranua ng prokuroria, ndërsa në njoftim thuhet se rivarrimi do të bëhet ditën e hënë.

“Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamir se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj e vrarë me datën 29.11.2023 bëhet nesër me datë 4 dhjetor 2023 në varrezat e fshatit Rracaj në ora 14:00”, thuhet në njoftimin e familjes së Liridonës.

Familjarët e të ndjerës sot i dorëzuan një kërkesë me shkrim prokurores Besa Limani për të lejuar zhvarrosjen dhe rivarrimin e Liridonës pranë fshatit Rracaj.

“E nderuar prokurore, kërkojmë nga ju që të na mundësoni që turpin e vajzës sonë Liridona Ademaj ta zhvarrosim dhe ta rivarrosim në fshatin Rracaj. Kjo është një procedurë dhe përjetim tepër i rëndë për neve dhe këtë vendim e kemi marrë me shumë vështirësi por duam që ajo të prehet në shtëpinë e saj”, shkruhej në kërkesën e familjarëve të Liridonës.

Vrasja e Liridonës fillimisht u raportua si “grabitje me pasoja të vrasjes”. Por pak orë më vonë u zbulua se ishte një krim i organizuar nga bashkëshorti i saj, i cili udhëtonte në të njëjtën makinë, kur në periferi të Prishtinës një persona i maskuar u doli përpara.

Naim Murseli deklaroi se mundi të dilte nga mjeti së bashku me fëmijët. Po pas arrestimit të bashkëfshatarit të tij Granit Plava, ky i fundit rrëfeu se kishte kryer vrasjen e Liridonës kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh nga burri i saj.

Menjëherë u vu në pranga Naim Murseli i cili si porositësi i krimit. Motivet nuk janë zbardhur ende, por dyshimet e hetuesve janë se Liridona u vra nga bashkëshorti për shkak të siguracionit të saj në Suedi.

Nënprodhimi i vajit të ullirit “fik” industrinë

Kujtim Kadiu, fermer i fshatit Dushk të Lushnjës, i cili zotëron 300 rrënjë ullinj, krahasuar me vjet ka prodhuar 40% më pak vaj ulliri.

Pavarësisht se i ka shtuar shërbimet ndaj pemës së ullirit, rënia e prodhimit u ndikua nga paqëndrueshmëria e motit dhe futja me vonesë e rrënjëve të reja në prodhim.

Mesatarisht, rendimenti për pemë varion nga 10 deri në 15 kg, ndërsa vitin e kaluar, ishte 20 deri në 25 kg ullinj për rrënjë. Kujtim Kadiu pohoi se vajin e prodhuar e mban të depozituar në bidonë plastikë në shtëpi dhe pret ta shesë vetë në tregun e brendshëm me çmim 800 lekë për litër.

Ndërsa Zhazivar Lila, fermer nga Peqini, i cili zotëron 800 rrënjë ullinj, do t’i shesë individualisht për eksport në Itali 500 litra vaj ulliri të prodhuar, me çmim 8 euro për litër.

Sipas tij, shitja e vajit me këtë çmim është shumë e leverdishme për fermerin, pasi arrin t’u sigurojë fitimet e munguara të vitit 2022.

“Këtë vit, prodhimi është 40 deri në 50% më i ulët se vjet, por çmimi është shumë i kënaqshëm për ne fermerët. Me këtë çmim do të mund të mbulojmë humbjet e vitit të kaluar.

Vjet e shitëm vajin me çmim 350 deri në 400 lekë për litër, totalisht nën koston e prodhimit”, nënvizoi ai.

Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2022 u prodhuan 29.230 vaj ulliri. Krahasuar me vjet, prodhimi i vajit të ullirit u rrit me 13%.

Për 2022, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 17,2 kg. Krahasuar me 2021, rendimenti për rrënjë u shtua me 37%.

Vitin e kaluar shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2021, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 2%.

Për vitin 2023, mungesa e prodhimit ka dyfishuar çmimin e shitjes së vajit të ullirit krahasuar me vjet. Vaji i ullirit po tregtohet nga fermeri me çmim që varion nga 600, 700 deri në 800 lekë për litër.

Por shtrenjtimi i çmimit që erdhi nga mungesa e prodhimit po penalizon fabrikat e grumbullimit dhe eksportuesit.

Drejtuesit e pikave të përpunimit dhe grumbullimit të zonave ku është përqendruar prodhimi i lartë i ullirit, si: Elbasan, Mallakastër, Vlorë dhe Lushnjë njëzëri pohojnë se deri tani nuk kanë depozituar asnjë litër vaj për ambalazhim, me qëllim shitjen e tij në tregun e brendshëm dhe eksport, pasi çmimi është i paleverdishëm.

Sipas tyre, çmimi i vajit të ullirit, duke përfshirë koston e ambalazhimit, paketimit dhe transportit arrin 1,200 deri në 1,300 lekë për litër. Për këto arsye, vaji i ullirit si çdo vit, përveçse nuk po ruhet me standarde, vijon të shitet në informalitet me bidonë nga fermeri, duke mos krijuar vlerë të shtuar për ekonominë.

Deri në mbylljen e sezonit të vjeljes dhe përpunimit të ullirit (periudha nëntor-dhjetor) parashikohet që sasia e vajit të prodhuar për zona të caktuara të bjerë 30 deri në 70% krahasuar me vjet.

Prodhuesit dhe përpunuesit thanë se rënia e prodhimit u ndikua jo vetëm nga kushtet klimatike, peridiociteti i prodhimtarisë, karakteristikë për pemën e ullirit, por edhe nga mungesa e shërbimeve, për shkak të kostos së lartë të pesticideve dhe rritjes së kostos për fuqinë punëtore.

Agron Çakalli, administratori i Federatës Bujqësore Elbasan (F.B.E) tha për “Monitor” se deri tani nuk ka grumbulluar asnjë litër vaj ulliri nga fermerët me qëllim ambalazhimin dhe tregtimin me markën “Valmi”.

Z. Çakalli pohon se çmimi i shitjes 700 lekë për litër është i paleverdishëm si për shitjen e vajit “Valmi” në tregun e brendshëm, edhe për eksport.

Federata Bujqësore e Elbasanit, që deri vjet ka funksionuar si federatë e bashkuar për marrjen e prodhimit të 125 fermerëve, këtë fillim sezoni të vjeljes së ullirit është shndërruar vetëm në një “mulli” për përpunimin e ullirit në vaj, që më tej transportohet në shtëpi nga fermerët.

60% e sasisë së vajit të prodhuar nga F.B.E eksportohej, pjesa e mbetur shitej në dyqane të vogla ushqimore, restorante dhe supermarkete.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të grumbullojmë vaj ulliri me shumicë me çmim 700 lekë për litër. Çmimi është i paleverdishëm, si për tregtimin e tij në tregun e brendshëm, edhe për eksport.

Duke përfshirë koston e ambalazhimit, etiketimit, etj., çmimi i vajit të ullirit arrin 1,200 deri në 1,300 lekë për litër. Me këtë çmim nuk e blen asnjë dyqan apo supermarket për shitje.

Çmimi është shumë i lartë edhe për eksport. Për këtë arsye nuk kemi grumbulluar asnjë litër vaj për ambalazhim”, pohon ai.

Drejtuesi i FEB pohon se prodhimi i vajit të ullirit deri tani është 70% më pak se vjet. Situata ishte e pritshme sipas tij, për shkak të kushteve klimatike të pafavorshme, periodicitetit të prodhimit dhe mungesës së shërbimeve nga fermerët.

Ai thotë se vitin tjetër parashikohet që prodhimi i vajit të ullirit të rritet me 60%, çka automatikisht do t’i krijonte humbje financiare edhe nëse do ta depozitonte prodhimin e ri për ta shitur pas një viti.

Situata me mungesën e prodhimit dhe mosgrumbullimit të vajit nga industria është e njëjtë edhe në zonat e tjera të Shqipërisë.

Luan Satka, i cili zotëron një pikë të grumbullimit të ullirit në Lushnjë, thotë se prodhimi sivjet është 60% më pak krahasuar me sezonin e kaluar.

Z. Satka, i cili çdo vit nënshkruan kontrata me 2,500 fermerë të zonës për grumbullimin e ullirit që pasi përpunohet, ruhet dhe ambalazhohet tregtohet në markën “BioLive”, parashikon që këtë vit, të realizojë 10 deri në 20% të tyre, pasi mungesa e prodhimit ka rritur çmimin e shitjes me shumicë të vajit nga fermeri.

“Sivjet prodhimi i ullirit është 60% më pak se vitin e kaluar. Rënia e prodhimit është tërësisht për shkak të kushteve klimatike, pasi në periudhën e lulëzimit të pemës pati reshje të vazhdueshme.

Në anën tjetër, fermeri përkundrazi ka rritur shërbimet për këtë kulturë.

Mungesa e prodhimit ka sjellë rritje të çmimit të shitjes që nis nga 600, 700 deri në 800 lekë për litër.

Çmimi është pozitiv për fermerin, por rëndon industrinë, pasi çmimi minimal i shitjes, duke përfshirë koston e ambalazhimit, paketimit, etj., llogaritet të jetë 1,000 lekë për litër.

Aktualisht nuk po grumbullojmë ullinj, sepse është shumë i shtrenjtë”, pohon ai.

Pika e grumbullimit në Lushnjë zotëron depozita me kapacitet deri në 100 tonë vaj ulliri. Një pjesë e vajit të kësaj pike grumbullimi eksportohet edhe në Itali.

Për drejtuesit e pikës së grumbullimit, çmimi i vajit është i leverdishëm për eksport, nëse është mbi 600 lekë për litër. Fermerët nuk parashikojnë ta shesin vajin e ullirit nën këtë çmim./ Monitor

Parashikimi i motit për javën e ardhshme,cfarë ndodh me temperaturat

Javën e ardhshme vendi ynë do të ndikohet nga kushte relativisht të qëndrueshme atmosferike edhe pse me masa ajrore të ftohta. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ditën e hënë dhe të martë moti parashikohet me kthjellime si dhe vranësira kalimtare.

Ndërsa ditën e mërkurë dhe atë të enjte mbi vendin tonë pritet depërtimi i masave ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në relievet malore në lindje në lartësitë mbi 1200 metër reshje dëbore.

Të premten moti parashikohet përsëri i qëndrueshëm kryesisht me kthjellime e vranësira kalimtare,të cilat në orët e vona të mbrëmjes vijnë përsëri në dendësim.

Aksidentohen tri vajza të reja, u përplasën me shtyllën

Tri vajza të reja u përfshinë në një aksident rrugor pasditen e kësaj të diele.

Aksidenti u shënua në fshatin Zeus në Shkodër, aty ku një 27-vjeçare humbi kontrollin e mjetit, duke u përplasur me një shtyllë elektrike në anë të rrugës.

Për pasojë, u lëndua vetë ajo dhe dy pasagjeret në automjet, shtetaset A. D., 21 vjeçe dhe B. G., 21 vjeçe.

Shoferja 27-vjeçare ende nuk është nxjerrë nga makina, ndërsa dy vajzat e tjera janë dërguar në spital, ku janë jashtë rrezikut për jetën.

“Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e aksidentit, ku vijon puna për nxjerrjen e drejtueses, nga automjeti i përplasur, me qëllim transportimin në spital.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftoi Policia e Shkodrës.