zoom

Day ArchiveGruan e nxorën zvarrë nga komisariati i Lushnjës! Pezullohen nga detyra efektivët

Policia e Shtetit ka reaguar mbrëmjen e sotme në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale.

Në video shihen efektivët e policisë në Lushnjë, të cilët nxjerrin nga komisariati një grua me forcë duke e tërhequr zvarrë në ambientet e jashtme të komisariatit.

Njoftohet zyrtarisht sot se kryepolici Gledis Nano ka pezulluar nga detyra punonjësit e Policisë F. H., me detyrë specialist informaconi dhe Sh. S., oficer i patrullës së përgjithshme.

Ndërkohë që burime bëjnë me dije se M.V., 21 vjeç, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dhunë në familje, është konfliktuar në Lushnjë me E.M., 35-vjeç. Blutë e qytetit kanë arrestuar të riun ndërsa E.M., është nën hetim nga autoritetet për ‘plagosje e lehtë me dashje’.

Gjatë kohës kur policia ka shoqëruar në komisariat të riun, nëna e tij me inicialet R.M., ka tentuar të futet me forcë në komisariat ndërsa është nxjerrë nga efektivët e policisë jashtë ambienteve të komisariatit.

Njoftimi i Policisë

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetase, të cilën punonjësit e Policisë e nxjerrin nga Komisariati i Policisë Lushnjë, sqarojmë se: Rrethanat e ngjarjes: Ditën e sotme, pas një telefonate në sallën operative, se në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, kishte ndodhur një konflikt, menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë në adresën e dhënë. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi M. V., 21 vjeç (i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”) ishte konfliktuar me shtetasin E. M., 35 vjeç, banues në Lushnjë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin M. V., 21 vjeç, dhe proceduan penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasin E. M. Gjatë kohës që shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e shtetasit M. V., në Komisariat, shtetasja R. M. (nëna e shtetasit M. V.) ka tentuar të futet me forcë në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe është nxjerrë jashtë nga efektivët e Policisë.

Në lidhje me zbatimin e procedurave standarde nga ana e punonjësve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, rreth orës 17:00, është informuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë, për veprimet e kryera kundrejt shtetases R. M..

Me qëllim pasjen e një hetimi disiplinor sa më objektiv, Drejtori i Përgjithshëm ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësit e Policisë F. H., me detyrë specialist informaconi dhe Sh. S., oficer i patrullës së përgjithshme, si dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të ligjit apo veprim arbitrar të punonjësve të Policisë, duke garantuar paanshmëri dhe reagim të menjëhershëm e profesional.

Vrasja në Shkodër, mesazhi që i dhanë viktimës para se ta ekzekutonin në tavolinë

Prek Tonaj është një tjetër viktimë e hakmarrjes, i cili është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në Shkodër.

Bëhet me dije se dy autorët kanë hyrë në lokalin ku viktima ka qenë ulur dhe i janë afruar duke e qëlluar per vdekje me breshëri kallashnikovi.

Mësohet se para se ta qëllojnë i kanë thënë edhe emrin e personit për të cilin po e vrasin.

Kujtojmë se 47-vjeçari Prek Tonaj ka mbetur viktimë e një atentati mbrëmjen e sotme, në fshatin Grudë e Re në Shkodër. Ngjarja u regjistrua rreth orës 19:15, në një lokal në qendër të fshatit.

Ishin 2 persona që e kanë qëlluar për vdekje 47-vjeçarin, teksa ka qenë duke konsumuar kafe në lokal.

(VIDEO) Viktima ishte në lokal / Policia, detaje për vrasjen në Shkodër

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër, fshatin Grudë, ku mbeti i vrarë Prek Tonaj 47 vjeç, punonjës i ujësjellës kanalizimeve.

Sipas policisë, viktima ka qenë ulur në lokal duke konsumuar diçka, kur autori ka hyrë brenda lokalit i maskuar dhe ka qëlluar për vdekje 47-vjeçarin dhe më pas është larguar.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Zoom.al (@zoom.al_news)

Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.

Shkodër/Informacion paraprak
Më datë 13.02.2022, rreth orës 19:15, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një lokali, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. T., 47 vjeç, banues në Grudë, Shkodër.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.

Donte të vriste, por e vranë! Ky është 47-vjeçari që u ekzekutua me kallashnikov sot

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë mbrëmjen e sotme, në fshatin Grudë, ku humbi jetën Prek Tonaj 47 vjeç, punonjës i ujësjellës kanalizime në Shkodër.

Autori ka qëlluar me kallashnikov dhe ka qenë i maskuar.

Viktima në vitin 2011, së bashku me dy shtetas të tjerë po përgatiteshin të kryenin një vrasje që kishte për motiv hakmarrjen.

Ndërkohë Policia e Shkodrës ka bërë të mundur parandalimin e saj duke arrestuar Ndue Tonaj, banues në fshatin Vuksan, Prek Tonaj, banues në fshatin Grudë e re dhe Ndoc Prela.

LAJM I FUNDIT/ Shkodër, vritet me armë punonjësi i ujësjellës kanalizime

Të shtëna me armë janë shënuar mbrëmjen e sotme në fshatin Grudë të Shkodrës.

Ka mbetur i vrarë Prek Tonaj, punonjës i ujësjellës kanalizime nëë.

Për momentin nuk dihen të tjera detaje për ngjarjen, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje.

OJF-të duhet të japin llogari për çdo lëvizje. Vendimi i ri për parandalimin e pastrimit të parave

Organizatat jofitimprurëse dhe fondacionet, vendase e të huaja do të pasqyrohen në një regjistër elektronik të krijuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ku do të jenë të detyruara të depozitojnë çdo të dhënë mbi aktivitetin, fondet apo themeluesit e tyre. Është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare vendimi për krijimin e regjistrit elektronik të OJF-ve.

Regjistri do të krijohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe do administrohet e mirëmbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe do të përmbajë të dhëna, që lidhen me themelimin, fushën e veprimtarisë, çdo ndryshim në status dhe formën e organizimit të tyre, të dhëna që i përkasin atyre lidhur me përfaqësimin, si dhe të dhëna të tjera të parashikuara me ligj.

Regjistri sjell me vete edhe lehtësi në procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, ndërkohë që një nxitje tjetër ka qenë edhe MONEYVAL, struktura europiane kundër pastrimit të parave. Në vitin 2020, Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit I rekomandoi Shqipërisë krijimin e regjistrit elektronik, ashtu si dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të OJF-ve. Në Rekomandimet e Raportit të MONEYVAL vlerësohej se vendi ynë nuk ka ndonjë politikë të qartë për të promovuar llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF-ve, duke pasur një qasje të kufizuar ndaj sektorit të OJF-ve dhe komunitetit të donatorëve për çështjet e financimit nga terrorizmi.

Prodhimi bujqësor vendas pritet të reduktohet me mbi 20%

Të gjithë njësitë e shitjes së fidanëve në zonën Këmishtaj dhe Rrupaj të Myzeqesë kanë rënie të shitjeve në këtë sezon me rreth 30%. Vështirësitë që nisën me humbjet e sezonit të kaluar u përkeqësuan me paketën fiskale dhe ngricat e ditëve të fundit. Fatmir Ndoja, i cili prej vitesh kultivonte 5 dynymë serë me investimet e krijuara nga emigracioni nuk ka e mbjellë serën këtë vit.

Si Fatmiri janë edhe shumë fermerë që në të 40-at e tyre, po zgjedhin emigracionin, për shkak të humbjeve që përjetuan vitet e fundit. Sipas tyre, prodhimi bujqësor si biznes dhe mjet jetese si kudo në botë, edhe në Shqipëri, mbështetet nga skema e subvencioneve. Sinjalet negative u dhanë gjatë vitit 2021.

Kalbja në sera e prodhimeve të dyta të sezonit 2021 për shkak të mungesës së kërkesës nga jashtë, farës së keqe dhe çmimeve të ulëta, çoi në rënie për herë të parë së paku në 16 vite, eksportet e prodhimeve të fushës në Shqipëri, zarzavatet. Sipas të dhënave të INSTAT, për tregtinë e jashtme, eksportet e zarzavateve arritën gjatë vitit të kaluar 8,830 milionë lekë, me rënie me 0.4% në raport me vitin e kaluar. Zarzavatet janë produkti më i eksportuar nga grupi i ushqimeve, me një rritje të shpejtë vitet e fundit, si rrjedhojë e investimeve në sera dhe shtimit të sipërfaqes së mbjellë. Nga viti 2010 deri në vitin 2021, eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, duke arritur një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh, nga 464 milionë lekë më 2010.

Rritja e të ardhurave nga eksporti rriti potencialet e bujqësisë në zonat më prodhuese të vendit, Fier dhe Berat. Eksportet ndikuan në rritjen e bizneseve në ferma, u bënë shkak për investime në teknologji, modernizim dhe ekspertizë. Mirëpo mungesa e subvencioneve në sektorin e prodhimit, çmimet e larta të inputeve, të kombinuara me mungesën e kërkesës në eksport në muajt e fundit 2020, i çuan në rënie të ardhurat për fermerët.

Situata nuk është aspak optimiste edhe këtë vit. Zinxhiri bujqësor që nga prodhimi, magazinimi, përpunimi dhe eksporti nuk pret rritje më 2022. Myftar Sharka, drejtor i financës te “Doni Fruits” pret rënie të prodhimit deri në nivelet 20% këtë vit, pasi kostot e lëndëve të para që nga farat, fidanët, plehrat dhe plastmasa dhe hekuri për serat janë rritur mbi 50%. “Doni Fruits” e cila furnizon me fara shumë fermerë në zonë thotë se, ka një rënie të ndjeshme të shitjes së farave dhe inputeve që tregojnë se, prodhimi do të jetë më i ulët në këtë sezon.

I vetmi avantazh që ka Shqipëria, në bujqësi në krahasim me rajonin, sipas zotit Sharka është klima. Për shkak të pozitës gjeografike mesdhetare, prodhimet shqiptare dalin në tregje dy muaj para vendeve të Ballkanit në muajt prill-maj, periudhë në të cilën nuk ka konkurrencë. Pjesa më e madhe e serave mbillen dy herë, por në sezonin e dytë, të ardhurat nga shitjet janë zakonisht më të dobëta, për shkak të çmimeve më të ulëta në tregjet e eksportit.

 

Efekti zinxhir

Bujqësia, në dukje një sektor i dorës së dytë, i anatemuar për vlerën e ulët të fitimeve nga këndvështrimi i biznesit, në realitet është një sektor i rëndësishëm për efektet zinxhir që ka në të gjithë ekonominë, sidomos në çmime dhe në punësim. Duke marrë në konsideratë se më shumë se e një e katërta e ekonomisë shqiptare dominohet nga bujqësia, institucionet poltikëbërëse në vend kanë shumë pak të dhëna dhe studime për ecurinë e kostove, çmimeve dhe të dhënave mbi bilancet e bizneseve fermere.

P.sh. shembull, sektori i ndërtimit që zë 11% të ekonomisë, matet nga INSTAT çdo tre muaj për kostot, lejet, teksa të dhëna vjetore të rregullta mbi të ardhurat dhe fitimet, çmimet etj. Mungesa e statistikave në bujqësi ka lënë pa diagnozë problematikën në sektor, e për pasojë, edhe zgjidhjet.

Prej vitit 2008, INSTAT ka nisur të publikojë indeksin e bujqësisë, por nuk ka një indeks për kostot, si për ndërtimin. Për çmimet bujqësore të vitit 2021, të dhënat dalin në korrik të këtij viti, ndërsa më 2020, në kulmin e pandemisë Covid-19 kur ushqimet patën nivele të larta konsumi, indeksi vjetor i çmimeve në bujqësi u rrit me 2.6%. Në këtë indeks, prodhimet bimore kishin peshë 56% dhe ato blegtorale, 44%. Perimet dhe frutat u përllogaritën me peshën më të lartë përkatësisht me 23.2 dhe 17.2%. Këto të dhëna tregojnë për rëndësinë e madhe që kanë prodhimet e serave për shportën e konsumit e për rrjedhojë inflacionin.

Shporta e konsumit të familjeve shqiptare ka aq shumë varësi nga ushqimet, sidomos frutat dhe perimet, sa luhatjet në çmimin e një artikulli të vetëm mund të çekuilibrojë një nga treguesit më të rëndësishëm makroekonomikë, inflacionin. Sipas INSTAT, grupi “ushqime, pije joalkoolike dhe duhan” zë 42% të totalit të shpenzimeve në një familje, nga 13% që është mesatarja europiane dhe 30-35% në vendet e tjera të rajonit.

Brishtësia e prodhimit vendas në disa kultura, sidomos frutat dhe zarzavatet, shënon goditje ekstreme në nivelin e përgjithshëm të çmimeve.
Për shembull, në vitin 2019, zona e Korçës mbolli më pak patate për arsye se një vit më parë, fermerët nuk kishin arritur të shisnin prodhimet e tyre, duke akumuluar humbje, teksa prodhimet u kalbën. Si rrjedhojë, duke menduar se situata do të përsëritej më 2019 fermerët braktisën kulturën e patates, duke bërë që çmimi i saj në tregje të dyfishohej në një vit.

Duke qenë se patatja bashkë me qepën konsumohen gjerësisht, ajo ndikoi në rritjen e inflacionit, në vitin 2019. Në janarin e vitit 2019, çmimi i perimeve dhe zavratëve u rrit me 36%, si pasojë e mungesës së furnizimit me qepë, patate dhe presh. Një kilogram nga këta artikuj kushtoi 120 lekë, gati dyfishin në raport me vitin 2018.

 

Rriten borxhet

Arben Sakollari i ka shtuar listat e borxheve të pashlyera nga fermerët. Qindra fermerë në zonë e kanë të shënuar dy-tre herë emrin në lista, pasi një herë kanë marrë plastmasë e nuk kanë paguar paratë, një herë fidanë e një herë plehra. Aktualisht borxhi në llogaritë e Arbenit ka arritur në 135 mijë euro, shumë prej të cilave pa shpresë arkëtimi. Arbeni e di që shumë nga fermerët kanë falimentuar dhe nuk i kanë mbjellë serat e për rrjedhojë, nuk kanë as nga t’i arkëtojë borxhet. Si Arbeni janë pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së importeve në zonën e Myzeqesë dhe në atë të Beratit.

Në përgjithësi, bizneset në ferma nuk janë të larta. Në vitin më të mirë të biznesit të tij në serë, Fatmir Ndoja i kishte fituar 14 mijë për të gjithë vitin në 5 dynymë serë të mbjellë në të cilin ishin të punësuar e gjithë familja – gruaja, vëllai dhe prindërit. Këto të ardhura ishin të mjaftueshme për të shmangur emigracionin, por jo të mjaftueshme për angazhimin e të gjithë familjes prej 5 anëtarësh.

Në një studim, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë në Kombet e Bashkuara (FAO) ka vendosur disa standarde në Shqipëri, se kur një fermë mund të jetë vizibël për të siguruar të ardhurat për një familje me dy anëtarë dhe gjithashtu për të siguruar investime themelore që kërkon mirëmbajtja e fermës. Në Shqipëri, sipas statistikave, numërohen rreth 350 mijë ferma, nga të cilat 159,856 janë më pak se 1 hektar, 142,084 janë deri në 2 hektarë dhe vetëm 49 mijë janë mbi 2,1 hektarë.

Sipas FAO-s, që një fermë të sigurojë të ardhura për pagën minimale të dy personave dhe teprica për pak investime duhet të gjenerojë 5 mijë euro në vit, që nga viti i parë i investimit. Në analizën e FAO-s, në skenarin normal, një fermë me 1 ha tokë mund të sigurojë këtë të ardhur nëse përzgjidhet me kujdes produkti që ka shitje të siguruar. Ndërsa një fermë me 2 ha tokë ka potenciale për të qenë fitimprurëse nëse është serë dhe janë mbjellë perimet kryesore të konsumit.

Një fermë bagëtish është fizibël me jo më pak se 7 lopë dhe me një hektar tokë për lopë dhe një fermë me të imta nuk është fizibël në më pak se 100 krerë. Këto sipërfaqe fermash dhe numri i krerëve është llogaritur të mbulojnë me të ardhura vetëpunësimin e familjes që i zotëron. Por sipas FAO-s, fermat nën 1 ha janë shumë të vogla dhe jo fizibël në vijimësi, fermat midis 1 dhe 2 ha janë disi fizibël, por me shumë vështirësi, ndërsa fermat mbi 2 ha kanë një potencial të caktuar tregu. Duke qenë të vogla, fermat mund të përshtaten me kërkesën e tregut, por nën 1 hektar ato nuk janë fizibël as për pemishte e as për perime.

Studimi cilësoi se vetëm 25% e fermave gjenerojnë më shumë se 3000 euro dhe 5500 euro të ardhura në vit nga aktivitetet bujqësore. Më shumë se një e katërta (27%) gjenerojnë më pak se 750 euro dhe pothuajse gjysma e fermave gjeneron 750 deri në 3 000 euro, me një mesatare prej gati 1 700 euro për familje, ose rreth 500 euro për person në moshë pune (mbi 16 vjeç).

Kështu, tre të katërtat e familjeve gjenerojnë të ardhura shumë të ulëta nga bujqësia dhe shumë më poshtë se kufiri i fermës ekonomikisht e qëndrueshme. Kjo e bën të domosdoshme që fermat familjare të zhvillojnë strategji të reja të mbijetesës, duke zhvilluar diversifikimin e të ardhurave.

 

Perimet e serave që po rriten me borxhe

Klodian Gjeci nga fshati Lunas kultivoi 2 dynymë patate dhe 3 dynymë tranguj në sera në vitin 2021, ndërsa nuk i ka shlyer ende 400,000 lekët e blerjes së fidanëve për të mbjellat. “Nëse prodhimi nuk do të arrijë të më ecë siç duhet, duke llogaritur edhe shpenzimet për plehrat kimike, agronomët dhe koston e mbledhjes së produktit, automatikisht shuma e borxhit shkon 1,000,000 lekë. Nëse falimentoj këtë vit, kjo do të ishte katastrofike, pasi ende nuk kam shlyer edhe borxhet që kam marrë për ngritjen e serës”.

Efektet e krizës së rritjes së çmimeve janë shtrirë në gjithë zinxhirin e prodhimit të serave. Administratori i kompanisë AEI sh.p.k., Enis Kola, i cili operon në treg prej vitit 2000, pohon se prej 3 muajsh ka rënie të kërkesës për shkak të rritjes së çmimeve. “Para krizës së rritjes, çmimi për plastmasën ishte 84 lekë/m². Prej muajit qershor, çmimi i plastmasës është 115 lekë/m². Çmimi është rritur 27% më shumë. Nëse më parë, kostoja për mbulimin e një sere ishte 150,000 lekë, sot është 200,000 lekë. Kostoja për mbulimin e serës nga rritja e çmimeve në tregjet e huaja është rritur 25%.

Në magazinë kemi dy kontejnerë me mall të pashitur në vlerën e 140,000 eurove. Prej tre muajsh nuk kemi pasur shitje. Fermerët që vijnë të interesohen për blerje plastmase largohen sapo njihen me çmimin, pasi nuk mund ta përballojnë financiarisht. Shumë prej fermerëve në Lushnjë kanë braktisur investimet, pasi prej vitesh po shesin produktet nën kosto.

Kjo situatë ka krijuar efekte negative edhe për kompanitë e tregtimit të plastmasës, fidanëve apo plehrave kimikë. Fermerët po ikin. Nuk ka shitje. Ne jemi në prag të falimentimit”, pohon Enis Kola. Totali i borxheve të paarkëtuara të kompanisë nga shitjet e plastmasës për serat e fermerëve nga viti 2000 deri tani është 16 milionë lekë. 4 milionë lekë borxhe konsiderohen të humbura, pasi janë marrë nga fermerë që kanë falimentuar.

Për kompaninë është shqetësuese edhe pagesa prej 15 lekë/kg në doganë, si tarifë për ndotjen e mjedisit. Enis Kola thotë se në total, vjet kanë paguar 3,3 milionë lekë për tarifën e ndotjes së mjedisit, ndërkohë që plastmasa e serave është një produkt që riciklohet dhe nuk e ndot atë./Monitor

Bashkëpunoi me trafikantët shqiptarë të drogës, përgjimet burgosin avokatin belg

Bandat shqiptare të drogës kanë “shtrirë” krahët në Belgjikë. Rrjeti është zgjeruar duke bërë pjesë të organizatës edhe avokatë vendas. Një prej tyre është Pol Vandemeulebroucke. Ky i fundit është dënuar me një vit burg pasi është bërë pjesë e një organizate kriminale.

Vandemeulebroucke u dënua në shtator të vitit të kaluar me një vit burg për anëtarësim në një organizatë kriminale. Mediet e huaja shkruajnë se ai dyshohet se ka qenë shumë i afërt me një trafikant shqiptar kokaine dhe ka kryer çështje për të që shkojnë shumë përtej asaj që është e përshtatshme në një marrëdhënie avokat-klient.

Vandemeulebroucke po përballet me të paktën një padi tjetër për fakte të ngjashme. Gjithashtu, Oda e Avokatëve po zhvillon hetim disiplinor ndaj tij, pas ankesave të klientëve të ndryshëm. Vandemeulebroucke veproi në dosje të rënda si çështja Aquino dhe Kasteelmoord, dhe dikur ishte avokat i Hans Van Themsche (i cili qëlloi dy persona në Antwerp në 2006) dhe Danny Vanhamel, rrëmbyesi i Anthony De Clerck.

Avokati doli në sy të hetuesve gjatë një hetimi të nisur pasi tre ngarkesa kokaine në total 1321 kilogramë u kapën në gusht 2017. Gjatë atij hetimi janë përgjuar shumë biseda telefonike, në të cilat ka dalë edhe avokati. Ai kishte kontakte të shpeshta me të pandehurin kryesor fillestar Uka G. Sipas Gjykatës së Apelit të Antwerp, ajo që ata diskutuan nuk mund të pajtohej me një marrëdhënie të rregullt avokat-klient apo edhe me një marrëdhënie thjesht miqësore.

“Përmbajtja e këtyre kontakteve tregon qartë ekzistencën e një konteksti kriminal, të lidhur me drogën“, tha gjykata e apelit. Vandemeulebroucke ishte përfshirë aktivisht në rastet në të cilat Uka G. kishte interesa.

Në një bisedë të dëgjuar, Vandemeulebroucke kishte kërkuar vazhdimisht pagesën me fjalët “zarf i trashë”. Avokati pretendoi se Uka G. i kishte bërë presion që të kërkonte llogari nga një klient për mungesën e dërgesës së kokainës, por gjykata e apelit nuk e pranoi. Përkundrazi, gjykata konstatoi se nuk ka dyshim se avokati me vetëdije dhe dëshirë ka qenë pjesë e organizatës kriminale. Vandemeulebroucke tani është kthyer në shtëpi nga “i zhveshur” nga çdo post në drejtësi.

 

Amerikanët gati për ndeshjen finale të futbollit, Super Bowl

Amerikanët janë bërë gati të ndjekin finalen e futbollit amerikan Super Bowl, ku përballet ekipi Rams i Los Anxhelosit dhe ekipi Bengals i Cincinnatit. Siç njofton nga Los Anxhelosi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, finalja Super Bowl është pothuajse një festë kombëtare në Amerikë, ku gërshetohen sporti dhe argëtimi.

Ekipet po bëhen gati.

Stadiumi SoFi që u inaugurua vetëm një vit e gjysëm më parë do të mirëpresë 70 mijë tifozë të futbollit amerikan.

Zyrtarët thonë se spektatorët duhet t’u përmbahen rregullave për COVID-in, përsa i takon vaksinimit, testimit dhe mbajtjes së maskave.

Mjediset e jashtme po bëhen gati për festimet e Super Bowl-it duke iu përmbajtur kufizimeve të rrepta.

Dhjetëra milionë amerikanë do ta ndjekin finalen nëpërmjet televizionit.

Një analist sportiv thotë se njerëzit po e presin finalen Super Bowl pavarësisht nëse jenë tifozë apo jo.

“Në Shtetet e Bashkuara është praktikisht festë kombëtare. Është bërë jo vetëm një ditë feste për futbollin, por edhe për t’u argëtuar”, thotë Jeff Fellenzer, i cili jep mësim për sportet në Universitetin e Kalifornisë së Jugut.

Në pushim të ndeshjes do të ketë pjesë muzikore nga Eminem, Snoop Dogg, Dr. Dre, Mary J. Blige dhe Kendrick Lamar.

Dhe interesimi i njerëzve nuk përfundon këtu.

“Megjithëse mund të mos ju interesojnë shumë ekipet finaliste, njerëzit janë të interesuar për reklamat”, thotë zoti Fellenzez.

Krijimtaria për reklamat ia kalon edhe prodhimeve të Hollivudit.

“E diela e Super Bowl-it për industrinë e reklamave është si mbrëmja e çmimeve Oskar për industrinë e filmave. Është mbrëmja më e madhe e vitit. Të djelën e finales Super Bowl shohim reklamat më të mira nga industria e reklamave”, thotë Robert Kolt, profesor për marketingun dhe marrëdhëniet me publikun në Universitetin e Miçiganit.

Është segmenti më i ndjekur dhe më i shtrenjtë i televizionit amerikan.

“Këtë vit, kostoja për 30 sekonda reklamë gjatë Super Bowl-it mund të arrijë deri në 7 milionë dollarë”, thotë Jeannie Poggi, nga kompania e marketingut “Advertising Age”.

Kostoja e prodhimit dhe transmetimit të këtyre reklamave mund t’ia kalojë kostos së një filmi të plotë.

“Nëse keni siguruar dy minuta gjatë pushimit të ndeshjes, kostoja arrin lehtësisht në 25 milionë dollarë”, thotë zoti Kolt.

Janë edhe miliona dollarë fitime nga tregtia e mallrave, të cilat kontrollohen vazhdimisht nga agjentët doganorë për të diktuar prodhimet false.

Për tifozët, është një festë ku mblidhen së bashku me familjen. Ata që kanë mundësinë të blejnë bileta prej mijëra dollarësh, e shohin ndeshjen në stadium.

Organizimi i finales së futbollit amerikan është i rëndësishëm për qytetin Los Anxhelos, thotë një legjendë e sportit që u rrit në këtë zonë.

“Është shumë e rëndësishme për komunitetin, aq më tepër tani që luan edhe ekipi i tyre LA Rams”, thotë Serena Williams, lojëtarja e tenisit me famë botërore.

Ekipi LA Rams luajti për herë të fundit në finalen Super Bowl në vitin 2019, dhe humbën përballë ekipit New England Patriots, në lojën e zhvilluar në qytetin Atlanta.

Ekipi tjetër, Cincinnati Bengals, nuk ka luajtur në finale që nga vitet 1980-të, dhe kjo i tërheq edhe më fort spektatorët e finales Super Bowl. /VOA

Dita Botërore e Radios, historia e “rrjetit të parë social në histori”

“Radio? Është rrjeti i parë social në histori”. Kështu e përkufizon Tiziano Bonini, profesor i shkencave të komunikimit, në Universitetin e Sienës, i cili prej vitesh e studion historinë e radios. Më 13 shkurt 76 vite më parë u bë transmetimi i parë i Radio OKB-së. Që nga viti 2012, për të përkujtuar atë moment historik, Kombet e Bashkuara kanë vendosur të vendosin Ditën Botërore të Radios. Sekreti i jetëgjatësisë së saj “qëndron në thjeshtësinë e saj” vazhdon Bonini, “është një teknologji elementare që e lejon atë të përdoret edhe në zona të largëta të botës duke lidhur komunitete për qëllime të ndryshme”.

Historia e radios është e tillë që ndryshoi mënyrën se si bota lidhej dhe komunikonte nga distanca të largëta dhe të afërta.

Edhe pse gëzon një histori të gjatë dhe interesante, fillimet e saj më të hershme janë ende mjaft të diskutueshme.

Në vitin 1893 shpikësi Nikolai Tesla demonstroi një radio me valë në “St.Louis, Missouri”, pavarësisht këtij demonstrimi, Guglielmo Marconi është personi më i njohur si babai dhe shpikësi i radios, ishte ai të cilit iu dha patenta e parë e telegrafisë me valë në Angli në vitin 1896, duke siguruar vendin në historinë e radios.

Megjithatë, një vit më vonë, Tesla bëri kërkesë për patentën për radion e tij bazë në Shtetet e Bashkuara, kërkesa e tij u pranua në vitin 1900, katër vjet të plota pasi iu dha Marconit.

Pavarësisht se kush krijoi radion e parë, më 12 dhjetor 1901, vendi i Marconit në histori u vulos përgjithmonë, duke u bërë personi i parë që transmetoi sinjale përtej Oqeanit Atlantik.

Para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore

Para viteve 1920, radioja përdorej kryesisht për të kontaktuar anijet që ishin jashtë detit. Komunikimet me radio nuk ishin shumë të qarta, kështu që operatorët zakonisht mbështeteshin në përdorimin e mesazheve të koduara. Kjo ishte një përfitim i madh për anijet, veçanërisht gjatë situatave emergjente. Me Luftën e Parë Botërore, rëndësia e radios u bë e dukshme dhe dobia e saj u rrit ndjeshëm. Gjatë luftës, ushtria e përdori atë pothuajse ekskluzivisht dhe u bë një mjet për dërgimin dhe marrjen e mesazheve.

Radio dhe vitet 1920

Në vitet 1920, pas luftës, civilët filluan të blinin radio për përdorim privat. Në të gjithë SHBA-në dhe Evropën, stacionet e transmetimit si KDKA në Pittsburgh, Pennsylvania dhe British Broadcasting Company (BBC) filluan të shfaqen.

Në vitin 1920, kompania Ëestinghouse aplikoi dhe mori një licencë radio komerciale e cila lejoi krijimin e KDKA, e cila atëherë do të bëhej radiostacioni i parë i licencuar zyrtarisht nga qeveria.

Lufta e Dytë Botërore dhe ndryshimet pas saj

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, radio përsëri luajti një rol të rëndësishëm si për SHBA-në ashtu edhe për Britaninë e Madhe. Me ndihmën e gazetarëve, radio transmetoi lajmet e luftës për publikun, gjithashtu u bë edhe burim tubimi dhe u përdor nga qeveria për të fituar mbështetjen e publikut për luftën.

Në Mbretërinë e Bashkuar, radio u bë burimi kryesor i informacionit pas mbylljes së stacioneve televizive.