zoom

Day ArchiveEkzekutimi i të riut shqiptar në mes të rrugës, Prokuroria gjermane jep detaje: Krimi pas një zënke, autori është serb

Një mosmarrëveshje mes dy shoferëve në udhëkryqin ndërmjet dy rrugëve të Hannoverit të Gjermanisë përfundoi me vrasje, mesditën e së enjtes së kaluar. Atje mbeti i vdekur një 30-vjeçar nga Kosova, me inicialet A.N.

I dyshuar për vrasjen e tij është një 32-vjeçar me shtetësi gjermano-serbe, me iniciale R.Z, për të cilin mediat raportojnë se është me prejardhje poashtu nga Kosova.

Sipas dëshmitarëve, zënka nisi mes personave që ndodheshin në dy vetura, një Porsche Cayenne dhe një Mercedes-Benz S500.

Por, cila ishte arsyeja e zënkës?

Nga Prokuroria e Hannoverit kanë thënë se hetimet për rrjedhën e saktë të ngjarjeve dhe prapavijën janë duke vazhduar.

Kathrin Söfker nga zyra e shtypit të prokurorisë ka deklaruar se 32-vjeçari i dyshuar për vrasje tashmë është dorëzuar në Polici dhe se ndodhet në paraburgim, në bazë të një urdhërarresti nga Gjykata e Qarkut në Hanover.

“Hetimet mbi rrjedhën e saktë të ngjarjeve dhe prapavijën janë duke vazhduar. I dyshuari, një 32-vjeçar me shtetësi gjermano-serbe, që po kërkohej, u paraqit pasdite dhe u arrestua nga oficerët e policisë së Hanoverit. Ai ka qenë në paraburgim që prej ditës së djeshme në bazë të një urdhër arresti nga Gjykata e Qarkut në Hanover, nën dyshimet për vrasje”, ka deklaruar Söfker.

Viktima ka qenë i njohur për organet e drejtësisë, shkaku i një rasti që kishte ndodhur në vitin 2017. Ai ka qenë i përfshirë në një mosmarrëveshje në të njëjtin qytet, ku kishte qëlluar me armë një burrë tjetër në vetëmbrojtje.

Mbetet ende e paqartë nëse vrasja e A.N lidhet me këtë incident.

Sipas Söfker, atij i ishte shqiptuar atëherë një dënim me kusht për shkelje të ligjit për Armët.

“Viktima është një 30-vjeçar me kombësi kosovare. Emrat e plotë të të dyshuarit dhe viktimës nuk mund të zbulohen. Viktima ishte përfshirë në një mosmarrëveshje në Hanover në 2017, në të cilën ai qëlloi një burrë tjetër në vetëmbrojtje. Viktimës më vonë iu dha një dënim me kusht për shkelje të ligjit për armë”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë së Hannoverit.

Detaje se si ka ndodhur vrasja ka dhënë Prokuroria edhe përmes një njoftimi për shtyp.

“Fillimisht u dëmtuan vetëm dy makinat, të cilat ishin duke qëndruar para semaforit në Weidendamm, në drejtim të rrugës Herschelstrasse. Mosmarrëveshja eskaloi në atë shkallë që së paku një e shtënë u bë nga vetura Mercedes-Benz. Pak kohë më pas, vetura Porsche përshpejtoi, e kaloi udhëkryqin dhe goditi një shenjë trafiku në anën e kundërt të rrugës. Pak më vonë, personi 30-vjeçar në Porsche doli nga vetura dhe ra në tokë. Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë nga shërbimi i shpëtimit, burri vdiq në vendin e ngjarjes. Shkaku i saktë i vdekjes fillimisht ishte i paqartë”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Lulzim Basha apo Agron Shehaj? Astrologia zbulon kush i fiton zgjedhjet brenda PD

Sot në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon ishte e ftuar studiuesja e astrologjisë Keti Sula. Ajo foli më gjerësisht për eklipsin e diellit që do të ndodhë nesër dhe do të ketë një ndikim direkt në jetën tonë.

Sipas saj, energjisë së yjeve nuk do t’iu shpëtojnë as politikanët. Thënë këtë, ajo bëri një parashikim se cili do të jetë drejtuesi i ardhshëm i Partisë Demokratike

“Unë me gjithë studimin që kam bërë mendoj se zgjedhjet për kryetarin e PD do t’i fitojë Lulzim Basha, sepse është në një moment të favorizuar nga yjet”, u shpreh ajo.

Keti tha gjithashtu se gjatë zgjedhjeve Lulzim Basha ka qenë i disfavorizuar nga yjet. Nga ana tjetër Edi Rama ka pasur një super energji planetare, pasi e favorizon viti i tij i lindjes.

Mark Marku: Nëse Kushtetuesja nuk e shkarkon Metën, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen

Deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur në 25 prill 2021 i dalë nga qarku i Lezhës, Mark Marku ka thënë se vendimi për shkarkimin e Metës është vendim i rëndë që krijon precedent.

I ftuar në “Opinion” ai tha se nëse nuk shkarkohet Meta në Gjykatë, atëherë i bie që të shkarkohet Parlamenti.

Sipas Markut, nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Presidentit, atëherë Rama duhet të dorëhiqet.

Mark Marku: Është një akt i rëndë që nuk ka ndodhur kurrë më parë veçse në vitin 1921. Sepse përbën precedent. Duhet të bëhej një debat për mënyrën se si e ushtron dhe ka ushtruar ai rolin. Parlamenti është ilegjitim se nuk ka 140 deputetë. Do gjykojë shkarkimin e Metës ndërkohë që nuk është parlament legjitim nga ana formale dhe kohore, sepse është zgjedhur një parlament tjetër. Nëse gjykata kushtetuese nuk e miraton, i bie që Parlamenti e ka shkelur kushtetutën. I bie që të japë dorëheqjen Rama pastaj.

“Me 500 € në ballë”, Presidenca ironizon deputetët pas shkarkimit të Metës: I siguruan pushimet

Zëdhënësi i Presidentit , Tedi Blushi mbrëmjen e sotme me anë të një statusi në rrjetet sociale ka publikuar foton e deputetit të opozitës parlamentare, Besnik Troplini i cili shfaqet me 500 euro në ballë.

Blushi krahas fotos shkruan se deputeti është me “Votë” në ballë, duke iu referuar votimit që u bë sot në Kuvend ku 104 deputet votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta.

Blushi ironizon duke thënë se edhe për këtë vit Troplini bashkë me deputetët e tjerë i siguruan pushimet.

STATUSI NGA TEDI BLUSHI

Deputeti me “votë” në ballë, i grupit “antikorrupsion” të murrizëve, në pritje të direktivave nga përtej “oqeanit”. I siguruan çunat pushimet edhe për këtë vit! Ha ha ha ??

 

Kapen 740 kg kokainë në Maltë, ja cilin vend ballkanik kishte si destinacion

MALTA – Një ngarkesë rekord prej 740 kg kokainë është kapur në një konteiner me banane në Maltë. Gjatë kontrollit nga oficerët doganorë u zbuluan në 37 kuti droga me vlerë prej 100 milion eurosh.

Konteineri vinte nga Ekuadori dhe si destinacion kishte Ballkanin, saktësisht Slloveninë.

Nga rezultatet e drogës rezultoi se ishte kokainë shumë e pastër. Trendi i trafikut të drogës nga Amerika Latine me konteinerë bananesh është parë shpesh dhe në Shqipëri. Në 2018 u shënua dhe sasia rekord në Shqipëri e 613 kg kokainë të kapura në Durrës që si destinacion kishin kompaninë e Arbër Çekajt.

Një tjetër ngarkesë në 2019 pritej të vinte në Durrës, por ajo u zbulua në portin e Pireut në Greqi dhe më pas u konkludua se 700 kg kokainë ishin fshehur në 12 konteinerë bananesh. Kokainë do të shkonte në Durrës e Selanik. Në Shqipëri kokaina ishte zëvendësuar me oriz.

Ndërkohë për këtë vit në prill u kapën 49 kg kokainë të fshehura po në një konteiner bananesh dhe Policia arrestoi Selim Çekajn pasi destinacion kishte po Maminasin.

Disa ditë më vonë një tjetër ngarkesë prej 143 kg kokainë u kap në Durrës, destinacion kishte Kombinatin. Për këtë ngarkesë u arrestuar administratorët e firmës pritëse në Shqipëri, Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku.

Në maj në Lipjan të Kosovës u kapën 400 kg kokainë të fshehura në një konteiner me mish. Rezultoi se konteineri kishte kaluar nga Durrësi dhe në Port u vëzhgua për 15 ditë.

“Çohuni burra”, Meta dëgjon këngë patriotike pas vendimit të Kuvendit për ta shkarkuar: Ju uroj natë të qetë

Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ka publikuar këngën “Hymni i Djelmnis Dibrane”, për të cilën thotë se ka përjetuar një kënaqësi të madhe kur e dëgjoi sot në Presidencë.

Meta ka uruar një natë të qetë për qytetarët ndërsa i fton të shijojnë këngën.

“Në çdo hymn, këngë, elegji dhe rapsodi, në vallet, në lojrat e larmishme dhe në kostumet popullore të Dibrës gjendet një thesar unik dhe i jashtëzakonshëm kulturor, ngjyrat e jetës dhe bukuritë natyrore të kësaj treve, me shpirt atdhetar dhe artistik të fuqishëm.
Nuk mund të mos ndaj me të gjithë ju, kënaqësinë që përjetova sot, prezantimin për herë të parë dhe pikërisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, të një krijimi artistik tepër të arrirë, “Hymni i Djelmnis Dibrane”, të interpretuar mjeshtërisht nga dy prej korifejve të këngës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi, që prezanton denjësisht gjithçka Dibra simbolizon për kombin shqiptar. Duke ju uruar një natë të qetë ju ftoj ta shijoni këtë këngë kaq të bukur! ” shkruan Meta.

Kujtojmë se Kuvendi sot votoi me 104 vota pro shkarkimit të Metës. Ndërsa tashmë “topi” do të kalojë në fushën e Gjykatës Kushtetuese e cila do të vendos nëse Presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe nëse meriton të shkarkohet.

Caktohet vendi dhe ora, Kongresi i PS do të mbahet në stadiumin “Air Albania”

Të shtunen e 12 qershorit, në ditelindjen e 30-të të Partisë Socialiste, strukturat kanë vendosur të mbledhin Kongresin e jashtëzakonshëm.

Siç dihet deri më tani, PS do të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës.

Bëhet me dije se Kongresi do të mbahet në orën 17:30, por surpriza e vërtetë vjen pikërisht te vendi ku do të mblidhen socialistët.

Kryeministri Edi Rama dhe organizatorët duket se kanë zgjedhur stadiumin “Air Albania”.

Kjo do të jetë hera e parë që në arenën e futbollit do të mbahet një organizim i tillë që pritet të jetë i përmasave të mëdha.

Edhe më parë, socialistët jane mbledhur në ambiente të hapura, diktuar edhe nga kushtet e pandemisë globale të shkaktuar nga virusi vrasës COVID-19, siç ka qenë Amfiteatri i Liqenit apo sheshi “Skenderbej” në Tiranë për hapjen dhe mbylljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Shpërndarja e ftesave për delegatët e Kongresit ka nisur, dhe gjithçka duket gati dhe e mirëorganizuar.

SHBA do të blejë 500 milion doza të Pfizer për 100 vende të botës, ja kur shpërndahen

Administrata e Presidentit të SHBA, Joe Biden do të blejë 500 milion doza të vaksinës Pfizer për t’i shpërndarë në 100 vende të botës në 2 vitet e ardhshme.

Rreth 200 milion doza do të shpërndahen vetëm brenda këtij viti, kurse 300 milion të tjerat në 2022.

Ky është plani i Biden për të ndihmuar botën për të kaluar pandeminë, teksa kryesisht me vaksina do të ndihmohen vendet e varfra që kanë ngelur pas me këtë process.

Ndërkohë këtë muaj Biden fillon vizitën e tij të parë jashtë SHBA si President ku do të takohet me disa zyrtarë në Europë dhe me Putinin ën Gjenevë

Ekspertët për VOA: Gjykata Kushtetuese mund të vendosë edhe brenda 30 ditëve

Në Tiranë, ekspertët e legjislacionit shqiptar pohojnë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të përballet me disa sfida jo të lehta profesionale, pasi të marrë në dorëzim vendimin e sotëm të parlamentit për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Sipas tyre, sfidat kanë të bëjnë me gjykimin mbi procedurat e ndjekura deri sot nga Kuvendi, me përmbajtjen e vendimit të sotëm dhe me vlerësimin nëse shkeljet e presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikojnë shkarkimin e tij.

Studiuesja e çështjeve kushtetuese dhe profesorja e kësaj fushe në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, dr.Aurela Anastasi, thotë se pavarësisht nga konsultimi me raste të tjera, Gjykatës Kushtetuese i mbetet detyra për të thënë fjalën e fundit nëse shkeljet e presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikohet shkarkimi I tij.

Ajo theksoi se shembujt në botë me shkarkime presidentësh janë të pakët për të ofruar larmi praktikash dhe kjo është hera e parë që ndodh në Shqipëri, ndaj Gjykata Kushtetuese është duke themeluar një precedent, po themelon një shembull të parë.

“Gjykata Kushtetuese do të mbajë parasysh të gjitha vlerat kushtetuese me qëllim që ky precedent të shndërrohet në një precedent pozitiv, sepse kjo do t’I interesonte pastaj të mirës në drejtësi dhe të mirës së vendit. Dhe të mos lejjojë të shndërrohet në një precedent negativ, që mund të rrezikojë referimin në praktika të gabuara, që shkelin Kushtetutën etj” – tha zonja Anastasi.

Ndërsa Sokol Hazizaj, një tjetër ekspert i njohur i çështjeve kushtetuese thotë se debate ndodh para institucioneve te ceduara: para një Kuvendi që duhet të ishte shpërndarë një muaj para zgjedhjeve, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është e ndaluar me ligj, ndërsa Gjykata Kushtetuese është ende e paplotësuar me anëtarë.

Në këto kushte, tha ai, nisma për shkarkimin e presidentit është politike, por jo ligjore e as kushtetuese. Një tjetër pikë kritike e kësaj çështje, thotë zoti Hazizaj, është edhe prishja e balancave mes pushteteve.

“Parlamenti është kreu I formatimit ligjor, dhe kur ai gabon me vendime, kjo prish edhe vendimet e gjykatave rrjedhëse në sistem, sepse për sa kohë arbitrariteti shfaqet në Kuvend, ky lloj arbitrariteti i pareferuar në Kushtetutë do të shfaqet edhe në gjykata edhe në administratë e kudo” – tha zoti Hazizaj.

Një sfidë kryesore për Gjykatën Kushtetuese është se si të dallojë shkeljet e Kushtetutës nga shkeljet e rënda të Kushtetutës. Për këtë, sipas zonjës Anastasi.

Gjykata mund të shfrytëzojë rastet e shteteve të tjera dhe Opinionin e parë të Komisionit të Venecias për një nismë të ngjashme, si dhe mund të kërkojë një Opinion të ri nga Venecia për rastin e fundit, nëse shkeljet e konstatuara janë vërtet aq të rënda sa të përbëjnë shkak kushtetues për shkarkimin e tij nga detyra.

“Mundet që çështja të kërkojë kohë për nga shqyrtimi dhe kjo kohë mund të rritet mjaft nëse Gjykata Kushtetuese shfrytëzon mundësinë që I njeh ky ligj për të kërkuar një opinion të ri nga Komisioni i Venecias. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ndjekë afatet e zakonshme, kjo çështje do të zgjaste me muaj. Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste ndonjë afat të posaçëm, që është përcaktuar për gjyime të tjera të posaçme të parashikuara në ligjin organik të saj, atëherë kjo çështje mund të përfundonte edhe brenda 30 ditëve” – tha zonja Anastasi.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mund të quhet një gjykatë e re, sepse sapo është rinovuar në pjesën më të madhe të anëtarëve të vet, thotë zonja Anastasi.

Përbërja e paplotë e gjykatës me 7 anëtarë nga 9 që kërkon Kushtetuta mund të ndikojë në përballimin e sfidave të kësaj çështjeje. Po ashtu është e re edhe përvoja e këtyre gjyqtarëve në fushën e drejtësisë kushtetuese, pohojnë ekspertët.

Zonja Anastasi thotë se Gjykata Kushtetuese është funksionale me 7 anëtarë, por 2 gjyqtarë më pak do të thotë dy mendime më pak, dy vota më pak dhe kjo e shton peshën e përgjegjësisë së Gjykatës, sepse duhet të përballojë edhe këtë paplotëri.

Nga ana tjetër, zoti Hazizaj thotë se GJykata Kushtetuese është njëkohëssht edhe gjykatë e karakterit politik për nga mënyra e përmbajtjes së saj se si krijohet, dhe do të shqyrtohet vlera e këtyre vendimeve. Gjykata pritet të ndajë qartë Institucionet nga individët, që i drejtojnë ato, tha ai.

“Nëse do të nxjerrësh një vendim politik, nesër do të vijë një vendim që cënon të drejtën, që mund të cënojë edhe të drejtën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje e karakterit personal, por është çështje e karakterit të përgjithshëm. Gjykata Kushtetuese duhet të ndajë mirë fajin si qytetari Ilir Meta, apo fajin si konsumim i një vepre apo një veprimtarie si President i Republikës.

Ligji organik për Gjykatën Kushtetuese parashikon në disa nene gjykime të tilla të posaçme, por nuk parashikon afate maksimale kohore. Me shumicën e votave të anëtarëve të saj GJK vendos për ta kaluar çështjen e posaçme në seancë plenare, e cila duhet të jetë publike. Gjykata Kushtetuese do të diskutojë në fillim për juridiksionin e saj, për trajtimin e cështjes së shkarkimit të presidentit nga pikëpamja e procedurave, si dhe për trajtimin e cështjes nga pikëpamja thelbësore, materiale e verifikimit të gjithë çështjeve dhe shkaqeve kushtetuese, që ka ngritur vendimi i Kuvendit.voa

80% e të rriturve me antitrupa/ Vaksinimi po çon Britaninë e Madhe drejt imunitetit të tufës

Tetë në dhjetë britanikë të rritur tashmë kanë shenjat e imunitetit ndaj koronavirusit, ose nga vaksina ose ngaqë e kanë kaluar sëmundjen gjatë pandemisë.

Ky është rezultati i një studimi zyrtar, i cili ka analizuar analizat e gjakut. Antitrupat janë proteina antivirale që u ofrojnë njerëzve imunitetin dhe ndalojnë njerëzit që të sëmuren, nëse preken nga virusi, edhe pse ato nuk ofrojnë mbrojtje totale.

Edhe pse nuk është shuar frika se antitrupat e krijuara nga programi i vaksinimit nuk ofrojnë mbrojtje sa duhet ndaj variantit Indian, të quajtur Delta, të dhënat tregojnë se vaksinat ofrojnë mbrojtje te shumica e atyre qe janë vaksinuar deri më tani.

Vetëm tre veta kanë humbur jetën në radhët e atyre që i kanë bërë të dyja dozat e vaksinave, sipas ministrit britanik të Shëndetësisë. Vaksinimi nga dje, në Britani ka filluar për mbi 25-vjeçarët , ndërkohë në mbarë vendin, 40.6 milionë kanë marrë të paktën njërën dozë, ndërkohë që, 28.2 milionë i kanë bërë të dyja dozat, duke u ofruar atyre mbrojtjen e mundshme maksimale.

Nga të dhënat, njëra dozë nuk ofron shumë mbrojtje ndaj variantit dominant, Delta ç’ka bën që planet për heqjen totale të kufizimeve nga pandemia në Britani, me 21 qershor siç është planifikuar, të shtyhen ndoshta për dy javë të tjera.

Varianti indian është më i përhapur në verilindje të Anglisë dhe në afërsi të qytetit të Mançesterit, dhe vetëm në një lagje, në veriperëndim të Londrës, në afërsi të aeroportit më të madh në vend, Heathrow.

Infektimet më të mëdha janë në radhët e atyre që kanë hezituar të bëjnë vaksinat, andaj janë prekur më shumë moshat poshtë 50 vjeç, që shihen ndryshe nga disa muaj më parë, ata që mbajnë më shumë maskat sot nëpër Britani.