zoom

Day ArchiveLuçiano Boçi tregon si nisi sherri me Gjergj Lucën: Ai filloi të…

Pak ditë pas përplasjes fizike me biznesmenin Gjergj Luca, kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit jep detaje mbi atë që ndodhi në zonën e Labinotit.

Në emisionin “Opinion”, Boçi tha se videoja që qarkullon në media nuk është e plotë.

Boçi tha se ka qenë Luca ai që e ka fyer dhe më pas ka tentuar ta dhunojë. Në atë moment, thotë ish-deputeti, ka reaguar dhe e ka goditur Lucën. Ai thotë se ka qenë në takim elektoral teksa është kërcënuar me jetë nga biznesmeni.

“Videoja nuk është e vërtet sepse është e prerë dhe edituar. Unë e kam bërë i pari denoncimin në Prokurori dhe më pas kam bërë prononcimin, pastaj është bërë prononcimi i Lucës. Videoja ka dalë fiks pas 20 orësh, Policia e ka marrë më pas për dosje. Në deklarata, Luca tha se po pija kafe, ngjarja ishte jashtë dhe jo brenda.

Isha i ftuar atje dhe kam ardhur vetëm me nipin tim i pa shoqëruar, pas asnjë roje. Pasi kam mbaruar bisedën dhe do të zhvendoseshim në një takim tjetër. Më pas hyn nga një pjesë anësore, jo nga brenda lokalit dhe fillon të shajë dhe me fyerje ndaj meje. Ndoshta është lokali i tij, unë herë e parë që shkoja.

Me Lucën jam përplasur si përfaqësuesi i qytetarëve të Labinotit për shkollën e Mengelit dhe që ajo shkolla do të prishej për interesat e Lucës. Hera e dytë ka qenë para disa muajsh pasi qytetarët e zonës afër biznesit të Lucës u ngritën në protestë për shkak të rrëmbimit të tokës ku Luca donte të ndërtonte një rrugë për biznesin e tij. Këto janë përplasje politike dhe unë jam thirrur nga ata, nuk kam pasur konflikte personale. Duke biseduar dhe shan në mënyrë ofenduese, dhe afrohet.

Normal me duar në xhepa dhe do i jepja një përgjigje… por afrohet dhe më grushton dhe më kap në pjesën e qafës. Dhe më pas vjen reagimi im natyral, instinkti i vetëmbrojtjes reagojnë menjëherë.

Ai mund të ishte i armatosur dhe unë nuk e dija. Bëri sikur kishte armë, por nuk e pohoj dot nëse e kishte. Ta shpjegova qartë dinamikën e ngjarjes. Unë isha në fushatë elektorale, unë kam mbrojtur jo vetëm veten por dhe njerëz të tjerë, unë e di agresionet ndaj të tjerëve në zonë.”-tha Boçi

KQZ hap “thesin” për fushatën e 25 prillit, PS merr pjesën e më të madhe të lekëve, zbulohet shuma për PD-LSI

Këtë vit ndryshe nga zgjedhjet e viteve të tjera, fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike në zgjedhjet e 25 prillit, është 2 herë më i madh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë me dije në total partive do u shpërndahen 130,000,000 lekë, ku pjesën me të madhe e merr PS, e ndjekur nga PD, si subjektet politike që kanë marrë më shumë vota në 2017.

1. Partia Socialiste e Shqipërisë 764, 750 vota 48.34%
2. Partia Demokratike 456,413 vota 28.85%
3. Lëvizja Socialiste për Integrim 259,934 vota 16.69%
4. Bindja Demokratike 20,350 vota 2.67%
5. Partia Social Demokrate 22,320 vota 1.43%
6. Partia Republikane 53,784 vota 3.44%
7. Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 19,644 vota 1.26%
8. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 76,069 vota 4.81%
9. Partia Fryma e Re Demokratike 29,984 vota 1.92%
10. Partia Demokristiane e Shqipërisë 20,271 vota 1.30%

Në përllogaritjen e vlerës së votës janë përfshirë edhe partitë politike të cilat kanë plotësuar kushtin e tejkalimit te kufirit prej 1% por që nuk do të përfitojnë fonde për shkak të mosregjistrimit të tyre ne zgjedhjet per kuvendin të datës 25 prill 2021.

1. Partia Demokracia Sociale (PDS) 20.064 vota 1.28%
2. Partia Socialiste e Vërtetë 91 (PSV91) 17.465 vota 1.12%
3. Partia Lista e Barabartë (LIBRA) 19.806 vota 1.25%.

Sondazhi më i fundit/ Kush do të ishte kryeministër më i mirë?

Syri Televizion ka publikuar mbrëmjen e sotme rezultatet më të fundit të një sondazhi të kryer nga ‘Flame Tree Advisors’.

Kush do të ishte një kryeministër më i mirë, Edi Rama apo Lulzim Basha?

Kësaj pyetje i janë përgjigjur qytetarët shqiptarë.

Me një diferencë të madhe, Basha ka fituar ndaj Ramës

56.8 për qind e qytetarëve mendojnë se Lulzim Basha do të ishte një kryeministër më i mirë, kundrejt 35.9 për qind e atyre që mbështesin Edi Ramën.

Diferenca mes tyre është 20.9 për qind.

Më poshtë sondazhi:

Image

“E ke motrën k****”/ Plas sherri mes Sindit dhe Mevlanit

Papritur sot Sindi ka reaguar me nerva me disa prej konkurrentëve të Përputhen duke shpërthyer ndaj tyre.

Pasi e nisi me Julin duke i dhënë një thupër mizash në dorë, meqë ky i fundit e kishte quajtur mizë, vazhdoi tek Mevlani.

Mevlani nga ana tjetër në çdo moment i thoshte të ulej në vend se s’donte ta shihte me sy.

“Ti Mevlan të të vijë turp se nuk di të sillesh me femrat, duke më quajtur ‘k***’ e duke thënë jo e ke motrën k****,” tha Sindi.

Ndërkohë Mevlani iu përgjigj: “Kush ka thënë e ke motrën k****” moj a je në terezi ti, po ik ulu atje se s’dua të të shoh.

Pak minuta më vonë Mevlani u largua nga studio.

Truku i ligjërimit apokaliptik

Ligjërimi apokaliptik është një nga karakteristikat themelore të fushatës elektorale aktuale. Opozitarët (politikanë, media dhe analistë) deklarojnë se një mandat i tretë i Ramës do të shënojë fundin e demokracisë shqiptare. Kryeministri do të forcohet aq shumë nga vazhdimi në pushtet saqë do të vendosë një diktaturë të mirëfilltë në Shqipëri, e tipit Enver apo Erdogan.

Ndaj i ftojnë shqiptarët të votojnë kundër Ramës dhe pro opozitës për të shpëtuar demokracinë e brishtë shqiptare. Pothuajse të njëjtën fabul tjerr Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste. I vetmi ndryshim është se në këtë rast fundin e demokracisë e shënon ardhja në pushtet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Berisha është një diktator i njohur që ka hedhur në erë njerëz në Gërdec dhe ka vrarë protestues në shesh.

Meta është një hajdut i provuar, që siç ka shkatërruar sot institucionin e Presidencës, do të shkatërrojë nesër demokracinë dhe shtetin shqiptar. Gjithnjë sipas pozitës.

E vërteta është shumë më pak dramatike, por shumë më e trishtë. Mbetja në pushtet e Ramës apo ardhja në pushtet e opozitës nuk do të shënojë asnjë ndryshim themelor të demokracisë sonë.

Vazhdimi i Ramës në pushtet do të prodhojë të njëjtën qeverisje si sot, me të njëjtën arrogancë, me të njëjtët oligarkë të djeshëm dhe të pardjeshëm, që do të prodhojë të njëjtën pakënaqësi si sot me kapjen e shtetit nëpërmjet koncesioneve apo partneriteteve publike-private.

Po kështu, ardhja në pushtet e Berishës, Bashës dhe Metës as nuk do ta shpëtojë dhe as nuk do ta varrosë demokracinë shqiptare. Thjesht do ta mbajë aty ku është dhe ku ka mbetur këto 20 vitet e fundit. Qeverisjen PD-LSI do ta njohim mirë. LSI do të zhvasë, tashmë pa frikë nga ndëshkimi, copën e saj të shtetit, familja e Berishës do të vazhdojë të pasurohet dhe Luli do të mbetet i punësuar në PD.

Në të dyja rastet demokracia shqiptare do të korruptohet edhe më tej, do të vazhdojë të prodhojë pakënaqësi dhe largimin e shqiptarëve, por nuk do të vdesë dhe as do të kthehet në diktaturë. Kjo për faktin e thjeshtë se si Rama, si Meta, si Berisha, pa folur për Bashën, nuk kanë ndonjë legjitimitet të thellë në shoqërinë shqiptare. Ndaj asnjëri prej tyre nuk mundet të prodhojë diktaturë, thjesht do të riprodhojnë stanjacionin aktual.

Dhe kjo është e vërteta jodramatike, por e rëndë, që fsheh ligjërimi apokaliptik. Si vota për pozitën, si ajo për opozitën, nuk do të ndryshojë asgjë në sistemin tonë politik dhe aq më pak në jetën e qytetarit të thjeshtë. Midis pozitës dhe opozitës në fakt nuk ka zgjedhje reale. Janë parti dhe kandidatë që në 30 vitet e fundit e kanë sjellë Shqipërinë në derexhenë aktuale, sa në opozitë, sa në bashkëqeverisje me njëritjetrin.

Urgjenca për të shpëtuar demokracinë nga pozita apo opozita, alarmi që prodhojnë politikanët, mediat dhe analistët për ta shtyrë qytetarin të rrëzojë Ramën, Metën apo Berishën janë truke prestidigjitatori, që hutojnë dhe trullosin qytetarin, për të mos parë se si pozita dhe opozita ofrojnë pothuajse të njëjtin model qeverisjeje.

Ligjërimi apokaliptik është një truk që nuk lejon qytetarin të mendojë dhe shohë me qetësi realitetin tonë politik, ku përveç krizës, ka edhe shpresë. Sot në sferën tonë politike po hyjnë aktorë të rinj që nuk janë produkt i klasës politike tradicionale që ofrojnë alternative qeverisëse cilësisht të ndryshme nga binomi pozitë-opozitë.

Por edhe nëse qytetarëve nuk i pëlqen asnjë prej këtyre aktorëve apo alternativave të reja, ata përsëri kanë zgjedhje. Të refuzosh të zgjedhësh është në vetvete një zgjedhje. Ata mund t’i vënë një kryq të madh fletës së votimit për të shprehur pakënaqësinë e tyre me ofertat aktuale. Asnjë qytetar nuk është i dënuar të votojë dhe riciklojë dy apo tri të këqijave të stërprovuara, sikurse pretendon ligjërimi apokaliptik.

Arroganca e riciklimit

Në një nga sondazhet e fundit të televizionit “Euronews Albania” lidhur me zgjedhjet e ardhshme, më tërhoqi vëmendjen veçanërisht një pikë e anketës.

 

Aty pyeteshin qytetarët sa të kënaqur ishin me punën e qeverisë në ikje. Të anketuarit kërkohej të shpreheshin për secilin nga anëtarët e kabinetit dhe jo të jepnin një vlerësim të përgjithshëm për qeverinë. Do të kisha thënë pa ngurrim se përfundimi i sondazhit ishte dëshpërues.

 

Vetëm njëri nga të gjashtëmbëdhjetë ministrat merrte njëfarë pëlqyeshmërie: Manastirliu e shëndetësisë, e cila nuk e arrinte, megjithatë, miratimin e gjysmës së opinionit publik. Kolegët e saj e panë veten poshtë e më poshtë.

Një kontestim i tillë publik vjen në fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore, kur ata nuk do të kenë më asnjë mundësi për ta përmirësuar imazhin e tyre pavarësisht mbështetjes së fuqishme propagandistike të forcës politike ku janë rreshtuar.

Duke e marrë si të mirëqenë, aq sa mund të merret i mirëqenë rezultati i një sondazhi, ky fakt nxjerr në pah një tipar thelbësor të burimeve njerëzore brenda Partisë Socialiste. Sidomos mandatin e dytë, kur edhe e kishte e vetme gjithë pushtetin (tepsinë dhe timonin), kjo parti ka qeverisur me njerëz të paaftë.

Edi Rama paraqitet para shqiptarëve për t’u kërkuar mandatin e tretë me një ekip, ose skuadër, siç e quan ai, plotësisht të dështuar. Do mbajtur parasysh se në sondazhin në fjalë të anketuarve nuk u kërkohej të shpreheshin lidhur me korrupsionin e ministrave apo lidhjen e tyre me botën e krimit të organizuar.

Po bëhej një vlerësim thjesht mbi aftësitë e treguara si qeveritarë. Sikur të shtohej në këtë vlerësim edhe niveli i korrupsionit apo veset e tjera, për të cilat ata janë denoncuar nga opozita dhe mediat, imazhi i këtyre ministrave do të dilte edhe më i nxirë.

Në kontekstin e periudhës elektorale, pyetja më e arsyeshme është: a shënon ky dështim fundin e karrierës së tyre politike? Kujtojmë se asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqjen në shenjë ndjese para socialistëve më së pari pse nuk e ka përligjur pritshmërinë e tyre për detyrën e lartë që u kishin besuar. Rrjedhimisht, vendimi i mbetej Edi Ramës. Shohim se, me ndonjë përjashtim të rrallë, ai i ka përfshirë të gjithë anëtarët e kabinetit të vet në listën e kandidatëve për deputetë.

Madje, në renditje të sigurta për ta marrë mandatin e parlamentarit. Që do të thotë se Rama është i kënaqur me punën e tyre, po i shpërblen dhe i do në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve për legjislaturën e ardhshme. Ballafaquar me sondazhin e mësipërm, një zgjedhje e tillë nga ana e Kryeministrit pasqyron një mungesë të thellë të logjikës së shëndoshë politike dhe elektorale.

Por për ne që jemi votues është e nevojshme të kuptojmë arsyet pse ai paraqitet përpara shqiptarëve me një skuadër, ku riciklon figura të dështuara dhe të përfolura për keq e më keq.

Shpjegimi më i thjeshtë, që më vjen ndër mend, lidhet me karakterin e Edi Ramës si politikan, ku tipari më i dukshëm është shkëputja nga realiteti, të cilin ka marrë përsipër ta qeverisë dhe mbyllja në një rruzull, që është vetëm i tij, rrethuar nga pasqyra mashtruese, që i përkëdhelin pareshtur egon stërmadhe, duke i fshehur çdo të vërtetë të pakëndshme për të.

Për pasojë, ai shfaqet ashtu siç e kemi parë të gjithë gjatë këtyre 23 vjetëve, që është në pushtet: gjithnjë i ngopur me vetveten dhe po aq arrogant dhe përçmues ndaj kujtdo që rrezikon t’ia prishë iluzionin, qoftë ky qejfprishës në opozitë, brenda familjes së tij politike, pjesëtar i shoqërisë civile apo shërbestar i mediave.

Në rrethanat kur bartës i iluzionit është Kryeministri i vendit, atëherë problemi nuk mbetet më thjesht i tij, por bëhet i mbarë shoqërisë. Sepse, në gjuhën popullore, “iluzioni” në këtë rast përkthehet si “gënjeshtër”. Vendi nuk mund të qeveriset nga një njeri që jeton i lumtur brenda gënjeshtrës së vet.

Por ka edhe më shumë vend të besohet se një zgjedhje e tillë është bërë me vetëdije të plotë nga ana e Kryeministrit Rama. Gjatë ditëve kur Partia Socialiste, ashtu si partitë e tjera, ishte e përfshirë në ethet e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, Edi Rama e përcaktoi vetë, publikisht, profilin e parlamentarit të ardhshëm, që do të udhëhiqte. Arritjet e tij do të maten me “sa duar ka shtrënguar” dhe “sa fshatarë ka takuar”, tha ai.

Për të na hequr çdo dyshim se po bënte një populizëm elektoral dylekësh, ai e plotësoi më tej identitetin e parlamentarit të dëshiruar, duke e konkretizuar përmes shembullit të një deputeti, i cili ka gëzuar deri tani disa mandate dhe më 25 prill do të marrë një tjetër. Cilësia e lartë e këtij deputeti, e që ai e shërbente si model, nuk dilte në pah nëpërmjet fjalimeve të tij në Parlament, por te fakti që ai i njihte derë për derë të gjithë banorët e zonës së tij.

Asgjë për kontributin e tij për hartimin dhe miratimin e ligjeve, mbi të cilat mbështetet demokracia, shteti i së drejtës dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Domethënë, asgjë që do ta ndriçonte figurën e tij si ligjvënës e për të cilën edhe është zgjedhur. Ky, pra, është një koncept mirëfilli politik i Edi Ramës për deputetin e Republikës së Shqipërisë në vitin 2021 dhe përgjigjen duhet ta marrë pastërtisht politike nga elektorati.

Të gjithë e kanë vënë re degradimin e Grupit Parlamentar socialist nga një legjislaturë në tjetrën qysh kur drejtimin e kësaj partie e ka marrë Edi Rama. Nuk e kam fjalën në këtë rast për ata deputetë socialistë që humbën mandatin pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin e klasës politike.

Madje, nuk e kam fjalën as për cilësitë e tjera morale të deputetëve që po e mbyllin mandatin. Po përpiqem të ngre shqetësimin lidhur me kulturën e tyre politike, prej nga buron edhe integriteti i tyre po ashtu politik përballë detyrës shumë të lartë si ligjvënës. Spastrimin më të madh Edi Rama e bëri në zgjedhjet e vitit 2017.

Grupi Parlamentar socialist në legjislaturën që po mbyllet ka qenë tërësisht i nënshtruar dhe pa gojë përballë Kryeministrit. Dhe ky është një aspekt tjetër që zbulon mungesën e integritetit të tyre politik si parlamentarë në një vend të lirë. Nuk i kemi parë këta deputetë të bëjnë asgjë prej gjëje për t’ia ndalur sadopak dorën abuzimit me pushtetin të parit të tyre, apo qoftë edhe për t’i dhënë pak frymë programore socialiste politikës së qeverisë.

Sepse ata janë zgjedhur si socialistë, në fund të fundit. Po mbyllet legjislatura dhe asnjëri prej tyre nuk ka spikatur sadopak se ka ca gjasa qoftë edhe embrionale për t’u bërë një ditë pjesë e elitës politike të vendit, siç do të duhej të ishte ansambli parlamentar i një vendi, që ushqen ëndrrën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Trishtim i madh për Republikën tonë. Të gjithë kanë menduar në kor vetëm me kokën e Kryeministrit. Dhe kur ajo kokë nuk mendon ose mendon mbrapsht, siç ndodh më së shumti në rastin e Edi Ramës, pasojat i vuan vendi.

Pamja që do të na shfaqë Grupi Parlamentar socialist në legjislaturën e ardhshme do të jetë edhe më e trishtueshme se kjo që po lëmë pas. Një prognozë e tillë është e thjeshtë të bëhet edhe pa lexuar biografitë e deputetëve të ardhshëm. Mjaft të mbajmë parasysh kriteret e shpallura nga Edi Rama, sipas të cilave, ai ka zgjedhur kandidatët.

Dhe po fitoi, po ky grup parlamentar do të nxjerrë edhe qeveritarët, të cilët natyrshëm do të jenë të njëjtët. Kjo ndodh në një kohë kur opinioni publik shqiptar gjithnjë e më gjerësisht e përbuz klasën e vet politike jo vetëm për korrupsionin, jo vetëm për paaftësinë udhëheqëse, por edhe për mungesën e dinjitetit individual të secilit prej anëtarëve të saj dhe për mungesën e kulturës politike, duke kërkuar që në udhëheqje të vendit të ngjiten intelektualë. Këtë tregon edhe sondazhi i televizionit “Euronews Albania” i përmendur në krye të këtij shkrimi.

Me “intelektual” populli nuk kupton thjesht dikë që ka kryer studimet universitare dhe ka një diplomë, por një njeri që ka jo vetëm dituri të gjera, dhe po aq dinjitet për t’u indinjuar dhe guxim për të folur në vetën e parë: unë mendoj.

Kjo kërkesë e opinionit publik për të parë në drejtim individualitete të ditura dhe dinjitoze shpreh një nevojë thelbësore të Shqipërisë së sotme. Edi Rama kësaj here po shkon deri në ekstrem në rrugën e shpërfilljes së kësaj nevoje. Ky është vizioni i tij për politikën. Shqiptarët, që do të shkojnë në votime, duhet të mbajnë gjithnjë parasysh se Shqipëria është Republikë Parlamentare, që do të thotë se Parlamenti është instanca më e lartë politike e shtetit tonë. Rrjedhimisht, qeveria e ardhshme do të ketë fytyrën e shumicës që e zgjedh.

Dreka e Ramës me Macron, Bushati: Edhe Gedafi dhe Al Asad janë pritur me nderime

Analisti Andi Bushati thotë se realiteti me të cilin u prit sot kryeministri Edi Rama nga presidenti francez Emmanuel Macron, është shumë më i trishtë se pamjet ceremoniale. Në një analizë mbi drekën e punës në pallatin Elysee, Bushati shkruan se Rama u prit si kryeministri i një vendi të korruptuar, me kriminalitet të lartë dhe që eksporton azilkërkues në Francë, shkaqe për të cilat Parisi e ka bllokuar për të hapur negociatat.

Bushati na fton të shohim përtej ceremonisë zyrtare dhe rrahjes së shpatullave para kamerave, jo vetëm se presidenca franceze e njeh realitetin shqiptar dhe mungesën e theksuar të funksionimit të shtetit, por duke na sjellë në vëmendje pak histori, se si janë pritur në Elysee edhe liderë të tjerë si Muhamar Gedafi apo Bashar Al Asad, në fatin e  të cilëve nuk kanë luajtur asnjë rol nderimet në ceremonitë zyrtare.

Zoom.al po e boton të plotë analizën e Andi Bushatit, botuar në lapsi.al

Përtej rrahjes së shpatullave prej Makronit

Rrahja e shpatullave të Edi Ramës nga presidenti francez Makron, duket në pamje të parë si një dhuratë e paçmuar për kryeministrin shqiptar që sapo ka hyrë në fushatë elektorale. Por, përtej rojes së nderit në pallatin Elysee, ngjitjes së shkallëve të “kështjellës” dhe njoftimit të shkurtër që u dha se “të dy udhëheqësit kishin diskutuar për investimet europiane në rajonin tonë”, ka një realitet shumë më të trishtë se ai i pamjeve të pritjes ceremoniale.

Për një kohë të gjatë Parisi është bërë diga kryesore që pengon hapjen e negociatave të Tiranës me Brukselin. Për këtë vetë presidenti francez, madje edhe gruaja e tij kanë qenë pre e sulmeve të mediave proqeveritare të Tiranës. Dhe kjo për shkakun se Makron tha me zë dhe me figurë një të vërtetë të thjeshtë, atë se nuk qe vetëm vendi i tij, por gati gjysma e anëtarëve të BE që ishin kundër avancimit të Shqipërisë.

Nuk ka diskutim që në këtë ansambël Franca ka pasur një rol kryesor dhe këtë e ka pranuar me gojën e saj ish ministrja franceze për Europën, Nathalie Loiseau, gjatë fushatës për zgjedhjet europiane, ku ajo kryesonte listën e partisë presidenciale “Republique en marche”.

“Ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë, isha unë si ministre… Franca luftoi për tetë orë në atë mbledhje për të bindur partnerët që të thonin jo. Këtë e bëri vetë edhe presidenti Makron”, deklaroi Loiseau për radio franceze RTL, duke iu referuar dështimit tonë në vitin 2018. Më shumë ka sqaruar vetë Makron me gojën e tij në tetor 2019, gjatë një fjalimi në Këshillin e Europës, në Strasburg. Ai tregoi me gisht kërkesat për azil politik që vijnë edhe nga vende “që kërkojnë të hapin negociatat e pranimit me BE”.

Në fakt kushdo që e njeh sadopak politikën e Parisit zyrtar ndaj Shqipërisë nuk e ka të vështirë të dallojë dy probleme kryesore. I pari është numri i lartë i azilkërkuesve, që në periudhën e qeverisë Rama ka shkuar nga nga 339 kërkesa në vit, në 9251 që u regjistruan në 2019. Shumë ministra të brendëshëm të disa qeverive me radhë i kanë kërkuar edhe Saimir Tahirit, edhe Fatmir Xhafës edhe Sandër Lleshit ndalimin e kësaj hemoragjie që e ka renditur Shqipërinë në vendin e dytë në botë në raport me numrin e popullësisë, duke e reshtruar direkt pas një vendi në luftë si Siria. Dhe administrata franceze është e qartë se prej nga vjen ky fluks. Në një artikull të gjatë mbi këtë fenomen revista e përjavshme me prirje të majta “Marianne” citonte një raport të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ku Shqipëria përshkruhet si një vend “I penalizuar nga korrupsioni, me një kriminalitet të madh dhe ku shteti ligjor nuk funksionon”.

Pra, nëse do të bëhet një portretizim i thjeshtëzuar i asaj çka përfaqësonte njeriu që sot ngjiste shkallët e pallatit Elysee, ai ishte aty si kreu i një qeverie që nuk funksionon dhe që eksporton emigrantë në Francë.

Kaq majfton për të kuptuar se si i shikojnë në Paris “arritjet” e Shqipërisë, dhe se sa duhet të entuziazmohemi ne për pritjen që iu bë Edi Ramës. Ajo nuk ka asnjë vlerë për qytetarin e thjeshtë. Ajo nuk ndryshon asgjë në shpresat tona për të parë më shpejt dritën e gjelbërt nga BE. Ajo nuk lëviz asnjë presje nga ato që janë të shkruar në dosjet e administratës.

Natyrisht, pamjet që pamë sot nga pallati Elysee, fërkimin e ekzagjeruar të shpatullave dhe drekën e parashikuar në axhendën e presidencës, Edi Rama do ti përdorë si një spot për fushatë. Por kapërcimi i atij pragu nuk përbën garanci as për atë vetë, e aq më pak për vendin që ai përfaqëson. Boll të kujtojmë se, pikërisht aty, Muhamar Kadafi ngriti çadrën e tij, vetëm katër vite përpara se pallati i tij të bombardohej nga aroplanët luftarakë francezë, ndërsa Bashar Al Asadi ishte i ftuari i nderit i parakalimit të 14 korrikut, përpara se ti kthente Francës mbarapsht dekoratën e Legjonit të nderit.

Sherri me armë në Durrës, ja kush është 25-vjeçari i plagosur

Të shtëna me armë u regjistruan këtë mbrëmje në Durrës në lagjen nr. 4. Mësohet se personi i plagosur me armë zjarri është Arbër Tivari. Autori i plagosjes me armë është identifikuar si Ardit Buçpapa, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.Ky i fundit, pas një sherri për motive të dobëta,

ka qëlluar me armë zjarri Tivarin, në hyrjen e pallatit ku ai jetonte dhe e ka lënë atë të plagpsur. Aktualisht 25-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa autorit është shpallur në kërkim.Policia dhe grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjares.

Këto janë 5 modelet e fletës së votimit që po diskutohen në KQZ

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve publikoi 5 modelet e fletës së votimit që po diskutohen për zgjedhjet e 25 prillit.

Kryekomisioneri shtetëror ua ka prezantuar atyre përfaqësuesve të partive politike. Në këto zgjedhje do të votohet për subjektin dhe për kandidatin, sipas një numri që përkon me çdonjërin prej tyre.

Opozita kërkon që në fletë të mos ketë numra, por emra. ©Zoom.al

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

Covid-19/ MSH: 344 raste të reja dhe 8 humbje jete në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19.

Vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së sotme janë kryer 1714 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 48,229 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon: Janë kryer 1993 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 344 qytetarë.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 90 raste në Tiranë, 27 raste në Shkodër, Berat, 23 raste në Vlorë, 20 raste në Pogradec, 15 raste në Librazhd, 12 raste në Fier, Kurbin, 9 raste në Durrës, Mallakastër, Gramsh, 8 raste Mirditë, 7 raste në Lushnje, Pukë, Gjirokastër, Kuçovë, 4 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, Tepelenë, Vau i Dejës,  Malësi e Madhe, 3 raste Elbasan, Kavajë, Divjakë, Peqin, Skrapar, Vorë, Patos, 2 raste në Kamëz, Sarandë, 1 rast në Has, Delvinë, Ura Vajgurore, Belsh, Cërrik, Poliçan.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 699 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 85,846 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 399 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 8 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19:  2 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Elbasani,  1 qytetar nga Fier, 1 qytetar nga Saranda moshave 63-91 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.

Statistika (22 Mars 2021)
Raste të reja ditore        344
Të shëruar në 24 orë     699
Të shtruar në spitale      399
Humbje jete në 24 orë   8
Testime ditore               1993

Testime totale           534,789
Raste pozitive           121,544
Raste të shëruara     85,846
Raste Aktive              33,553
Humbje jete               2145

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë    22823
Fier       2642
Durrës    1476
Vlorë      1364
Shkodër      1276
Gjirokastër 1228
Korçë      794
Lezhë      637
Elbasan   463
Kukës     341
Dibër     337
Berat       172